Nga teoritë se Bill Gates qëndron pas pandemisë Covid19, deri te lajmet e rreme që lidhnin teknologjinë 5G me virusin korona, qytetarët e Maqedonisë së Veriut ishin ekspozuar ndaj qindra lajmeve të rreme lidhur me pandeminë. E gjithë kjo ndikoi që qytetarët të humbin besimin ndaj institucioneve, disa nga pacientët të fshehin simptomat ose të mos paraqiten për nevojë mjekësore edhe përkundër gjendjes së rënduar. Rosana Aleksoska, drejtuese e një projekti për verifikim të fakteve dhe luftë kundër lajmeve të rreme, thotë se propaganda në Maqedoninë e Veriut ishte pjesë e një fushate më të gjerë që depërtoi thuajse në gjithë shtetet e botës.

 

ROSANA ALEKSOSKA, FIGHTING FAKE NEWS NARRATIVES

“Gjatë monitorimit tonë, ndeshëm shumë teori konspirative të cilat në përgjithësi përhapeshin në nivel global, por shpesh u jepet kontekst lokal. Dua të potencoj për qytetarët se qëllimi i dezinformatave nuk është që t’i bindin qytetarët në një teori konspiracioni. Por dezinformatat funksionojnë në mënyrë që qytetarëve tu ofrohen teori të ndryshme konspiracioni. Sa më shumë teori konspiracioni, aq më shumë qytetarët do të hutohen dhe nuk do të besojnë. Rezultati përfundimtar është ulja e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve dhe proceseve”

Ish kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut Naser Selmani thotë se kjo propagandë gjeti tokë pjellore në vend, pasi besimi i qytetarëve ndaj mediave dhe institucioneve tashmë një kohë të gjatë është në rënie.

 

NASER SELMANI, ISH KRYETAR I SHGM-së

“Këtu në Maqedoni qytetarët nuk iu besojnë institucioneve, mediave. Ju e keni anketën e fundit të IRI-t ku tregon se pjesa dërrmuese e qytetarëve, mbi 60 përqind nuk iu besojnë institucioneve dhe kjo e ka vështirësuar edhe luftën kundër lajmeve të rreme. Faktikisht kur njerëzit nuk u besojnë institucioneve dhe dikush krijon rrena apo gënjeshtra në bazë të këtij mosbesimi, këto mashtrime kalojnë në opinion”.

Gjatë kësaj pandemie, Maqedonia e Veriut sërish u bë temë në mediat botërore për fabrikat e lajmeve të rreme. Televizioni NBC News publikoi se rrjeti social Facebook ka mbyllur një prej faqeve më të mëdha konspiracioniste, e cila shfrytëzonte përmbajtje nga fabrikat e lajmeve të rreme në Maqedoninë e Veriut dhe Filipinet.

 

Linkun nga artikulli original nga Euronews Albania mund ta gjeni këtu.

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2023 F2N2.