Periudha e pas Luftës së Ftohtë ka shënuar një rritje të së djathtës ekstreme, që ka ndikuar në politikat evropiane. Ka pasur gjithashtu një rritje të ksenofobisë dhe dhunës ndaj emigrantëve, veçanërisht pas 11 shtatorit, posaçërisht ndaj emigrantëve myslimanë, refugjatëve ose atyre që mbështesin politikat për multikulturalizmin. E djathta ekstreme është zhvendosur “nga margjinat drejt lëvizjeve drejtuese” në politikën evropiane (Mudde, 2013: 2), siç është vërejtur në fusha të ndryshme që nga fillimi i këtij shekulli. Së pari, numri i votave për partitë e së djathtës ekstreme në zgjedhjet e ndryshme lokale, nacionale dhe zgjedhjet për Parlament Evropian (PE) është rritur. Së dyti, ka pasur një rritje të organizatave të së djathtës ekstreme dhe dhunë të së djathtës ekstreme. Së treti, ekziston normalizim dhe përfshirje e diskursit politik të së djathtës në lëvizjet kryesore, e cila është gjëja më e rrezikshme për të ardhmen e Evropës sepse lejon që e djathta ekstreme të ndikojë në agjendën dhe diskursin e partive udhëheqëse, veçanërisht të demokratëve të krishterë. Këto ngjarje paraqesin sfida themelore në ruajtjen e paqes në Evropë dhe në vazhdimin e projektit të Bashkimit Evropian (BE). Siç tregojnë vrasjet në Oslo, tendencat e së djathtës ekstreme nuk janë të rrezikshme vetëm për emigrantët dhe për pakicat; ato gjithashtu rrezikojnë të gjitha shoqëritë evropiane (Fekete, 2012). Prandaj është e nevojshme të merremi me të djathtën ekstreme të re, jo vetëm në aspektin e politikës zgjedhore, por edhe në fushat e tjera ku ato kanë ndikim (Goodwin et al. 2012: 4).

Emra të ndryshëm janë përdorur për të emëruar partitë e së djathtës ekstreme, të tilla si “e djathta radikale”, “populiste”, “e djattha ekstreme”, “e djattha populiste” dhe “e djattha radikale populiste” (Mudde, 2007). Mudde (2014: 98-99) përdor termin “e djattha ekstreme” si një koncept që përfshin si të djathtën ekstreme ashtu edhe të djathtën radikale populiste. “E djathta ekstreme” kundërshton plotësisht demokracinë, ndërsa e djathta radikale e pranon demokracinë, por kundërshton demokracinë liberale, e cila përfshin pluralizmin dhe të drejtat e pakicave[1].

Sipas Wikipedia, përkufizimi i të djathtës ekstreme në SHBA është si vijon: Në politikën e Shteteve të Bashkuara, e djathta radikale është një preferencë politike që mbështetet në konservatorizëm ekstrem, antisocializëm dhe besime të tjera të krahut të djathtë në një strukturë hierarkike. Termi u përdor për herë të parë nga shkencëtarët socialë në vitet e ’50, dhe i referohet grupeve të vogla si shoqata “John Birch” në SHBA dhe që nga atëherë është aplikuar për grupe të ngjashme në të gjithë botën[2].

 

Megjithëse përkufizimet janë të ngjashme, ekziston edhe një tjetër nga Fondacioni Friedrich Ebert, në një libër të vitit 2011, që përcakton ndryshe termat “ekstremizëm të krahut të djathtë” dhe “populizëm të krahut të djathtë”. Në vitin 1996, shkencëtari politik holandez Cas Mudde theksoi se në shumicën e vendeve evropiane termat “e djathta radikale” dhe “e djathta ekstreme” u përdorën në mënyrë të këmbyeshme. Ai përmendi Gjermaninë si një përjashtim, duke theksuar se midis shkencëtarëve politikë të atij nacionaliteti, termi “e djathtë radikale” (Rechsradikalismus) u përdor në lidhje me ato grupe të krahut të djathtë që ishin jashtë rrjedhës kryesore, por nuk rrezikojnë “rendin e lirë demokratik”; kështu, ky term u përdor në kundërshtim me “e djathta ekstreme” (Rechsextremen), i cili u referohej grupeve që kërcënuan kushtetutshmërinë e shtetit dhe prandaj mund të ndalohen me ligjin gjerman[3].

Në mënyrë të barabartë në përgjithsi, e djathta merret me parimet e konservatorizmit, që është një besim në ruajtjen e vlerave dhe institucioneve të vendosura tradicionale, siç është monarkia dhe kisha. Konservatorizmi është ndërtohet mbi idenë e një identiteti të përcaktuar kombëtar dhe përfshin një shoqëri monokulturore, në vend të shoqërisë multikulturore. Konservatorizmi politik është i lidhur me idenë e kapitalizmit, me idenë se ekonomia është më e fortë kur bazohet në fraksione konkurruese, ku pasuria është në duart e pak njerëzve dhe përdoret për punësim të shumicës.

E djathta ekstreme do të ishte Fashizmi politik. Fashizmi mund të përkufizohet si autokraci e një lideri ose qeverie, një agjendë e fortë nacionaliste dhe një qasje pro-uniforme. Diversiteti nuk mbështetet brenda ideologjisë fashiste. Theksi është në përputhje me qëllimet e unifikuara të shtetit.

E djathta ekstreme për të cilën flet grupi “Rezistencë ndaj urrejtjes” (Resisting Hate) dhe grupet e tjera kundër urrejtjes, kanë të përbashkët disa karakteristika kryesore. E para është nacionalizmi. Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis nacionalizmit dhe patriotizmit. Patriotizmi është dashuri për vendin e dikujt, ndërsa nacionalizmi është besimi se një vend dhe njerëzit e tij janë superiorë ndaj të tjerëve. Patriotizmi mund të jetë pjesë e politikës së krahut të majtë dhe të djathtë. Nacionalizmi është një ideologji e krahut të djathtë.

Politika e krahut të djathtë ka një sens të fortë të identitetit kombëtar dhe kulturor që mund të jetë një tipar pozitiv, por e djathta ekstreme e çon këtë më larg dhe e percepton integrimin me kulturat e tjera si një kërcënim për ndjenjën e tyre të identitetit. Duke vepruar kështu, ata kundërshtojnë konceptin e diversitetit dhe fillojnë të shohin ata që janë të një race ose kulture tjetër si uzurpatorë të mundshëm të tokës së tyre dhe zbehës të vlerave të tyre kulturore. Kjo mund të çojë në trazira brenda komuniteteve dhe paragjykime ndaj atyre që nuk konsiderohet se kanë të njejtin sfond racor ose kulturor.

E djathta ekstreme shfaq karakteristika të elitizmit. Kjo është e lidhur ngushtë me idenë e ruajtjes racore dhe kulturore, por me theks në faktin se një komunitet theksohet si “superior”. Kjo mund të shihet në grupet e supremacisë së bardhë të së djathtës ekstreme, të cilat bëjnë thirrje për shumim më të madh të personave të bardhë për të siguruar që raca e tyre të mbijetojë nga “kërcënimi” i përzierjes së gjakut me grupet e tjera etnike. Nuk është e vështirë të shihet se sa ngushtë është I lidhur ky elitizëm me racizmin. Po aq e thjeshtë është të shihet paralelja midis kësaj ideje të pastërtisë racore me obsesionin e Gjermanisë naziste me racën ariane.

Në përputhje me idenë e një shoqërie tradicionale dhe deri diku homogjene, e djathta ekstreme kundërshton idealet liberale për aktualizimin e individualitetit dhe dënon individët që nuk pajtohen me idetë e tyre të paracaktuara se si duhet të sillen njerëzit. Këtu hasim paragjykime për gjininë dhe seksualitetin, të cilat në të djathtën ekstreme shpesh vlerësohen si sjellje të panatyrshme njerëzore. Gjithashtu, hasim paragjykime fetare me ekstremistë të së djathtës ekstreme, të cilët vetidentifikohen si mbrojtës të besimit të krishterë dhe përdorin pretekstin për të mbështetur vlerat e krishtera, si një mënyrë për të provokuar konflikt me fetë e tjera.

Taktika primare e përdorur për të avancuar agjendën e së djathtës ekstreme është ndjenja e gatishmërisë për të mbrojtur kombin ose komunitetin kundër një kërcënimi të jashtëm. Ne e kemi parë këtë gjatë historisë duke persekutuar njerëz me ngjyra të tjera të lëkurës, homoseksualë, hebrenj, muslimanë dhe grupe të tjera minoritare. Kjo është ilustruar në mënyrë të qartë gjatë referendumit për Brexit me posterin famëkeq “Pika Kritike” (Breaking Point) i Nigel Farage, i cili u përpoq t’i shfaqë emigrantët si pushtues, në mënyrë që të bashkohet dhe të mobilizohet e djathta ekstreme kundër “armikut” të përbashkët.

 

Meral Musli Tajroska – Psikologe, Meral Musli Tajroska – Psikologe, Ekspert për ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, aktivist për barazi gjinore.

 

[1] https://dergipark.org.tr/tr/download/article-file/1610

[2] https://en.wikipedia.org/wiki/Radical_right_(United_States)

[3]https://en.wikipedia.org/wiki/Radical_right_(Europe)#Terminology_and_definition

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2023 F2N2.