Skeptikët të cilët nuk besojnë pandeminë, vazhdojnë të bëjnë akuza. Kësaj radhe në teoritë e reja të konspiracionit janë mjekët të cilët, sipas njohurive të tyre, gënjejnë për virusin.

Nga “heronjë” në “terroristë”. Mjekët dhe personeli mjekësor italian, përveç punës rraskapitëse gjatë pandemisë, po përballen me një sfidë të re: teori konspirative me të cilat akuzohen se po shpikin raste emergjente.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, dy gra kanë pohuar në kamera se janë në dhomën për raste emergjente në një spital në Milano, një nga qytetet më të goditura në Itali. Në video, ato përpiqen të tregojnë se spitali është bosh, ndryshe nga ajo që raportohet përmes mediave të cilat alarmojnë rritje drastike të numrit të të infektuarve. Mesazhi i tyre është se mjekët, gazetarët dhe politikanët gënjejnë. Sipas tyre, ata janë “terroristë”.

Videoja, e cila është shpërndarë mijëra herë, është e rreme. Dhomat e treguara nuk gjenden në repartin për raste emergjente të spitalit, të cilat në të vërtetë janë plot. Në video gjithashtu nuk tregohen as vendet jashtë spitalit ku rregullisht presin ambulancat, të rreshtuara njëra pas tjetrës, për t’i marrë pacientët të sëmurë rëndë.

Akuza të këtilla të ngjashme shpërndahen përmes Facebook, Telegram, WhatsApp dhe platforma të tjera të panumërta, ndërsa në to pretendohet se ambulancat ngasin pa qëllim pa pacientë ose i lëshojnë sirenat, thjeshtë, vetëm për të trembur njerëzit.

“Nëse gjatë valës së parë ne quheshim heronjë, tani dikush ka ndryshuar mendje”, deklaroi hematologu Andrea Artoni, i cili është pjesë e repartit për COVID-19 në Poliklinikën e Milanos. “Ne jemi të lodhur, jemi të lodhur dhe po punojmë ndërrime rraskapitëse, duke u përpjekur të investojmë gjithë energjinë që kemi për të shpëtuar ata që do të sëmuren”.

Nuk është e lehtë të përballemi me valën e dytë të pandemisë vetëm gjashtë muaj pas valës së parës, thonë mjekët. “Për ata që mohojnë ekzistencën e këtij virusi, vetëm mund t’u them të vijnë dhe të bëjnë një shëtitje në një nga repartet tona. Ejani dhe shikoni se si njerëzit tanë po vdesin duke u ngulfatur, të vetëm dhe të kthjellët”, deklaroi hematologu Andrea Artoni për Politico.

Sipas mohuesve dhe skeptikëve, gjendja e jashtëzakonshme shëndetësore është një shpikje mediatike, narracion i shtrembëruar të cilin e shesin politikanët dhe njerëzit e fuqishëm të cilët duan të manipulojnë botën.

Burim: Politico

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2022 F2N2.