OPINIONI PUBLIK DHE INTEGRIMI I BALLKANIT PERËNDIMOR MES ÇEKANIT DHE KUDHRËS

Në përgjithësi, qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë akoma një vizion pozitiv mbi shanset që vendet e tyre të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Sidoqoftë, rruga drejt anëtarësimit në BE është e gjatë dhe për momentin njerëzit e Ballkanit ndihen të mbërthyer mes çekanit dhe kudhrës. Procesi i pranimit në BE duket i pafund dhe vendet anëtare aktuale nuk po bëjnë shumë për ta përmirësuar këtë. Ekziston përshtypja se disa prej tyre krijojnë pengesa të mëtejshme në këtë rrugë. Për më tepër, depolitizimi i procesit të pranimit ka pasoja të padëshiruara duke mos lejuar që votuesit të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Kjo është kudhra.

Çekani përbëhet nga qeveritë, politikanët dhe institucionet në vendet e Ballkanit, të cilat janë në fokusin e pakënaqësisë së njerëzve. Publiku është skeptik në lidhje me përkushtimin e qeverive të tyre drejt integrimit evropian, ndërsa kjo minon vlerën e demokracisë.

Për t’a tejkaluar çekanin dhe kudhrën, Komisioni Evropian duhet të përshpejtojë metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, me stimuj më të rëndësishëm për vazhdim të  reformave. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ftohen të kontribuojnë në stërvitjen e ardhshme në parashikimin e së ardhmes së Evropës. Bashkimi Evropian ka nevojë që ta përforcojë mbështetjen e tij aktuale për qytetarët dhe shoqërinë civile për të kërkuar llogari nga qeveritë e tij, gjë që do të mundësojë fundin e epidemisë së shtetit të robëruar që është karakteristikë e këtij rajoni. Kjo thuhet në hulumtimin e kryer nga Grupi Këshillimor i Politikave Publike për Ballkanin dhe Evropën – BiEPAG.

Premtimi kryesor i demokracisë është se njerëzit do të jenë në gjendje në mënyrë të pavarur të marrin vendime dhe se vota e tyre do të llogaritet në politikë. Një problem në rritje i demokracive moderne është se votuesit nuk besojnë më se mund të ndikojnë në mënyrën se si qeverisen vendet e tyre, edhe kur ata mendojnë se zgjedhjet janë të lira dhe të drejta. Mandati që qytetarët u kanë dhënë liderëve politikë gjatë fushatave zgjedhore shpesh është nën hije nga detyrimet e shumta që i imponohen shtetit nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane, gjykata të ndryshme dhe institucione financiare ndërkombëtare. Denacionalizimi gradual i politikave të krijuara, veçanërisht në Evropën post-Maastricht, i ka bërë votuesit të ndjehen të refuzuar nga përfaqësuesit e tyre politikë dhe të zhgënjyer thellë nga politika konvencionale.

Çekanit

Procesi i pranimit në BE është vendosur në një mënyrë të tillë që miratimi i ligjeve në vendet e Ballkanit të neglizhojë debatin e politikave. Në vend të kësaj, gjithçka bie në miratim dhe zbatim të standardeve kompatibile të BE-së. Ndërsa Brukseli kufizon mundësinë që partitë politike në vendet anëtare të ofrojnë politika alternative të rëndësishme për qytetarët e tyre, shtetet anëtare të paktën kanë një rol në vendimet e marra në nivel evropian, të cilin më vonë do të duhet t’i respektojnë. Vendet e Ballkanit Perëndimor, si aspirante për anëtarësim, janë të detyruara të pranojnë ose refuzojnë kushtet e BE-së. Ky dominim i procesit të integrimit evropian në rajon nuk i lejon politikanët të përfaqësojnë dhe të komunikojnë me votuesit e tyre, edhe kur kanë qëllime të sinqerta për ta bërë këtë. Janë vënë re madje edhe pasoja të padëshiruara, shpesh duke iu mundësuar elitave politike në rajon të shmangin premtimet e tyre parazgjedhore,  duke paraqitur politikat jopopullore si “të prodhuara në Bruksel”, ndërsa për atë kohë i përbirojnë agjendat dhe projektet personale. Pa mundësinë për t’i thërritur në përgjegjësi udhëheqësit politikë, ekziston rreziku që qytetarët në rajon të humbin besimin në proceset dhe institucionet e përfaqësimit demokratik.

Deri më tani, qytetarët në vendet- aspirante të BE nga rajoni nuk kanë përjashtuar presionin dhe ndikimin e Komisionit mbi politikat e tyre nacionale. Sipas një sondazhi të fundit të Ipsos të porositur nga Fondi Evropian për Ballkanin në tetor të vitit 2020, opinioni publik në rajon mbështet me shumicë dërrmuese anëtarësimin në BE (82,5% mesatarisht). Edhe në Serbi, e cila konsiderohet skeptiku më i madh në rajon, shumica e opinionit mbështet anëtarësimin në BE me 64,1% (Grafiku 1).

Kohët e fundit, Bullgaria refuzoi të miratojë kornizën për negociatat mbi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, për shkak të çështjeve të historisë dhe gjuhës, duke penguar kështu fillimin tashmë të vonuar të negociatave të pranimit në Shkup. Ky vendim nuk merr parasysh reformat e bëra në Maqedoninë e Veriut: vendi mori vlerësimet më pozitive në raportet e Komisionit për këtë vit nga të gjitha vendet e Ballkanit. Më parë, kontesti për emrin me Greqinë ishte një pengesë në rrugën e Maqedonisë së Veriut për në BE për një dekadë, derisa të dy vendet zgjidhën përfundimisht çështjen në vitin 2018.

Opinioni publik në rajon është ende pozitiv në lidhje me anëtarësimin në BE, por në të njëjtën kohë po ndjek dinamikën me të cilën po zhvillohen këto procese. Hulumtimi i Ipsos (2020) tregon se 52,1% e të anketuarve në të gjithë rajonin janë të pakënaqur me përparimin e vendit të tyre drejt pranimit në BE.

Një nga arsyet e deklaruara për pakënaqësi është pikërisht ritmi i ngadaltë i procesit, veçanërisht në Malin e Zi (17,7%) dhe Serbi (17,6%). 9,4% e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut dhe 11,7% në Serbi ankohen në rritjen e numrit të kërkesave të BE dhe janë të shqetësuar se “BE nuk na dëshiron”. Kushtet e vendosura nga vendet fqinje janë zhgënjyese për 9% të të anketuarve në Maqedoninë e Veriut.

Edhe pse të vogla, këto shifra tregojnë se opinioni publik në Ballkanin Perëndimor i merr parasysh dhe është i ndjeshëm ndaj sinjaleve të BE-së. Në fakt, skepticizmi i fshehtë bëhet edhe më i dukshëm kur shohim se 20,8% e të anketuarve në rajon besojnë se vendi i tyre nuk do të anëtarësohet kurrë në BE: 32,7% në Serbi, 28,1% në Bosnjë dhe Hercegovinë, 25,7 % në Maqedoninë e Veriut, dhe 20,9% në Shqipëri.

Kudhra

Tani për tani, sipas hulumtimit të Ipsos (2020), pakënaqësia e njerëzve është përqendruar tek politikanët dhe institucionet e tyre.

Për këtë, veçanërisht theksohet Kosova, ku rreth 24% e të anketuarve dyshojnë nëse autoritetet janë vërtet të përkushtuara për integrimin evropian. Pakënaqësia e publikut nga institucionet shtetërore të korruptuara dhe jofunksionale ka një rezultat të rëndësishëm, veçanërisht në Malin e Zi (18%). Rreth 14% e të anketuarve në Serbi dhe Maqedoni të Veriut pajtohen se elitat e brendshme politike dhe institucionet janë kryesisht përgjegjëse për mungesën e progresit ose reformave në lidhje me integrimin evropian.

Perceptimet e njerëzve nuk janë të gabuara. Pas pothuajse dy dekadash të integrimit evropian, performancat demokratike në të gjithë rajonin akoma nuk kanë marrë dinamikë pozitive. As miratimi i kushtetutave demokratike dhe as kushtëzimi rigoroz demokratik i BE-së nuk kanë arritur të tejkalojnë strukturat joformale të pushtetit dhe shtetit të robëruar dhe klientelizmin, por përkundrazi, i kanë konsoliduar ato. Ngritja e sundimtarëve të fortë ballkanikë ka prishur sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e mediave në këto vende, duke iu lejuar udhëheqësve autokratë të qeverisin në mënyrë të pakontrolluar.

Dalje

Politika me presion, ku qeveritë e korruptuara futen ngushtë mes publikut të pakënaqur dhe Këshillit pa kompromis, ka arritur kufirin e saj. Ndërsa vendet anëtare vazhdojnë të divergjohen në kontekstin funksional nga standardet e miratuara dhe procedurat e zgjerimit, kredibiliteti i BE-së në Ballkanin Perëndimor është në rënie. Pengesat e vazhdueshme në rrugën drejt BE-së mund t’i nxjerrë nga binarët edhe ata politikanë që janë të orientuar drejt reformave ose që udhëhiqen nga konsensusi. Që procesi të ecë përpara, Komisioni duhet të ndalojë së punuari me elitat politike rajonale që kanë kualifikime të dyshimta demokratike. Njerëzit në rajon mund të jenë të irrituar nga performanca e udhëheqësve të tyre, por nuk mund t’iu kërkojnë përgjegjësi për një proces të depolitizuar të integrimit evropian. Në vetvete, kjo është një goditje e rëndë mbi legjitimitetin dhe kapacitetin e sistemeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mbi të gjitha, nëse dikush aktualisht është “në sanduiç”, ajo është populli. Njerëzit janë mbërthyer midis dy angazhimeve të dobëta: njëra është zgjerimi i BE-së dhe tjetra është angazhimi i elitave të tyre politike për t’u reformuar.

Për Maqedoninë e Veriut, zbatimi i qasjes së re për zgjerimin e BE-së varet kryesisht nga aftësia e vendeve anëtare për të rënë dakord mbi kornizën negociuese. Kjo kujton nevojën e kahershme për të specifikuar më mirë ndarjen e punës midis Komisionit dhe shteteve-anëtare. Duke qenë se është e vështirë për shtetet-anëtare të arrijnë unanimitet për zgjerimin, Këshilli duhet përsëri ta rishikojë mundësinë e futjes së votimit me shumicë të kualifikuar, të paktën për fazat e ndërmjetme të procesit të anëtarësimit në BE. Kjo do t’u mundësonte shteteve-anëtare një rol të fortë politik, në përputhje me qëllimin e metodologjisë së re. Kjo gjithashtu do të duhej t’i parandalojë ata nga minimi i procesit, që është pikërisht ajo që aktualisht po minon fuqinë transformuese të politikës.

Në mënyrë që të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor në ballafaqimin me pandeminë, BE-ja duhet të sigurojë një mbështetje shumë më të madhe që shkon përtej Planit Ekonomik dhe të Investimeve i publikuar në tetor 2020. Për shembull, duhet të mendohet për hapjen graduale të Strukturave Evropiane dhe fondeve të investimeve (për të mbështetur projektet e infrastrukturës), zgjerimin e përdorimit të instrumenteve të BE-së për stabilitetin financiar, mundësimin e rajonit të marrë pjesë në politikën e përbashkët bujqësore, etj.

BE duhet gjithashtu të bashkëpunojë me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përtej kornizës së zgjerimit, në mënyrë që të formojnë së bashku të ardhmen e Evropës. Kjo do të ndihmojë në uljen e euroskepticizmit.

Më në fund, dështimi i BE-së për të luftuar amullinë ose regresin në reformat demokratike në rajon krijon perceptimin se ajo është e gatshme të zëvendësojë demokracinë me stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. BE ende po kërkon strategjinë e duhur për të transformuar vendet e Ballkanit Perëndimor në demokraci të qëndrueshme. BE gjithashtu ka nevojë për indikatorë që do të mund të verifikohen objektivisht për të matur progresin e tyre.

Duke zbatuar këto masa, BE do të tejkalojë sfidat me qasjen e saj aktuale kundrejt rajonit.

Share via
Copy link
Powered by Social Snap