PËRGJITHËSIMI – LOJA TË CILËN DËSHIRON KREMLINI TA LUAJË

Etiketimi i bullgarëve është saktësisht mënyra se si Kremlini dëshiron të zhvillohet kjo lojë. Përgjithësimet dhe akuzat ndaj popullit bullgar i mbulojnë qendrat e vërteta të pushtetit që janë nën ndikimin e Kremlinit dhe që duan të nxisin nacionalizëm, urrejtje dhe përçarje në të gjithë rajonin. Të gjithë ne duhet të përmbahemi ndaj sulmeve ndaj bullgarëve dhe tu lëmë hapësirë forcave progresive dhe demokratike për të gjetur zgjidhje dhe të mbizotërojnë. Duke pasur parasysh përvojat e mëparshme, kjo sigurisht që do të ndodhë.

Nuk mund të kuptohet kompleksiteti i kontekstit politik bullgar pa i marrë parasysh aktorët politikë të cilët janë aktualisht në skenë: Partia Socialiste Bullgare (BSP) e udhëhequr nga Kornelija Ninova, e djathta ekstreme VMRO-BND (Organizata e Brendshme Revolucionare e Maqedonisë – Lëvizja Nacionale Bullgare) dhe presidenti Krasimir Karaçkaçanov, partia ultranacionaliste ATAKA e udhëhequr nga Volen Siderov, Partia Volja e Veselin Mareshki dhe partia e qendrës së djathtë Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB) të udhëhequr nga Bojko Borisov. Secila prej këtyre partive ka shënuar në një masë më të madhe ose më të vogël 10 vitet e fundit të politikës bullgare.

Qëllimi i këtij artikulli është t’u pasqyrojë shkurtimisht qytetarëve të Maqedonisë së Veriut se çfarë po ndodh në skenën politike Bbllgare, cilat janë karakteristikat më të rëndësishme të funksionimit të secilës prej këtyre partive politike, e njëkohësisht të japë një pasqyrë të ndikimit rus në to.

Të gjitha partitë politike të përfaqësuara në këtë artikull kanë një qëndrim të qartë mbi zbatimin e Marrëveshjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe fillimin e negociatave për pranim në BE. Partitë që nuk e plotësuan pragun në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato që përfaqësojnë pakicat nuk janë subjekt i kësaj analize.

Shumica aktuale qeverisëse përbëhet nga GERB, e cila ka më së shumti mandate  (deputetë) – 95, ose 35% të votave, Patriotët e Bashkuar (VMRO-BND dhe ATAKA) të cilët fituan rreth 9% të votave dhe kanë 27 deputetë dhe Volja me vetëm 12 deputetë. Mazhoranca qeverisëse ka vetëm 134 nga 240 deputetët në Asamblenë Kombëtare. Kjo e bën situatën politike në Bullgari komplekse, pasi nuk mund të formohet mazhorancë pa partitë e vogla.

Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB)

E udhëhequr nga Bojko Borisov, GERB arriti të mbjellë shpresë në shoqërinë bullgare pas zhgënjimit të madh nga socialistët që qeverisën deri në vitin 2009. Partia u themelua nga Borisov në vitin 2006, një vit pasi u zgjodh kryebashkiak i Sofjes. GERB fitoi zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, këto të fundit me gati 40% të votave. GERB është partia më e madhe në Bullgari që nga viti 2009 dhe Borisov është një udhëheqës dhe kryeministër pro-evropian me vetëm disa ndërprerje të kryerjes së këtij funksioni. Borisov ka qenë subjekt i sulmeve të ndryshme në vitet e fundit, duke përfshirë akuzën e rreme se policia spanjolle filloi një hetim kundër tij për larje parash në Barcelonë. Për këtë rast, ai deklaroi si vijon: “Një vit më parë, fëmijët e oficerëve të GRU thanë të njëjtën gjë dhe unë mund të vë bast në një grusht rubla se këtë herë sulmi po vjen nga Lindja. Unë e di se kush e urdhëroi atë, unë e di se kush janë ekzekutorët dhe jam i vetëdijshëm për rolin e fqinjit tim të zyrës!”

Gjatë verës së këtij viti, protesta të përditshme kundër qeverisë u organizuan për një periudhë prej tre muajsh. Partitë nga i gjithë spektri politik morrën pjesë në protesta kundër qeverisjes së korruptuar dhe të keqe. Gjatë protestave, dolën foto që shihet Borisov duke fjetur, me para dhe armë rreth tij. Në brifing për gazetarë ai deklaroi: “Ne jemi viktima, jo junta, thjeshtë më tregoni kush tjetër ka fotografi të dhomës së tij të gjumit të cilat shpërndahen nëpër media në këtë vend“,  duke fajësuar presidentin Rumen Radev për këtë veprim.

Borisov ishte mjaft i moderuar dhe i qetë kur bëhej fjalë për çështjen e fillimit të bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut. Zëvendës Kryeministrja Ekaterina Zaharieva, e cila është gjithashtu Ministre e punëve të jashtme, ishte një nga transmetuesit më të zhurmshëm të “jo-së” të Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut, duke ndjekur gjurmët e Karakaçanov. Aktori i tretë më i shquar në mesazhet për këtë çështje ishte Andrej Kovatçev, eurodeputet i GERB (EPP).

Partia Socialiste Bullgare (BSP)

BSP është pasardhëse e Partisë Komuniste Bullgare dhe udhëhoqi vendin në periudhën post-komuniste. Ajo nuk i fshehu lidhjet e saj me Rusinë, pasi pothuajse të gjithë anëtarët e saj të shquar ishin arsimuar atje. Në mesin e viteve 1990, partia kundërshtoi hapur anëtarësimin në BE dhe NATO, për ta pranuar atë më pas si një “nxitës kryesor” në fund të viteve 1990 dhe fillimin e viteve 2000. Kreu i partisë është Kornelija Ninova, e cila u rizgjodh në shtator të këtij viti. Në verën e vitit 2016, gjatë vizitës së saj në Moskë, Ninova u takua me kryetarin e Dumës ruse, Sergej Narishkin, i cili është nën sanksionet e BE-së. BSP është e njohur gjithashtu për kritikat e politikave të BE dhe ishte kundër sanksioneve të BE kundrejt Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë. Pozicione të tilla nxisin mosbesim të qytetarëve të Bullgarisë në administratën evropiane dhe institucionet e saj dhe e kthejnë vendin përsëri pas në Rusi. Lidhur me zhvillimet e fundit, BSP ka deklaruar qartë se nuk ka kushte që konferenca ndërqeveritare të fillojë këtë vit, duke mbështetur kështu veton për fillimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut me BE.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, fitoi kandidati për president të Bullgarisë i mbështetur nga BSP Rumen Radev, i cili është ish pilot ushtarak. Gjatë dhe pas fushatës, ai ishte një nga avokatët më të zëshëm për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe për një dinamikë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve, pas një pauze 10-vjeçare. Për më tepër, Radev është një nga “mbrojtësit më të zellshëm të interesit kombëtar bullgar” kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut. Pozicionet e tij variojnë nga kërkesa për të nënshkruar aneks të “marrëveshjes së keqe” (nënshkruar në vitin 2017), në kërkesa për inkorporimin e një Kapitulli të ri 35 (2020) në kornizën e negociatave në të cilin do të vlerësohet zbatimi i marrëveshjes.

VMRO – BND

Krasimir Karakaçanov është udhëheqësi i kësaj partie dhe njëkohësisht Ministri i mbrojtjes. Ministria e tij shkaktoi polemikë, duke pasur parasysh të kaluarën e tij komuniste. Ai ishte politikani më i zëshëm në Bullgari për Marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut dhe në muajt e fundit ka kontribuar në ngritjen e kësaj çështje shumë lart në agjendën sociale në Bullgari. Siç është përshkruar nga media të ndryshme të shquara, qëndrimet pro-ruse të Karakaçanov variojnë nga kundërshtimi i sanksioneve të BE-së kundër Rusisë rreth aneksimit të Krimesë deri te të qenit “avokat i interesuar” për lidhjen e shumë marrëveshjeve të rëndësishme të biznesit rus në Bullgari. Si ministër i mbrojtjes, Karakaçanov është përgjegjës edhe për NATO, por parashtrohet pyetja se deri në çfarë mase e kaluara e tij komuniste ndikon në agjendën e tij politike. Vlen të përmendet fakti që VMRO-BND është një parti pro-ruse që është e nevojshme për të siguruar shumicën në pushtet.

Partia ATAKA

Raporti i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR) përshkruan partinë ATAKA në këtë mënyrë: “Partitë politike që janë më antia-perëndimorë janë parti të ekstremit të djathtë, parti ‘anti-sistemike‘ dhe madje edhe parti fashiste: partia ATAKA në Bullgari, Kotleba-Nasha Sllovaçka... Vlen të përmendet fakti se partia ATAKA dërgoi vëzhgues në “zgjedhjet” në Krime dhe Donbas në Ukrainë të realizuara nga forcat separatiste ruse. Partia drejtohet nga Volen Siderov, rusofil i njohur i cili nuk i fsheh qëndrimet e tij kundër BE-së dhe SHBA-ve. Në përgjithësi, qëndrimi anti-evropian dhe pro-rus i Siderov është i lidhur kryesisht me interesat e tij të biznesit. Qëndrimi i partisë për çështjen maqedonase është se Maqedonia e Veriut është një shtet artificial që i përket Bullgarisë.

Partia Volja

E udhëhequr nga Mareshki, i cili u dënua për haraç dhe zhvatje (aktualisht po bëhet procedura e ankimit), partia Volja është partia e fundit që kishte pjesë në shkëmbimin midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me rastin e konferencës së ardhshme ndërqeveritare. Mareshki, i njohur gjithashtu për propozimin e tij për të mbajtur një referendum për largimin nga NATO, paraqet edhe një pjesë tjetër të mozaikut (enigmës) së partive të djathta ekstreme të Bullgarisë të orientuara pro-Rusisë. Veselin Mareshki është nënkryetari i Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë. Ai ka propozuar gjithashtu “bashkimin e të dy vendeve” në “Bullgarinë e Madhe”, me kryeministër me rotacion.

Konkludime

Para se të përgjithsojmë, duhet të theksohen disa aspekte në lidhje me skenën politike në Bullgari. Sipas Institutit të shquar për hulumtime të politikës së jashtme, i cili i referohet nga ana tjetër një hulumtim i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR), në sistemin partiak të Bullgarisë gjendet partia politike më anti-perëndimore në Evropë – ATAKA, partia më e madhe më anti-perëndimore në Evropë (BSP), shoqëruar nga dy parti të tjera joparlamentare të renditura mes të parave në mesin e 30 partive anti-perëndimore në Evropë. Udhëheqësit të ATAKA, Siderov, iu dha medalja “Ylli i Atdheut” në Moskë. Kornelija Ninova, udhëheqësja e BSP, deklaroi se partia ishte “së pari kundër vendosjes dhe më pas kundër zgjerimit të sanksioneve kundër Rusisë”, ndërsa presidenti Rumen Radev shkoi aq larg sa të kërkonte që sanksionet e BE kundër Rusisë të “eliminoheshin”. Një deklaratë shumë e ngjashme u bë edhe nga Krasimir Karakaçanov nga VMRO-BND.

Prandaj, “jo” aktuale për Maqedoninë e Veriut nuk mund të trajtohet si një “jo” bullgare. Duke pasur parasysh të gjitha ato që janë thënë dhe analizuar sipër në tekst, ky është një qëndrim që rezulton nga qendrat më të larta të pushtetit dhe padyshim që ndikohet fuqimisht nga Rusia.

Në momente të këtilla si ky, duhet të shmanget përgjithësimi i Bullgarisë dhe bullgarëve, duke iu lënë kështu hapësirë ​​forcave progresive dhe demokratike për të gjetur një zgjidhje dhe për të mbizotëruar.

Duke i pasur parasysh mësimet e së kaluarës, Bashkimi Evropian dhe Perëndimi, si gjithmonë, do të gjejnë një mënyrë për të mbrojtur vlerat e tyre dhe për ta rikthyer procesin në rrugën e duhur.

Share via
Copy link
Powered by Social Snap