Si prind, një nga pyetjet më të rëndësishme që më ka preokupuar gjatë kësaj periudhe është se në çfarë shoqërie do të jetojnë fëmijët tanë nesër? Me siguri një pjesë e përgjigjes së kësaj pyetjeje është e përmbajtur në arsimin që ua ofrojmë sot.

Arsimi ka rolin kryesor në ndërtimin e së ardhmes dhe e pasqyron atë që ne duam ta përgatisim për gjeneratat e ardhshme. Çfarë edukimi kemi sot – të ardhme të tillë do të kemi nesër.

Fëmijët dhe të rinjtë sot jetojnë në një botë shumë më të ndryshme nga gjeneratat e mëparshme. Sot ata përbëjnë një nga segmentet më të mëdha të popullsisë, ata janë më të arsimuar, më inovues dhe më të lidhur në mënyrë digjitale se kurrë më parë.

Sipas të dhënave aktualisht në botë jetojnë rreth 1.9 miliardë fëmijë nën moshën 15 vjeçare dhe 1.8 miliardë të rinj nga mosha 10 deri 24 vjeçare, të cilët përfaqësojnë 25% të popullsisë së përgjithshme dhe 87% të kësaj popullsie jetojnë në vendet në zhvillim (UNFPA, 2014) (UNDESA, 2017). Në disa rajone të botës pothuajse 20% e popullsisë së përgjithshme janë të rinj[1]. Kjo është përqindja më e madhe e të rinjve të cilët kanë jetuar ndonjëherë në planetin tonë dhe parashikohet të rritet gjatë viteve të ardhshme. Ky në vetvete është potencial i madh. Të rinjtë patjetër duhet dhe të jenë agjentë aktivë të ndryshimit.

Mungesa e konstatuar e mbrojtjes sociale, arsimimit dhe aftësive i bën të rinjtë veçanërisht të pambrojtur.

Në rrethana të tilla ekzistenca dhe shpërndarja e lajmeve të rreme mund të ketë pasoja serioze ndaj tyre. Edhe pse që nga kohërat antike propaganduesit kanë kërkuar mënyra të ndryshme për të manipuluar të vërtetën, në epokën e Internetit të kombinuar me nivel të ulët të leximit të mediave te të rinjtë, pasojat mund të jenë të mëdha.

Në disa vende evropiane rreziku i lajmeve të rreme është ngritur në nivelin më të lartë politik dhe ndërmerren masa serioze për ta luftuar atë. Në të njëjtën kohë institucione të ndryshme shtetërore, qeveritë, por veçanërisht universitetet planifikojnë dhe zbatojnë ndërhyrje të përshtatshme në luftën kundër lajmeve të rreme. Këto ndërhyrje janë në përputhje me Konventën e KB për të Drejtat e Fëmijëve, dhe udhëhiqen nga parimet e mosdiskriminimit, përkushtimit për interesa më të mira të fëmijës, e drejta për jetë, mbijetesë dhe zhvillim dhe respektim të qëndrimeve të fëmijës.

Sistemet arsimore duhet t’i përgatisin të rinjtë për t’u bërë individë aktivë, të angazhuar dhe të përgjegjshëm. Pa këtë, shoqëritë komplekse, multikulturore që zhvillohen me shpejtësi të madhe, nuk do të mund të mbijetojnë.

Me shfaqjen dhe zhvillimin e kompjuterizimit kuantik dhe inteligjencës artificiale, është edhe më e rëndësishme që fëmijët të fitojnë vlera, qëndrime, shkathtësi, njohuri dhe mirëkuptim kritik që do t’i lejojnë të marrin vendime të përgjegjshme për të ardhmen e tyre.

Një nga detyrat themelore të sistemeve arsimore është që përmes shkollave dhe universiteteve të rinjtë t’i përgatitin për qytetarinë demokratike. Kjo nënkupton se nxënësit duhet t’i dinë dhe t’i kuptojnë sfidat me të cilat përballen, të jenë të vetëdijshëm për pasojat e vendimeve të tyre, të dinë se çfarë mund të bëjnë dhe nga se të përmbahen. Për të qenë të aftë për të gjitha këto, nuk është e mjaftueshme të kenë vetëm dituri, por duhen të kenë edhe kompetenca adekuate.

Institucionet arsimore luajnë rol të rëndësishëm në këtë proces. Shumica e fëmijëve takimin e tyre të para me shoqërinë e realizojnë në shkolla. Shkollat ​​duhet të jenë vendet ku fillon arsimi demokratik. Mendimi kritik forcohet duke inkurajuar nxënësit të përfshihen me aspekte të ndryshme të një teme të caktuar dhe me interpretime të ndryshme të mundshme të temës.

Të jesh qytetar sot në epokën e hiper-koneksionit, do të thotë të ekspozohesh vazhdimisht në sasi të konsiderueshme informacionesh, të drejtuara dhe të përshtatura për ne përmes pajisjeve tona personale. Në të njëjtën kohë, vetë ne jemi burimi i të dhënave dhe informacioneve që kontribuojnë për dizajnimin dhe qeverisjen e kësaj jetese digjitale.

Të rinjtë janë të bombarduar me informacione nga burime të ndryshme, duke filluar nga arsimtarët, anëtarët e familjes, miqtë, reklamat, programet TV dhe Interneti. Këto informacione mund të kenë shkallë të ndryshme të saktësisë, objektivitetit dhe kredibilitetit etik, por njëkohësisht mund të jenë krejtësisht të pasakta dhe tendencioze.

Futja e përmbajtjeve shtesë në mësimdhënie në programet ekzistuese mësimore si një nga mundësitë për të luftuar me lajmet e rreme, përfaqëson sfidë me të cilën përballen shumë qeveri dhe institucione arsimore në të gjithë botën. Ky mund të jetë një proces i gjatë dhe i mundimshëm.

Lufta me lajme të rreme nuk mund të presë, prandaj duhet dhe mundet të merren masa të duhura menjëherë. Për shembull, menjëherë mundet të forcohen aftësitë e arsimtarëve, pastaj të iniciohen fushata për të rritur vetëdijen për ekzistencë dhe pasojat e lajmeve të rreme.

Por çelësi kryesor kur bëhet fjalë për ballafaqim me lajme të rreme janë kompetencat digjitale që duhet t’i posedojnë të rinjtë. Ato po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të kualifikuar të rinjtë në drejtim të ngritjes së vetëdijes dhe qasjes kritike ndaj përmbajtjeve të marra përmes Internetit. Masa më e rëndësishme kundër përhapjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme është nxitja e të menduarit kritik të kombinuar me kompetenca dhe njohuri nga njëra anë, vlera dhe qëndrime nga ana tjetër.

Menjëherë duhet të gjenden metoda mësimore efektive për integrim të këtyre kompetencave në aktivitete të ndryshme në klasë, të përshtatshme për të gjitha lëndët. Këto qasje mësimore do të ndihmojnë në nxitjen e aftësive digjitale të nxënësve, të cilat do të mundësojnë që të fillojnë të mendojnë në mënyrë kritike dhe me këtë të identifikojnë qëllimin e dezinformimit, të kuptojnë informacionin digjital dhe të menaxhojnë me atë.

Dhe po, lufta kundër lajmeve të rreme duhet të udhëhiqet edhe përmes arsimit edhe atë në të gjitha nivelet në të njëjtën kohë.

 

Luan Imeri

 

[1] UNDESA (2016), The Sustainable Development Goals Report 2016; UNFPA (2014), The State of World Population 2014: The power of 1.8 billion adolescents, youth and the transformation of the futur

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2023 F2N2.