Clickbiat industria në Maqedoninë e Veriut po përparon përmes kompanive që prodhojnë një numër të madh artikujsh të stilit tabloid përmes internetit për të fituar para nga ‘reklamat e Google’, duke u përqëndruar në sensacionalizmin e koronavirusit dhe kandidimin e përsëritur të Donald Trump.

Elena ka ëndërruar që një ditë ajo do të drejtojë agjensinë e saj të marketingut.

Ajo është në fushën e marketingut pesë vite dhe punon në një nga dhjetë agjencitë më të mëdha të marketingut në Maqedoninë e Veriut, me seli në kryeqytetin e Shkupit. Ajo filloi si menaxhere, duke punuar me klientë të vegjël.

Elena, e cila e përshkruan veten si energjike dhe ambicioze, ka bërë përparim të shpejtë që nga anëtarësimi në agjenci dhe është caktuar në një ekip që punon me klientë më të mëdhenj. Ajo ka marrë më shumë përgjegjësi, ka ndjekur kurse dhe ka marrë pjesë në ligjerata dhe konferenca në të gjithë Evropën për të fituar më shumë aftësi për të kaluar një ditë në anën kreative të biznesit.

Por, atëherë pandemia KOVID-19 i ka ulur të ardhurat e ndërmarrjes dhe e shndërroi punën e saj në diçka krejt tjetër. Që nga maji i këtij viti, ajo është caktuar që të përkthejë storje media angleze dhe serbe në gjuhën maqedonase dhe nga serbishtja në anglisht, duke përshtatur përmbajtjen për të krijuar artikuj të shkurtër, senzacional me tituj që menjëherë do të tërheqin vëmendjen e lexuesit – clickbait.

“Një kohë ëndërroja se do të krijoja fushatë për [dizajnerin amerikan të modës] Mark Jacobs, tani thjesht përkthej artikuj nga agimi në muzg”, tha Elena. “Shefja ime thotë se është e njëjta gjë, thjesht po shkruan përmbajtje – por a është e vërtetë?”

Artikujt e krijuar në agjencinë e marketingut ku punon Elena përfundojnë duke u publikuar në web-faqe të ndryshme në mënyrë që të gjenerojnë të ardhura nga ‘reklamat e Google’, si dhe të publikohen në një sërë grupesh në ‘Facebook’ për të gjeneruar klikime. BIRN nuk e emëron kompaninë për të mbrojtur anonimitetin e Elenës, që nuk është emri i saj i vërtetë.

Elena ia tregoi BIRN email-et e saj korporative dhe private, të cilat datojnë nga 21 maj deri më 2 tetor.

“Shikoni vetëm një ditë në zyrë. Shpërlarje totale e trurit me marrëzira”, tha ajo ndërsa tregoi qindra porosi elektronike dërguar 18 punonjësve që kanë mbijetuar shkurtimet e të punësuarve në korrik dhe tani u është dhënë të punojnë në krijimin e clickbait përmbajtjeve, që ata e quajnë “rroba të ndyra”.

Kur u pyet për të shpjeguar pse e quajnë ashtu, Elena u përgjigj ashpër: “Si profesioniste, mendoj se nuk ka etikë në atë që bëjmë. Pa sfidë profesionale, as emocion. Vetëm dëshpërimisht kam nevojë për punë”, tha ajo.

“Si feministe dhe biseksuale, nuk ndjehem mirë të krijoj clickbait tekste për tekste të tipit “Nuk e keni idenë se çfarë i bëri të dashurit kur zbuloi se ai ishte homoseksual. Tani ai po paguan çmimin para Zotit”, shpjegoi ajo.

Ajo tha se stafi i agjencisë ishte i tronditur që drejtori i kompanisë ishte i gatshëm të përfshihej në publikimin e clickbait teksteve. Asnjëherë nuk iu është treguar identiteti i klientit ose klientëve që kanë paguar për storjet që i kanë prodhuar, ndërsa lidhja e saktë midis agjencisë dhe web-faqeve që i publikojnë tekstet është e paqartë.

Sipas Elenës, drejtori thjesht u ka thënë atyre: “Tani për tani, do të duhet të përshtatemi. Kjo është ajo që na sjell para, unë nuk e kam shpikur, por ka njerëz me biznes të madh që punojnë ekskluzivisht me reklama të Google. Ky është një realitet tani”.

Qysh në vitin 2016, media botërore kanë publikuar se më shumë se 100 web-faqe janë krijuar në Maqedoninë e Veriut me qëllim që të synojnë  lexuesit e SHBA përpara zgjedhjeve presidenciale të atij viti, shumica e të cilave kanë krijuar lajme të rreme në mënyrë që të rrisnin mbështetjen për kandidaturën e Donald Trump. Është shprehur admirim për mënyrën se si të rinjtë maqedonas, mijëra kilometra larg SHBA, fitojnë para nga lajmet e rreme në lidhje me zgjedhjet e SHBA.

Katër vite më vonë, disa clickbait faqe me seli në Maqedoninë e Veriut ende prodhojnë storje pro-Trump. Por, tani po i bashkangjiten sipërmarrës dhe kompani pa një agjendë politike, duke shikuar mundësi për të fituar para të lehta me prodhim masiv të përmbajtjeve senzacionale për zgjedhjet në SHBA dhe KOVID-19, duke gjeneruar të ardhura nga Google Ads.

BIRN ka biseduar me katër agjenci marketingu në Maqedoninë e Veriut që tani janë përfshirë në krijimin e clickbait përmbajtjeve për klientë ndërkombëtarë; dy prej tyre gjithashtu krijojnë artikuj për web-faqe të vendit. Për shkak se biznesi i reklamimit dhe marketingut në vend është goditur rëndë nga pandemia, ata e shohin këtë si një nga mënyrat e vetme për të mbetur të punësuar.

 

Zgjedhjet e SHBA e ndryshojnë agjendën

Rreth 60 përqind e përmbajtjes së krijuar nga agjencia ku punon Elena ka qenë clickbait material për KOVID-19 – storje emocionale të të mbijetuarve, deklarata prekëse nga mjekët e spitaleve, çfarë kanë deklaruar udhëheqësit botërorë në mediat sociale, çfarl bëjnë ose nuk bëjnë të famshmit për të mbrojtur veten nga koronavirusi, plus teori konspirative dhe artikuj rreth personave të famshëm që mendojnë se KOVID-19 nuk ekziston. Temat e tjera kanë përfshirë politikën, shëndetin dhe bukurinë.

Storjet, kryesisht të përkthyera nga web-faqet e tabloideve serbe ose kroate, janë prezantuar në përgjithësi me tituj të gabuar të shkruara me shkronja të mëdha: “Kjo është ajo që dëshiron klienti, thotë shefi ynë”, shpjegoi Elena.

Më 6 shtator, një email nga drejtori vendosi një prioritet të ri për stafin e agjencisë: prodhim masiv të clickbait artikujve për Donald Trump.

“Djema, siç e dini, po afrohen zgjedhjet në SHBA. Ne kemi ndjekur trendet dhe kemi rritur reklamat tona në Google Ads. Kjo është ajo që të gjithë po lexojnë tani. Trump, Trump, Trump, vetëm ndiqni atë dhe politikën e brendshme të SHBA”, thuhej në email.

Më 6 tetor, një email tjetër nga drejtori më 2 tetor: “Ju lutemi vëzhgoni edhe Twitterin e Donald Trump. Sidomos tani që ai ka KOVID-19. Klienti dëshiron tituj të përshtatur nga videot që ai i shpërndan. Mundohuni të merrni tweet-e që janë më të çmendura ose ato në të cilat ai tallet me liberalët, pra kundërshtarët e tij”, thuhet në email.

Elena theksoi se klientët nuk kishin qenë të interesuar të kishin çfarëdolloj storje për Trump, por kanë preferuar përmbajtje pozitive. Ajo dhe bashkëpunëtorët e saj u njohën me të paktën 20 grupe në Facebook me emra si Trump për SHBA ose Konservatorët për Trump, që do të përdoreshin si burime të përmbajtjes.

U ishte thënë se mund të përdornin gjithçka si material burimor për clickbait artikuj, madje edhe meme. Atyre iu kërkua të dërgonin “të paktën 30 artikuj në ditë”, tha ajo.

Elena tha se ka parë të paktën pesë tituj që ajo i ka krijuar personalisht, të cilat i kanë shpërndarë qindra media të tjera. Ajo tha se mendon se i gjithë fenomeni i clickbait është shqetësues.

“Si lexuese, nuk do të doja që mediat dhe gazetarët të punojnë kështu”, tha ajo. “Si person i marketingut, kurrë nuk kam ëndërruar që do ta bëja këtë. Si qytetare, sinqerisht, mendoj se ky është një trend i rrezikshëm. Kjo po bëhet një industri e madhe”.

 

Lidhja midis Trump dhe maqedonasve

Ndër sugjerimet që Elena dhe kolegët e saj morën për burimet e përmbajtjes ishte web-faqja e quajtur TiLT News, sllogani i së cilës është “Konservatorizmi i pafiltruar”. Shefi i saj e ka përshkruar atë si “burim i shkëlqyeshëm, sipas klientit, një koleksion i tweet-eve dhe postimeve më të rëndësishme në Facebook nga Presidenti i SHBA Donald Trump”.

Disa tituj të TiLT News gjithashtu janë transmetuar deri te lexuesit e faqeve të njohura amerikane djathtiste dhe pro-Trump si Breitbart News.

Përpjekjet e BIRN për të zbuluar se kush qëndron pas TiLT News i ka kthyer sërish ata te web-faqet famëkeqe që kanë operuar nga qytetet e Velesit dhe Kumanovës gjatë zgjedhjeve presidenciale të SHBA në vitin 2016, në mënyrë që të ndikojnë në rezultatin duke drejtuar lexuesit amerikanë me lajme pozitive për Trump dhe sulmet ndaj kundërkandidatit të tij Hillary Clinton.

Më shumë se 100 web-faqe me emra si DonaldTrumpNews.co dhe USADailyPolitics.com u lansuan nga një avokat nga Maqedonia e Veriut, i cili ka punuar me partnerë konservatorë të SHBA.

Nuk ka të dhëna mbi pronarin e TiLT News në këtë faqe për shkak të mbrojtjes së anonimitetit, gjë që mund të blihet për 15 dollarë në vit nga regjistruesi i internet domenit dhe kompania për web-hosting GoDaddy. Sidoqoftë, BIRN zbuloi se e-mail adresa që është përdorur për të regjistruar TiLT News, [email protected], ishte përdorur gjithashtu për të regjistruar disa nga clickbait web-faqet konservatore në Maqedoninë e Veriut, pro- Trump, të cilat kanë operuar në vitin 2016.

Një nga të përfshirët ka qenë Aleksandar Filipovski, i cili në vitin 2016 punoi në prodhimin e përmbajtjes pro-Trump në emër të lobit konservator amerikan.

Lidhjet për web-faqet të Filipovskit që janë regjistruar në vitin 2015 dhe 2016 që atëherë janë hequr nga Facebook dhe Twitter. Por rrjeti i tij i profileve të rreme në Facebook ende ekziston, duke përdorur fotografi nga PhotoShopped që është e vështirë të identifikohen si falsifikime të ndryshuara.

Këto profile të rreme shpërndajnë artikuj të TiLT News në qindra faqe në Facebook të grupeve konservatore të SHBA-së, si dhe grupeve të veteranëve të luftës dhe grupeve të tjera pro-Trump.

 

Si funksionon biznesi me clickbait

Për të shpjeguar modelin e biznesit të clickbait, BIRN pyeti Aleksandar Velkovskit, një nëpunës banke 28-vjeçar nga Shkupi, i cili fiton para duke drejtuar pesë faqe të ndryshme në internet, tre në anglisht dhe dy në gjuhën maqedonase.

Velkovski tha që pas krijimit të web-faqeve të tyre dhe pagesës së tarifës për ta mbajtur pronësinë e tyre anonime, sipërmarrësit me clickbait duhet të kenë më shumë se 30 profile të rreme në Facebook që mund t’i përdorin për të promovuar artikujt e tyre.

“Pastaj [renditni profilet e rreme] t’i bashkoheni sa më shumë grupeve në Facebook sepse nuk jeni një brend i vërtetë lajmesh, askush nuk ju njeh dhe ju duhen vetëm klikime që Google Ads të punojë për ju,” tha ai.

Profilet e rreme pastaj I postojnë clickbait artikujt në grupe në Facebook. “Nga një grup prej 150.000 anëtarësh, të paktën 30 përqind do të klikojnë [në vegëzën për klikim]. Nëse tema është aktualisht “e nxehtë”, siç janë zgjedhjet në SHBA ose KOVID, mund të fitoni 100 deri 300 dollarë amerikanë nga një artikull nga Google Ads, vazhdoi ai.

Velkovski nuk prodhon vetë përmbajtje, por e porosit atë nga furnitorë të ndryshëm.

“Unë mund të paguaj një krijues të përmbajtjes për lajme angleze 1.000 dollarë në muaj, ndërsa përveç kësaj kam edhe dy persona nga Shkupi të cilët i paguaj nga 400 euro, ndërsa mbesin edhe para për mua. Nuk mund t’ju tregoj saktësisht se sa, por diçka dyfish më shumë se kostoja”.

Rosana Aleksovska, drejtoresha e F2N2, shërbim për verifikim të fakteve, që gjithashtu heton narracionet dezinformative, thotë se clickbait sipërmarrësit tani jo vetëm që promovojnë faqet e tyre duke përdorur rrjete të llogarive të rreme në Facebook dhe Twitter, por tani janë gjithnjë e më shumë në Instagram dhe Telegram. “Sa më të mëdha janë platformat tuaja të mediave sociale, aq më të mëdha janë fitimet tuaja,” tha ajo.

Kur bëhet fjalë për fushata dezinformative, Aleksovska sugjeroi që “shumica e këtij lloji të përmbajtjes ka të bëjë me politika dhe opinione konservatore dhe të së djathtës ekstreme”. Disa faqe drejtohen ideologjikisht, disa kanë lidhje të paqarta me Rusinë. Por faqet e tjera nuk shqetësohen për politikën e përmbajtjes së tyre, ajo theksoi: “Këtu bëhet fjalë për para, kjo me të vërtetë është bërë një biznes”.

Këshilli për etikë në media në Maqedoninë e Veriut, organ i pavarur, po përpiqet t’i zgjidh çështjet e dezinformatave dhe propagandës politike në media dhe angazhohet për transparencë në pronësinë e mediave. Ata mbajnë një regjistër për transparencën e mediave, ku shënohet pronësia e medias, megjithëse zbulimi nuk është i patjetërsueshëm me ligj.

Këshilli thotë se ndonjëherë merr më shumë se 100 ankesa nga publiku çdo muaj.

“Shumica e rasteve që kemi ka të bëjë me shkelje të Nenit 1 të Kodit të Gazetarëve, i cili ka të bëjë me publikimin e informacioneve të sakta dhe të verifikuara, ndërsa në 39 përqind të rasteve të raportuara ky është një problem, ndërsa shkeljet e Nenit 8 të Kodit të Gazetarëve, që i referohet informacioneve sensacionale, është gjetur në 35 përqind të rasteve të raportuara,” shpjegoi Katarina Sinadinovska, presidente e këshillit.

“Lajmet e rreme” dhe storjet senzacionale janë një shqetësim i vërtetë për publikun, Sinadinovska tha: “Kemi një det informacionesh të paverifikuara, të mbushura me sensacionalizëm dhe nuk jemi të sigurt se kush i bën më shumë lajmet”, theksoi ajo.

 

Clickbait gazetaria si një opsion për karrierë

Lila Karjlieva, një gazetare e re maqedonase, deri vonë ka punuar për një web-faqe në kryeqytetin e Shkupit, që publikon clickbait artikuj. Kur u intervistua, ajo nuk e priste që puna e saj e parë në gazetari do të ishte më e madhja në Maqedoninë e Veriut, por ajo që i tha punëdhënësi i saj i ardhshëm e befasoi atë.

“Ju jeni të rinjë dhe keni shumë kohë për gazetari të vërtetë; kjo është krijim i përmbajtjes, një lloj tjetër gazetarie “- kjo është ajo që më tha Filip kur e pyeta pse punojmë nga shtëpia. E dini, prisja një redaksi të vërtetë”, kujton Karjlieva. “Po ndiqja atë web-faqe për rreth katër vite dhe mendoja se aty punonin reporterë të vërtetë”.

Tre pronarët e faqes kanë punë të përditshme: njëri drejton biznesin e tij duke shitur salçiçe në qendrën më të famshme tregtare të Shkupit, tjetri ëstë pronar i një kompanie të vogël ndërtimi dhe i treti është një nëpunës publik, duke udhëhequr mediat sociale për drejtorin e ndërmarrjes shtetërore për furnizim me ujë në Shkup.

Ata gjithashtu drejtojnë dy web-faqe të tjera që synojnë të ndezin sa më shumë përmbajtje të jetë e mundur, sepse sa më shumë artikuj që publikojnë, aq më shumë të ardhura potenciale fitojnë nga Google Ads.

“Na u dhanë burime, kryesisht tabloide serbe si KurirInformer, Blic dhe të tjerë, ndërsa puna jonë ishte t’i bënim artikujt të dukeshin ndryshe nga sa ishin [në web-faqet e gazetës] dhe t’i jepnim atyre clickbait tituj”, theksoi Karjlieva. “Kishim një kuotë, rreth 50 artikuj në tetë orë, por ishte shumë e lehtë”.

Në mjedisin aktual mediatik në Maqedoninë e Veriut, është pothuajse e pamundur të gjesh vend pune “të vërtetë”, ndërsa prodhimi i clickbait përmbajtjeve është një nga opsionet e pakta për gazetarët e rinj, shpjegoi ajo.

“Nëse jeni duke kërkuar punë në media, një person i ri si un ka më shumë gjasa të zgjedhë të punojë për një web-faqe si kjo për gjashtë orë në ditë dhe një honorar prej 450 deri në 500 euro. Punë nga shtëpia dhe thjesht të mos bësh asgjë përveç të kopjosh dhe të përshtatësh tekstin”, tha ajo.

“Alternativa është të gjenden vende pune që nuk janë vërtet të disponueshme në mediat reale si stacionet televizive ose OJQ-të. Thashë me vete: ‘Pse jo?’ Dhe këto ditë mund të them se shumë nga bashkëmoshatarët e mi nuk mendojnë se kjo është e gabuar, ata duan të jenë si pronarët e mi”.

Ajo tha se e ka parë se sa lehtë mund të fitohen para nga faqet clickbait: “Nëse do të isha ambicioza për këtë, betohem që për dy vjet nga tani do të mund të punoja me 15 web-faqe të këtilla, të punësoja pesë persona dhe të fitoja sa çdo kryeredaktor i famshëm, i lidhur politikisht me Ballkanin”, deklaroi ajo.

Tashmë është e vështirë të tërheqësh të rinj për të punuar në media në Maqedoninë e Veriut, sepse është një mjedis i rrethuar politikisht, ndërsa ngritja e clickbait industrisë mund të përkeqësojë problemin, thonë ekspertët.

Maja Jovanovska, anëtare e Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, e cila punon në çështjen e mungesës së reporterëve të rinj në mediat në vend, tha se ka më shumë se 100 web-faqe që punojnë sipas modelit “clickbait” – udhëhequr thjesht nga algoritmet e ‘Google reklamave’, pa etikë editoriale ose standarde.

“Aksesi i njerëzve në informacione të vërteta është i kufizuar”, tha Jovanovska. “Kështu ndikojmë në jetën e njerëzve, duke u dhënë atyre informacione me cilësi të dobët”.

 

Teoritë e konspiracionit po bëhen fitimprurëse

Karaceva u largua nga web-faqja dy muaj më parë, jo shumë kohë pasi pronarët njoftuan një ndryshim editorial në politikat dhe lajmet që lidhen me koronavirusin.

“Ata na dhanë një listë burimesh, kryesisht burime shumë të dyshimta, nga Rusia dhe Serbia, si dhe nga SHBA-të dhe Kroacia”, kujton ajo.

“U përfshinë edhe lajmet e vendit, na thanë që duhet të bënim lajme jo vetëm për çdo koment që Ministri i Shëndetësisë bën në TV drejtpërdrejt ose në Twitter ose Facebook ose në shtyp, por edhe nga komentet e bëra në lidhje me të. Kjo tërheq lexuesit, tha administrata”.

Ajo ia tregoi BIRN disa prej artikujve që web-faqja kishte publikuar kohët e fundit – disa prej tyre i lavdërojnë KOVID-19 politikat qeveritare, të tjerët i dënojnë ato, disa mbrojnë idenë e mbrojtjes së tyre nga virusi, të tjerët mbështesin teori konspirative.

Në të vërtetë, teoritë e konspiracionit janë bërë përmbajtje fitimprurëse në internet në epokën e koronavirusit.

Vasko, Meglen dhe Vera janë studentë 21-vjeçarë nga Shkupi dhe puna e tyre është të përkthejnë teori konspirative nga YouTube ose video platforma të tjera. BIRN nuk e emëroi kompaninë për të mbrojtur anonimitetin e tyre.

Në kompaninë ku ata punojnë, të punësuarit janë të ndarë në dy ekipe: njëri ekip bën transkriptime të videos konspirative nga YouTube, ndërsa ekipi i dytë merr ide për lajme nga videot dhe shkruan artikuj të shkurtër ose postime në rrjetet sociale që promovojnë teori konspirative.

“Storjet janë [për]”shtetin e thellë”- anti-liberal, anti-qeveritar pa marrë parasysh se ku, anti-organizata joqeveritare, anti-institucione ndërkombëtare si FMN, KB, BE, NATO dhe, së fundmi, kryesisht konspiracione KOVID – nuk- ekziston”, shpjegoi Vasko.

Ai tha se ka gjetur punën katër vite më parë përmes shpalljeve në LinkedIn dhe Freelancer.com ku janë kërkuar krijues të përmbajtjeve. Ai dhe disa nga miqtë e tij, kryesisht studentë, kanë aplikuar.

“Unë mund të fitoj deri në 1.500 dollarë për asgjë, pa përfshirë trurin. Por unë studioj filozofi dhe ka një skemë në atë që përkthejmë. Ne nuk e dimë për çfarë e bën kompania këtë, por gjatë KOVID-19 krizës vura re disa nga titujt që unë personalisht i krijova në disa media të këqija në gjuhën angleze”, tha ai.

Kompania është e regjistruar jashtë Maqedonisë së Veriut dhe krijon clickbait përmbajtje me porosi, kryesisht për klientë liberalë të djathtë.

“Na vjen keq për këtë”, tha ai, “por ne e bëjmë këtë për para”.

Sashka Cvetkovska është reportere investigative dhe aktiviste për lirinë e mediave. Ajo është bashkëthemeluese e Laboratorit për Gazetari Hulumtuese – Maqedoni, anëtare e OCCRP, e cila lufton dezinformatat me raportim hulumtues duke përdorur qasje ndërdisiplinore, duke përfshirë teknologjinë dhe hulumtimin akademik. Ajo shërben në Bordin drejtures të projektit për raportimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo ishte reporterja kryesore për projektin hulumtues Spooks and Spin – Informacione mbi luftërat ballkanike, për atë se si Maqedonia u bë një parajsë për propagandë. Sashka ka fituar më shumë se dhjetë çmime vendase dhe ndërkombëtare për gazetari. Në vitin 2018, ajo u zgjodh nga gazetarët maqedonas për t’i përfaqësuar ato në bordin e drejtorëve të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, një organizatë që punon për të përmirësuar kushtet e punës së reporterëve në vend.

Ky artikull është pjesë e Nismës së Zërave Rezonantë në BE, e financuar nga Fondi i Sigurisë së Brendshme të Bashkimit Evropian – Policia. Përmbajtja e kësaj storje është përgjegjësi vetëm e BIRN. Komisioni Evropian nuk pranon asnjë përgjegjësi për përdorimin që mund të bëhet nga informacionet që përbahen në të.

Shkarkuar nga BalkanInsight

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.