Portalet Infomax.mk dhe Express.mk më 12.12.2020 publikuan tekst me titull: Koloneli Kovaçki zbulon një skandal në “Mbrojtjen” e Shekerinskës. Në tekst transmetohet statusi i publikuar në Facebook dhe Twitter nga Dragan Kovaçki. Në statusin e tij, Kovaçki riciklon çështjen e makinave Grejder që Ministria e Mbrojtjes i ka prokuruar për nevojat e armatës në vitin 2019. Statusi i tij paraqitet si zbulim i një skandali.

Për arsye të njohura vetëm për të, Kovaçki riciklon këtë lajm, të cilin më parë në opinion e plasoi anëtari i partisë së tij Aleksandar Nikollovski si mysafir në emisionin Top Tema (01:05:00) në 19 shkurt të vitit 2020. Ditën tjetër, më 20 shkurt 2020, VMRO-DPMNE mbajti edhe konferencë për shtyp në të cilën ata akuzuan Ministren Shekerinska, ndërsa pas konferencës për shtyp, mediat u vërshuan me tituj në lidhje me përvetësimin e 250.000 eurove nga Shekerinska. Pretendimet për përvetësim, si Nikollovski ashtu edhe Kovaçki, i bazojnë në diferencën në çmimin e shitjes të së njëjtës makinë të blerë për nevojat e armatës dhe nevojat e një institucioni serb.

Diferenca në çmimin e shitjes është për shkak të specifikimeve të ndryshme të makinave të prokuruara nga Armata e RMV dhe institucionit serb. Më 21 shkurt 2020, drejtori i ndërmarrjes serbe “Korkovado” nga ku u prokuruan makinat, Dejan Stanojkoviç, doli me një reagim në të cilin shpjegoi në detaje diferencën midis makinave. Në reagimin e tij, ndër të tjera, Stojanoviç thekson si vijon:

“Kushdo me pak njohuri teknike do t’i kuptojë këto pretendime dhe do të kuptojë se makinat nuk janë aspak të njëjta. Përkundrazi, ekziston një ndryshim i madh, por për njerëzit injorantë dhe të këqinjë nuk do të thotë asgjë. Blerësi bleu një makinë shumë më të thjeshtë për shkak të fondeve të kufizuara. Duhet të përmend që ju keni pasur një prokurim publik në të cilin mund të aplikonin të gjithë shitësit e grejdër. Kishte gjithashtu ankand elektronik në të cilin morën pjesë tre kompani. Pse nuk i kanë ulur çmimet nëse grejderat e mi janë të shtrenjta. Theksoj që të tjerët kishin çmime shumë më të larta dhe se çmimi me të cilin keni blerë grejderat është jashtëzakonisht i mirë, sepse nëse kompania ime nuk do të kishte qenë në atë tender, ju do të kishit paguar shumë më shumë për të njëjtat makina.”

Edhe përkundër demantit nga kompania “Korkovado”, si dhe faktit që çmimi i makinerive ishte real dhe se të gjitha dispozitat ligjore ishin respektuar gjatë procedurës së prokurimit publik, demanti nuk u publikua nga pothuajse të gjitha mediat që shpallën në mënyrë bombastike “skandalin”.

Sipas kësaj, bëhet fjalë për një teknikë tjetër të dezinformimit përmes riciklimit të dezinformatave të vjetra, të cilat kësaj radhe kanë për qëllim të dëmtojnë reputacionin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2023 F2N2.