Hetimi i përbashkët ndërmjet Bellingcat dhe Insider, në bashkëpunim me Der Spiegel dhe CNN, ka zbuluar të dhëna të gjera telekomunikuese dhe udhëtime që tregojnë përfshirjen e Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB) në helmimin e politikanit të shquar të opozitës ruse Aleksej Navalni.

Helmimi në gusht të vitit 2020 në qytetin siberian Tomsk duket se ka ndodhur pas një vëzhgimi afatgjat, që ka filluar në vitin 2017 menjëherë pasi Navalni njoftoi për herë të parë qëllimin e tij për t’u kandiduar për president të Rusisë. Gjatë vitit 2017, dhe përsëri në vitin 2019 dhe 2020, operativët e FSB-së nga një njësi e fshehtë e specializuar në substanca toksike e kanë ndjekur Navalni gjatë udhëtimeve të tij nëpër Rusi, në më shumë se 30 fluturime në të njëjtat destinacione. Poashtu, mund të ketë pasur edhe përpjekje të mëparshme për të helmuar Navalni.

Hetimi identifikoi tre operativë të FSB-së nga kjo njësi sekrete të cilët kanë udhëtuar me Navalni në Novosibirsk dhe më pas e kanë ndjekur atë në qytetin e Tomsk, ku u helmua përfundimisht. Këta operativë kanë udhëtuar me identitetet Aleksij Aleksandrov (39), Ivan Osipov (44) – dy mjekë dhe Vladimir Panjaev (40). Të tre kishin mbështetjen dhe mbikëqyrjen e të paktën pesë punonjësve të tjerë të FSB-së, disa prej të cilëve udhëtuan në Omsk, aty ku Navalni u hospitalizua. Anëtarët e njësisë kanë komunikuar me njëri-tjetrin gjatë gjithë udhëtimit, me rritje të papritur të komunikimit pak para helmimit, si dhe gjatë natës kur Navalni e ka lëshuar hotelin e tij dhe është drejtuar për në Aeroportin e Tomsk.

Në të njëjtën kohë, u zbuluan të dhëna që tregojnë ekzistencën e një programi sekret për armë kimike e drejtuar nga anëtarët e shërbimit të brendshëm rus të inteligjencës (FSB). Ky program drejtohet nën ombrellën e një njësie të FSB-së, zyrtarisht i angazhuar për kryerjen e hetimeve forenzike për akte terroriste dhe parandalimin e krimeve të teknologjisë së lartë. Por, një nga rolet e tij kryesore dhe sekrete është të sigurojë mbulesë për një njësi të fshehtë që përbëhet nga afërsisht 15 operativë të trajnuar për luftë kimike dhe biologjike, mjekësi dhe operacione speciale.

Hetimi zbuloi gjithashtu të dhëna për telekomunikacionin dhe të dhëna për udhëtimet që sugjerojnë se përpjekja për helmimin e Navalni në gusht ishte urdhëruar nga eshalonet më të larta të Kremlinit.

Navalni për vite e radhë ishte ndjekur nga nga ekip operativësh nga një njësi sekrete e FSB-së. Ky ekip punon në kuadër të Institutit të Kriminologjisë të FSB-së.

Instituti i kriminologjisë së FSB-së

Megjithëse detyra zyrtare e institutit është të kryejë hetime forenzike, ish-agjentët e inteligjencës Sovjetike dhe Ruse të cilët u larguan në Perëndim thonë se ekziston një laborator sekret helmesh, që ka prodhuar helme gjatë epokës së Bashkimit Sovjetik që janë përdorur për atentate mbi diplomatë perëndimorë, nacionalistët ukrainas dhe të arratisurit nga regjimi Sovjetik.

Bazuar në analizën e metadatave nga qindra mijëra lidhje telefonike, duket se koloneli Stanislav Makshakov, një shkencëtar ushtarak i cili më parë ka punuar në Institutin Shtetëror për Sintezën Organike në qytetin e mbyllur ushtarak Shihani-1, është përgjegjës për këtë program. Makshakov është lidhja e përbashkët midis ekspertëve të armëve kimike që punojnë pranë Moskës dhe operativëve në terren që kanë ndjekur Navalni në të gjithë Rusinë.

Kolonel Makshakov është nën Gjeneralin Kiril Vasiliev, drejtor i Institutit të Kriminologjisë së FSB, i cili nga ana tjetër është nën Gjeneral-Majorin Vladimir Bogdanov, i cili aktualisht është kreu i Qendrës për Teknologji Speciale të FSB-së. Ai është gjithashtu zëvendës-drejtori i shërbimit të fuqishëm shkencor dhe teknik të FSB-së. Bogdanov nga ana tjetër është në mënyrë të drejtpërdrejtë nën drejtorin e FSB, Aleksandar Bortnikov, mbi të cilin në hierarki është Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Analiza e udhëtimeve të mëparshme të anëtarëve të njësisë së FSB tregon se ata kanë filluar të ndjekin Navalni diku nga 16 janari i vitit 2017, vetëm një muaj pasi ai njoftoi se kishte në plan të kandidohej në zgjedhjet presidenciale të Rusisë të vitit 2018. Në total, ekipi i FSB ka bërë 37 udhëtime në të njëjtat destinacione që Navalni udhëtuar ndërmjet viteve 2017 dhe 2020.

Anëtarët e ekipit zakonisht kanë udhëtuar në grupe me nga dy ose tre veta. Ata kanë udhëtuar me identitet të tyre, ose me identitet të fshehtë, në varësi të ndjeshmërisë së operacionit, dhe pothuajse kurrë nuk kanë udhëtuar me të njëjtin fluturim me Navalni, por kanë përdorur fluturime paralele, zakonisht nga aeroporte të tjera në Moskë.

Duket se operativët e FSB ndaluan udhëtimet e tyre në fund të vitit 2017. Në dhjetor të vitit 2017, Komiteti Zgjedhor Rus nuk e konfirmoi kandidaturën e Navalni, duke u thërritur në dosien e tij penale për rastin e Krivoles – një kompani shtetërore për përpunimin e drurit. Kjo çështje e pretenduar për përvetësim u pezullua nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut sepse nuk kishte elemente për vepër penale, por rezultoi me rigjykim në Rusi që e përsëriti verdiktin nga rasti i parë.

Në shkurt të vitit 2019, anëtar i ekipit të FSB udhëtoi me tren deri në Shën Petersburg së bashku me Navalni. Ky duket se ka qenë rasti i vetëm i tillë atë vit, por megjithatë është e mundur që anëtarë të tjerë të paidentifikuar (ose anëtarë me identitet të panjohur) të njësisë së FSB-së të kenë bërë më shumë udhëtime me të.

Në intervistën për Bellingcat, Navalni ndau informacione të pazbuluara më parë se gjatë një fluturimi të gjatë në vitin 2019 (ai nuk mund ta mbante mend destinacionin e saktë) ai përjetoi simptoma që i përshkroi si shumë të ngjashme për nga natyra (por shumë më pak të serioze) me ato prej të cikave ra pothuajse në komë fatale gjatë fluturimit të tij nga Tomsk më 20 gusht të vitit 2020. Për shkak se simptomat kishin kaluar në kohën kur ai mbërriti, nuk kishte dyshuar se mund të ishte helmuar qëllimisht dhe nuk kërkoi ndihmë mjekësore. Sidoqoftë, kur u zgjua nga koma në gusht të vitit 2020, iu kujtua kjo ngjarje.

Më 28 korrik të vitit 2019, derisa ishte në paraburgim i akuzuar për organizimin e një mitingu të paautorizuar proteste, Navalni kishte patur një skuqje të rëndë të lëkurës dhe inflamacion të syve, gjë që sipas mjekut të tij, mund të ketë ardhur nga prekja e një agjensi të paidentifikuar kimik. Ai u hospitalizua dhe u diagnostikua me dermatit kontakti dhe u dërgua përsëri në burg një ditë më vonë, pasi ekspertët e mjekësisë shtetërore nuk gjetën gjurmë helmi në mostrat e tij të gjakut. Në kërkesën e tij që autoritetet të hetojnë rastin nuk kishte patur përgjigje.

Fiasko në Kaliningrad

Më 3 korrik të vitit 2020, Aleksej Navalni dhe gruaja e tij Julija fluturuan në Kaliningrad për një pushim pesë-ditor, ndërsa operativët e FSB-së fluturuan nga një aeroport tjetër, me sa duket për të shmangur zbulimin. Menjëherë para fluturimeve të tyre, u regjistrua një komunikim telefonik midis të tre operativëve të FSB-së dhe kolonel Makshakov. Më 6 korrik, pas një shëtitje në mëngjes përgjatë plazhit, Navalni ishte kthyer shkurt në dhomën e tyre të hotelit dhe më pas kanë shkuar në një kafene afër plazhit. Gjatë rrugës për në kafene, Julija Navalnaja papritmas ka ndjerë plogështi. Siç kanë arritur në kafene pa ndonjë simptomë paralajmëruese, sipas fjalëve të saj, “jam ndjerë më keq sesa jam ndjerë ndonjëherë në jetën time”.

Të dy Aleksij dhe Julija Navalni për Bellingcat kanë deklaruar se ata nuk kanë dnjerë se duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të natyrës së padefinuar të sëmundjes së saj. Aleksej Navalni mendoi se sëmundja misterioze e përshkruar nga gruaja e tij ishte shumë e ngjashme me “ndjenjën e vdekjes së afërt” që përjetoi ai në aeroplan më 20 gusht pasi u helmua me Noviçok. Sipas një dokumenti të vitit 1992 nga ekspertë të armëve kimike, një dozë jo vdekjeprurëse e agjensit mund të çojë vetëm në dëmtime të përkohshme ose të pjesshme të funksionit motorik ose frymëmarrjes.

Hetimi ka treguar një shkëmbim dinamik të thirrjeve midis FSB dhe SC Signal gjatë gjysmës së parë të ditës. Komunikimi me 6 korrik ishte jashtëzakonisht i pazakontë dhe ishte e vetmja kohë kur Bogdanov thirri kreun e SC Signal, Hirov në periudhën nga maji deri në nëntor 2020. Prandaj, është logjike të supozohet se ekspertët e armëve kimike nga SC Signal ishin të përfshirë ose në planifikimin e këtij operacioni, ose potencialisht edhe në planifikimin e përpjekjes së ardhshme për helmim të Navalni.

Përpjekja përfundimtare

Më 12 gusht të vitit 2020, tre anëtarë të FSB – Aleksandrov, Osipov dhe Panjaev – prenotuan fluturime për në Novosibirsk. Ajo që ekipi i FSB-së nuk mund të dinte ishte saktësisht se çfarë do të ndodhte pas udhëtimit në Novosibirsk. Navalni dhe ekipi i tij nuk rezervuan fluturime kthyese. Pas disa incidenteve të sigurisë, ai preferoi të mbante të fshehta planet e udhëtimit të ekipit të tij dhe rregullisht bënte rezervime të minutës së fundit. Navalni ka rezervuar fluturim kthimi vetëm më 17 gusht, edhe atë jo nga Novosibirsk, por nga Tomsk.

Ekipi i FSB-së nuk e dinte këtë më 12 gusht, kështu që ata prenotuan bileta në një drejtim për në Novosibirsk, ndërsa biletat kthyese i prenotuan pesë ditë më vonë – disa minuta pasi Navalni rezervoi fluturimin e tij të kthimit më 17 gusht. Ashtu si Navalni, përbërja e FSB-së fluturoi nga Tomsk në Moskë, por një ditë më vonë se ai, më 21 gusht.

Komunikimi i dyshimtë ka ndodhur mbrëmjen e 19 gushtit – kjo duket se përkon me kohën kur Navalni është helmuar në Tomsk.

Gjegjësisht, në 16:21 me kohën e Moskës (20:21 në Tomsk) Vladimir Panjaev i ka dërguar SMS-porosi Makshakovit. Ky ishte mesazhi i tretë që Panjaev i ka dërguar eprorit të tij atë ditë, dy të parët ishin dërguar herët në mëngjes. Menjëherë pasi dërgoi mesazhin e tretë, Navalni kishte shkuar të notonte në një lumë lokal në rajonin e Tomsk – rutinë që u kthye në një ritual gjatë të gjitha udhëtimeve të tij me ekipin e FBK (Ekipi i Fondacionit për luftë kundër korrupsionit). Ai nuk kishte qenë në hotel dhe në dhomën e tij për rreth 2,5 orë.

Në orën 23 ai ishte takuar me ekipin e tij – i cili sapo kishte darkuar në barin e hotelit. Derisa ishin ulur në lokal, rreth orës 23:15, Navalni kishte porositur Bloody Mary. Baristi i kishte thënë se nuk i kishin përbërësit e nevojshëm, kështu që në vend të saj i ka ofruar një koktej të quajtur Negroni. Navalni e kishte pranuar propozimin, por nuk ka mundur të pinte më shumë se një gllënjkë, sepse “kokteji kishte shijen e gjësë më të neveritshme që kishte provuar ndonjëherë në jetën e tij“.

Përafërsisht në të njëjtën kohë, ishte zhvilluar komunikimi midis Krivoshekov dhe Tajakin (operativë nga ekipi) me Makshakov që ka përfunduar rreth orës 00:44 (në Tomsk).

Në orën 00:48, Aleksandrov bën gabim dhe ndez telefonin e tij të thjeshtë në vetëm një sekondë, por kjo ishte e mjaftueshme për të “regjistruar” pajisjen e tij pranë qendrës së Tomsk, pranë Hotel “Ksander”.

Të nesërmen në mëngjes, me 20 gusht të vitit 2020, ekipi i Navalni e priti atë në hollin e hotelit për t’u nisur për në aeroport. Navalni ishte vonuar, gjë që ishte e pazakontë për të, por ai prapë kishte ardhur.

Rreth 30 minuta pasi aeroplani u ngrit, Navalni ndjeu helmim të rëndë dhe ra në koma pasi u përpoq të freskohej në tualetin e avionit. Piloti e drejtori aeroplanin për në aeroportin më të afërt – Omsk. Personeli për ndihmë të shpejtë kishte arritur në kohë dhe i kishte dhënë atropinë, e cila, sipas mjekëve gjermanë, ia ka shpëtuar jetën.

Është i dyshimtë edhe udhëtimi i Tajakin (anëtar i ekipit që ka qëndruar në Moskë), i cili ka fluturuar për në Gorno-Altaisk vonë në mbrëmjen e 20 gushtit. Ekipi hulumtues nuk ka arritur të zbulojë se çfarë po bënte Tajakin në Gorno-Altaisk – një qytet me 60.000 banorë, që është nëntë orë me makinë nga Tomsk dhe 13 orë me makinë nga Omsk. Sidoqoftë, ai është në afërsi të qytetit Bisk, ku ndodhet Instituti i vogël për Problemet e Energjisë Kimike.

Më 22 gusht, spitali në Omsk, i cili më parë kishte refuzuar të lejojë Navalni të transferohej në Gjermani, megjithatë aprovoi transferimin.

Dy ditë më vonë, më 24 gusht, tre anëtarët e njësisë së FSB-së që ishin në Tomsk në kohën e helmimit të tij – Aleksandrov, Osipov dhe Panjaev – u kthyen nga Gorno-Altaisk në Moskë.

Paraqitja e Tajakin në Gorno-Altaisk – pothuajse 4.000 km largësi nga Moska – nuk ishte udhëtimi i vetëm befasisht i shkurtër i bërë nga një anëtar i njësisë së FSB rreth kohës së helmimit të Navalni. Vetëm një ditë pasi treshja Aleksandrov, Osipov dhe Panjaev u kthyen në Moskë më 25 gusht të vitit 2020, kolegu i tyre Kudrijavcev – një specialist i trajnuar i armëve kimike – fluturoi nga Moska në Omsk. Ai kishte qëndruar në qytet për më pak se 10 orë. Është vozitur me makinë nga aeroporti për në qendër të qytetit dhe është kthyer në Moskë më vonë gjatë natës.

Në atë kohë, Navalni veçmë ishte larguar nga Omsk dhe kishte filluar shërimin e tij në Berlin. Sidoqoftë, rrobat dhe sendet e tij personale që ishin me të në spitalin Omsk mbetën atje dhe nëse ndonjë prej sendeve përmbante mbetjet e helmit me të cilin Navalni u helmua, kjo mund të ishte dëshmi për helmim. Që nga data e publikimit të artikullit, Navalni dhe familja e tij nuk kishin marrë përgjigje se ku ishin rrobat e tij.

Përfundim

Vëllimi i madh i të dhënave dhe seria e pabesueshme e rastësive që i ka zbuluar hetimi tregojnë përfshirjen e agjencisë së shquar ruse të sigurisë, FSB, në ndjekjen e Navalni, përmes operatorëve të saj të trajnuar në armë kimike, kimi dhe mjekësi – aftësi që nuk janë të nevojshme për praktikën e zakonshme të ndjekjes.

Këta operativë kanë qenë në afërsi të Navalni në kohën kur u helmua me helm kimik ushtarak. Ata kanë qenë gjithashtu në afërsi të Navalni të paktën edhe në një rast kur bashkëshortja e tij përjetoi simptoma të një doze jo-vdekjeprurëse të të njëjtit helm. Më parë, ata e kanë ndjekur atë në 37 udhëtime gjatë katër viteve të fundit.

Ky hetim i pavarur, i cili do të zgjerohet në të ardhmen, është veçanërisht i rëndësishëm pasi asnjë shtet nuk është ofruar të hetojë helmimin e Navalni. Një refuzim i tillë i heshtur për të kryer një hetim do të thotë një shtyrje e detyrës për të kryer një hetim nga Rusia – një vend që jo vetëm është i përfshirë potencialisht në vetë krimin, por që zyrtarisht ka refuzuar të hapë një hetim zyrtar – thuhet në raportin e përgatitur nga Bellingcat.

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2023 F2N2.