Referendumi për emrin e Maqedonisë së Veriut ishte i ligjshëm

Autore: Margarita Asenovapolygraph.info

 

Sergej Lavrov

Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë

”Kur Mali i Zi dhe Maqedonia papritmas u futën në NATO, situata me emrin e Maqedonisë u shfrytëzua në mënyrë të pacipë. Maqedonia organizoi referendum edhe atë me shkelje të rëndë të Kushtetutës, e cila në Maqedoni kërkon që në referendum të parashtrohet një pyetje, megjithatë ata në të vërtetë parashtruan tri pyetje: a dëshironi të jeni anëtare e Bashkimit Evropian, anëtare e NATO-s dhe a jeni të gatshëm për këtë ta ndryshoni emrin e shtetit. Në të vërtetë, gjithsesi se bëhet fjalë për pyetje mashtruese.”

Burimi: Moskovskij Komsomolec, KM.ru

NATO pranon anëtare të reja sipas meritave, angazhimeve dhe përgatitjes së tyre. Referendumi në Maqedoninë e Veriut ishte i ligjshëm.

 

Në një intervistë për gazetën Moskovskij Komsomolec më 3 prill, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, sqaroi se anëtarësimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut në NATO ai e konsideron si kërcënim për sigurinë nacionale të Rusisë.

Lavrov e shprehu dëshirën e vendit të tij të kufizohet me “brez të fqinjësisë së mirë” i cili nuk e përmban infrastrukturën e asnjë blloku ushtarak. Ai theksoi se NATO, si shkak për ekzistimin e tij, raison d’être, e konsideron mbylljen e Rusisë, siç në të vërtet mund të vërehet nga zgjerimi i aleancës ushtarake perëndimore.

”Kur Mali i Zi dhe Maqedonia papritmas u futën në NATO, situata me emrin e Maqedonisë u shfrytëzua në mënyrë të pacipë. Maqedonia organizoi referendum edhe atë me shkelje të rëndë të Kushtetutës, e cila në Maqedoni kërkon që në referendum të parashtrohet një pyetje, megjithatë ata në të vërtetë parashtruan tri pyetje: a dëshironi të jeni anëtare e Bashkimit Evropian, anëtare e NATO-s dhe a jeni të gatshëm për këtë ta ndryshoni emrin e shtetit. Në të vërtetë, gjithsesi se bëhet fjalë për pyetje mashtruese.”

Konstatuam se kjo deklaratë është e pasaktë, si dhe disa deklarata të tjera që kishin të bëjnë me zgjerimin e NATO-s, deklarata këto të dhëna nga Lavrov në intervistën e njëjtë.

Njëri nga shkaqet e konkluzionit tonë është politika dhe praktika tanimë e etabluar e pranimit të anëtareve të reja në NATO, edhe atë vetëm ato anëtare të cilat e kanë kaluar procesin rigoroz të mbështetur mbi merita, përkushtim dhe gatishmëri.

Për më tepër, Rusia e instaloi strategjinë  për pengimin e një numri të madh të shteteve nga ish-Blloku Lindor të bëhen anëtare të aleancës perëndimore ose të Bashkimit Evropian, njëkohësisht duke ju bërë presion të mbeten në orbitën e Moskës.

Kjo strategji përfshin fushatën e dezinformimit, manipulime në media sociale si dhe të mitdhënies; nxitje të protestave në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi në vitin 2018; madje edhe tentativë për atentat dhe tentativë për grushtshtet në Malin e Zi në muajin tetor të vitit 2017.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e nënshkruan protokollin aderues në Bruksel.

Procesi i pranimit në NATO

Anëtaret e ardhshme të NATO-s është e domosdoshme të aplikojnë që të bëhen pjesë e aleancës, dhe jo e kundërta. NATO i fton vendet aspirante vetëm pasi që ato 1) kanë dëshmuar se janë të afta të kontribuojnë për sigurinë kolektive të aleancës; 2) kanë ndërtuar sistem demokratik të qeverisjes dhe ekonomi të tregut; 3) kanë vendosur kontroll civil mbi forcat e tyre të armatosura; 4) i kanë reformuar armatat e tyre në mënyrë që të jenë kompatibile me forcat e NATO-s; dhe 5) i kanë zgjidhur të gjitha kontestet eventuale territoriale me fqinjët e tyre.

Këto kushte minimale iniciale u vendosën në vitet e nëntëdhjeta kur pas rënies së Bllokut Sovjetik, vendet e ish-Paktit të Varshavës manifestuan interesim të bëhen anëtare të NATO-s. Pastaj, këto kushte u zgjeruan në Plan Veprime për Anëtarësim (PVA) për çdo vend kandidat. Secili prej tyre përmban pesë kapituj: resurse politike dhe ekonomike, mbrojtëse dhe ushtarake, siguria dhe çështjet juridike.

PVA e hartuar, bashkë me vendin kandidat, përmbajnë hapa konkret për ndërtimin e demokracisë stabile, reformimin e forcave të armatosura nacionale, rritjen e fondeve për armatë, kontributin për mbrojtje kolektive, mbrojtjen e informatave sensitive dhe harmonizimin e legjislacionit nacional me atë të Aleancës.

Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut i përmbushën kërkesat e tyre nga PVA edhe atë shumë më përpara se ta marrin ftesën formale nga NATO – kjo u bë në mënyrë vullnetare, pa marrë parasysh përpjekjet dhe resurset që i kërkonte procesi. Në të vërtetë, Maqedonia e Veriut PVA e tij e përmbushi nga Samiti i Bukureshtit në vitin 2008, kur pritej që ta marrë ftesën. Çështja e vetme e pazgjidhur ishte kontesti rreth emrit me Greqinë, për të cilin u desh të kalojnë edhe dhjetë vjet që të zgjidhet.

Rruga e Malit të Zi drejt NATO-s po ashtu nuk ishte as e shkurtër dhe as e lehtë. Integrimi euroatlantik ishte promotori kryesor i përpjekjeve për pavarësinë e këtij vendi nga ish-Jugosllavia. Ndarja nga Serbia dhe distancimi nga mosgatishmëria e Beogradit t’i pranoj pasojat e politikave nacionaliste të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, ishte faktori kryesor që Qeveria e Malit të Zi t’u bashkëngjitet institucioneve euroatlantike. Megjithatë, ky proces ishte mjaft i vështirë dhe të njëjtin e kundërshtonte Beogradi, si dhe minoriteti serb në Malin e Zi. Shteti, veç tjerash, organizoi edhe referendum për pavarësi i cili në marrëveshje me BE, duhej të kishte mbështetje prej 55% të votuesve që të konsiderohet i vlefshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg (djathtas) dhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, në Bruksel, më datë 4 qershor të vitit 2018

Përpjekjet e Moskës për rrënimin e zgjerimit të NATO-s

Lavrovi, akoma nuk i drejtohet Maqedonisë së Veriut me emrin e ri kushtetues. Vendi e ndryshoi emrin e tij pas nënshkrimit të Marrëveshjes historike me Greqinë, më 17 qershor të vitit 2018. Marrëveshja e nënkupton ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedonia e Veriut, në shkëmbim të mbështetjes së plotë të Greqisë në procesin e anëtarësimit të fqinjit verior në NATO dhe BE, si dhe njohjen e ekzistimit të kombit maqedonas dhe gjuhës maqedonase.

Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e tridhjetë e NATO-s, pasi që të gjitha 29 anëtaret ekzistuese do ta ratifikojnë Protokollin aderues nga 6 shkurti i vitit 2019. Rusia organizoi fushatë për dezinformim të fokusuar mbi integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE, me ç’rast pagoi protagonistë të ndryshëm, si në Greqi ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, që të organizojnë protesta dhe ta bojkotojnë Marrëveshjen për emrin.

Fushata e Moskës ta pengoj Malin e Zi që të bëhet anëtare e NATO-s ishte akoma më shqetësuese. Raportet gazetareske dhe Qeveria theksuan se dy pjesëtarë të zbulimit ushtarak të Rusisë,  ishin involvuar në konspiracionin për atentat mbi Presidentin pro-perëndimor të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, si dhe të qëllojnë me armë zjarri mbi pjesëmarrësit në tubimin e organizuar në kryeqytetin Podgoricë në muajin tetor të vitit 2017.

Ambasadori i Malit të Zi në Uashington, Nebojsha Kalugjeroviq, para Komisionit të Shërbimeve të Armatosura pranë Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më datë 13 korrik të vitit 2017 deklaroi se në akuzat në lidhje me grushtshtetin e pasuksesshëm përfshijnë dy shtetas rusë, pjesëtarë të Agjencisë Ushtarake të Zbulimit Rus (GRU). Bashkë me disa politikanë të tjerë vendas, ata u akuzuan për konspiracion për formimin e  organizatës kriminale dhe për sulm terrorist. Nëntë personat ranë dakord të bëjnë ujdi për pranimin e fajit dhe me këtë e pranuan fajin e tyre. “Dëshmitarët e identifikuan njërin nga shtetasit rus se është ish-zëvendës atashe ushtarak i Federatës Ruse në Poloni, i cili u shpall person non grata në atë vend për vepra që kanë të bëjnë me spiunim, se është organizator i komplotit, deklaroi Kalugjeroviq para Komisionit pranë Senatit të SHBA me të cilin në atë periudhë kryesonte senatori Xhon Mekejn.

Foto të Interpolit me datë të panjohur, të Predrag Bogiqeviq, Vladimir Popov, Eduard Shirokov dhe Nemanja Ristiq, të gjithë të pandehur për tentativë për atentat dhe për grushtshtet në vitin 2016

 

Kundërshtimi rus ndaj prezencës së NATO-s në Evropën Lindore

“Menjëherë pasi që një vend do të anëtarësohet në NATO, në mungesë të kërcënimeve evidente ndaj sigurisë së tij, në territorin e tij menjëherë vendosen bazat ushtarake amerikane”, deklaroi Lavrov për Moskovskij Komsomolec, duke shtuar se baza e tretë e SHBA-NATO ndërtohet në Gjeorgji. Ministri rus i Punëve të Jashtme e neglizhoi faktin se NATO, para se ta vendos prezencën e saj në Gjeorgji, Rusia e sulmoi provincën e saj Osetinë Jugore dhe i mbështeti Deklaratat për pavarësinë e Osetisë Jugore dhe të rajonit të Gjeorgjisë Abhazija, në Detin e Zi. Komentet e tij, veç tjerash, e ekzagjeruan prezencën e NATO-s në Gjeorgji, meqë Aleanca ka vetëm zyrë për ndërlidhje në Tbilisi e jo bazë ushtarake.

Rusia deklaroi se ajo, para së gjithash, është shqetësuar për prezencën ushtarake të NATO-s në kufijtë e saj, meqë dëshiron një “brez të qetë me marrëdhënie të mira fqinjësore” rreth saj. Megjithatë, vetë Rusia e minoi këtë koncept. Ajo i mbështeti lëvizjet secesioniste dhe luftërat separatiste në Moldavi, Gjeorgji, Nagono-Karabah dhe Ukrainë. Ajo u involvua  në operacione direkte ushtarake në Gjeorgji dhe organizoi luftë proksi në të cilën u përfshinë ushtarë rusë në Ukrainë.

Edhe pse ministri Lavrov thotë se vendi i tij është i shqetësuar vetëm për respektimin e Kushtetutës së Maqedonisë dhe për respektimin e normave ndërkombëtare, kjo është në kundërshtim me mosrespektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe integritetit territorial të Gjeorgjisë dhe Ukrainës nga ana e Moskës, e as për rrëzimin e avionit të Malaysia Airlines MH17 me 298 pasagjerë i cili u qëllua me projektil rus BUK në rajonin e Donbas në vitin 2014, ndërkaq këtu janë edhe mijëra njerëz të cilët u vranë, u plagosën dhe u shpërngulën në pesë vitet e kaluara nga sulmet e armatosura në Ukrainën Lindore.

Ukraina – Qytetarë marrin pjesë në procesin e ceremonisë komemorative në afërsi të vendit ku u rrëzua avioni MH17 i Malaysia Airlines në fshatin Hrabove në rajonin Donjecka, 17 korrik të vitit 2015

Me rastin e Maqedonisë së Veriut, Lavrov deklaroi se vetëm Presidenti Gjorge Ivanov ka të drejtë ta nënshkruaj marrëveshjen midis Shkupit dhe Athinës. Kjo nuk është e saktë: Në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut në mënyrë të qartë specifikohet se presidenti e përfaqëson shtetin dhe kryen funksionin e komandantit suprem i forcave të armatosura (neni 79), përderisa pushtetin ekzekutiv e ka Qeveria (neni 88) e cila përbëhet nga kryeministri dhe ministrat (neni 89).

Përveç kompetencave të tjera, Qeveria vendos për njohjen e shteteve dhe qeverive; vendos marrëdhënie diplomatike dhe konsullore dhe shtete të tjera; merr vendime për hapjen e përfaqësive diplomatike – konsullore jashtë vendit. Poashtu, Qeveria ka të drejtë, si edhe presidenti, të propozoj aderim në aleanca ose bashkësi me shtete tjera ose anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Këto janë parime të demokracisë parlamentare, në të cilat Qeveria i miraton vendimet ekzekutive dhe jep llogari para Parlamentit, ndërsa në kohë paqe, presidenti në pjesën më të madhe ka rol ceremonial si shef i shtetit. Ky është një sistem ndryshe nga sistemi presidencial “absolutist” në Rusi, madje edhe nga sistemi presidencial në SHBA, sipas të cilit Presidenti përgjigjet para Kongresit.

Në fund, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë nuk ka të drejtë kur thotë se pyetja e parashtruar në referendum në Maqedoninë e Veriut ka qenë mashtruese. Kushtetuta nuk e përcakton sa pyetje mund t’iu parashtrohen votuesve në referendum. Neni 73 e përcakton këtë: “Kuvendi vendos për shpalljen e referendumit për çështje të caktuara nga kompetenca e tij me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.”. Kushtetuta nuk parashikon se duhet të parashtrohet një ose më shumë pyetje, ose kombinim të disa pyetjeve. Përderisa shumica e deputetëve vendosin të shpallin referendum “në lidhje me pyetjet konkrete në kuadër të kompetencave të tyre”, referendumi është i ligjshëm.

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2023 F2N2.