Rëndësia e Aktit Magnitski për sanksionimin e shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut në mbarë botën

Sot, më 16 nëntor, bëhen 11 vjet nga vdekja e Sergej Magnitski. Në këtë ditë në vitin 2009, në një burg në Moskë, ai u lidh nga rojet në stol dhe u rrah me shkopa gome. Ai kishte patur pankreatit, të cilin e kishte fituar për shkak të kushteve të tmerrshme në burgun Butirka, ku më parë ishte mbajtur për gati një vit dhe vdiq po atë ditë. Kishte patur 37 vjeç, kishte qenë i martuar dhe me dy fëmijë.

“Faji” i tij ishte se i kishte alarmuar autoritetet ruse se një grup i organizuar kriminal, në të cilin kishte të përfshirë zyrtarë të lartë rusë, kishin përvetësuar 200 milion euro taksa nga fondi britanik ku ai punonte, Hermitazh kapital.

Fakti që autorët e këtij krimi nuk u ndëshkuan, gjykimi pas vdekjes së Magnitski, vrasja e Litvinenkos dhe disa raste të tjera të shkeljeve të të drejtave të njeriut, si dhe fakti që Rusia, si një regjim autoritar, nuk sanksionon akte të tilla, por përkundrazi, i shkel sistematikisht ato, është arsyeja pse është nisur një iniciativë për të miratuar rregullore që do të parashikojë sanksione për ata që shkelin të drejtat e njeriut.

Kështu, në vitin 2012, Kongresi i SHBA e miratoi “Ligjin Magnitski“, me të cilin parashikohen sanksione kundër atyre që janë përgjegjës për vdekjen e Magnitski dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut në Rusi. Në vitin 2016 pasoi Akti Global Magnitski, i cili parashikon sanksione për shkelje serioze të të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Ligje të ngjashme, duke ndjekur shembullin e Aktit Global Magnitski, janë miratuar nga disa vende të tjera, përfshirë Kanadanë, Britaninë e Madhe dhe Shtetet Balltike.

Duke e komentuar debatin në BE mbi nevojën për një akt të tillë, bashkëshortja e Magnitski deklaroi“Akti Evropian Magnitski nuk është vetëm për Sergej. Kjo rregullore do të synojë të parandalojë rritjen e numrit të viktimave të reja të regjimeve të rrezikshme që kryejnë krime të ngjashme. Nëse nuk luftohet e keqja, ajo ka tendencë të përhapet pafundësisht. Unë besoj se është çështje kohe – herët apo vonë xhelatët e Sergej do të sillen para drejtësisë.”

Cilat shtete kanë miratuar rregullore të ngjashme me Aktin Magnitski?

Në tetor të vitit 2017, Kanada miratoi Ligjin për drejtësi për viktimat e zyrtarëve të huaj të korruptuar (Ligji  Sergej Magnitski), duke argumentuar se të gjithë shkelësit e të drejtave të njohura ndërkombëtarisht të njeriut duhet të trajtohen dhe sanksionohen në mënyrë të barabartë në të gjithë botën.

Pasi më parë u shtuan elemente “Magnitski” në disa ligje në Britaninë e Madhe, në korrik të vitit 2020 u publikuan edhe sanksionet e para sipas regjimit të global të të drejtave të njeriut. Regjimi i ri i sanksioneve në stilin „Magnitski“ do t’i synojë ata që kanë qenë të përfshirë në disa nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut dhe abuzimet në të gjithë botën. Ata nuk do të lejohen të hyjnë në vend, të dërgojnë para përmes bankave britanike ose të përfitojnë nga ekonomia britanike. Masat janë kundrejt individëve dhe organizatave, e jo kundrejt shteteve.

Vala e parë e sanksioneve në Britani të Madhe sipas këtij regjimi të ri ka të bëjë me:

  • 25 shtetas rusë të përfshirë në torturat dhe vdekjen e Sergej Magnitski;

  • 20 shtetas sauditë të përfshirë në vdekjen e gazetarit Xhamal Kashogi;

  • dy gjeneralë të Mjanmarit të përfshirë në dhunë sistematike dhe brutale kundër grupit etnik Rohinxha dhe pakicave të tjera etnike;

  • dy organizata të përfshira në punë të detyruar, tortura dhe vrasje në kampet e Koresë së Veriut.

Paketa e masave mund të zbatohet gjithashtu edhe për ata që lehtësojnë, nxisin, promovojnë ose mbështesin këto shkelje/abuzime, si dhe ata që përfitojnë financiarisht nga shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut.

Estonia ishte vendi i parë evropian që vendosi ndalesën për hyrje të të huajve që llogariten fajtorë për shkelje të të drejtave të njeriut. Ligji jozyrtarisht e mban emrin e Sergej Magnitski dhe u miratua unanimisht nga parlamenti në dhjetor. Me të, Estonia vendos një ndalesë të hyrjes për personat në rast se “ka informacion ose arsye të bazuar për t’u besuar” se ata kanë marrë pjesë në aktivitete që kanë rezultuar me “vdekje ose dëmtim serioz të shëndetit të personave të caktuar” ose “bindje të pabazuar….për vepra penale për motive politike “.

Në nëntor 2017, Lituania miratoi gjithashtu ligj “Magnitski” për ndalesë të hyrjes së të huajve të përfshirë në korrupsion të profilit të lartë, larje parash ose shkelje të të drejtave të njeriut, duke e bërë atë vendin e katërt në botë pas SHBA-së, Estonisë dhe Kanadasë që miraton një rregullore të tillë.

Letonia është vendi i gjashtë në botë dhe i fundit nga tre vendet Balltike që miratoi një rregullore të tillë në shkurt të vitit 2018. Me këtë rregullore u vendosën kufizime udhëtimi për 49 shtetas rusë që ishin bashkëpunëtorë në çështjen Magnitski ose në shkelje të tjera të të drejtave të njeriut. Sanksionet mbi këto 49 persona janë të shënuara edhe në Aktin Magnitski të SHBA-së, përfshirë mbi Kadirov (udhëheqësi çeçen dhe aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin) dhe persona të tjerë që janë të lidhur me shkeljen e të të drejtave të njeriut kundër popullatës LGBT në Çeçeni.

Bashkimi Evropian

BE tashmë ka vendosur sanksione për të drejtat e njeriut, por ato aktualisht janë të kufizuara gjeografikisht në vende individuale të botës. Sidoqoftë, BE po zhvendoset drejt një qasjeje tematike. Në vitin 2016, BE shtoi sanksione për terrorizmin, armë kimike dhe sulmeve kibernetike që shtrihen në të gjithë botën. Përparësia e kësaj qasjeje është se personat dhe subjetet e reja mund të shtohen në listën e sanksioneve të BE-së, pa nevojën e një kornize ligjore të veçantë dhe vendimit të Këshillit për secilin vend.

Në dhjetor të vitit 2018, Hollanda propozoi sanksione tematike për të drejtat e njeriut në nivelin e BE-së. Ideja u kundërshtua fillimisht nga disa shtete anëtare dhe vetëm pas një viti debat, në dhjetor të vitit 2019, përfaqësuesi i lartë Zhosef Borell publikoi se BE është e gatshme të fillonte të punonte për masat e nevojshme.

Më 19 tetor 2020, Komisioni Evropian propozoi projekt-ligj për ndalesa udhëtimi dhe ngrirjen e fondeve për ata që janë përgjegjës për shkeljen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën, i njohur jozyrtarisht si “Akti Evropian Magnitski”.

Plani i Komisionit, i cili duhet të vendosë regjim global të sanksioneve të të drejtave të njeriut në BE, do të zëvendësojë sistemin e mëparshëm të përqendruar në vendet individuale. Sipas tij, parashikohet ngrirja e fondeve dhe ndalesa udhëtimi për të huajt që konsiderohen se kanë shkelur të drejtat themelore dhe parashikohet një kornizë ligjore e unifikuar për këto akte.

Sipas projekt-propozimit, shkelja e të drejtave të njeriut do të identifikohet bazuar në 12 kritere, duke i përfshirë veprat në vijim:

  • gjenocid;

  • torturë;

  • krime kundër njerëzimit;

  • skllavëria;

  • ekzekutimet pa gjyq;

  • zhdukje me forcë;

  • arrestim arbitrar;

  • trafikimi i qenieve njerëzore;

  • dhuna seksuale;

  • abuzimet e lirisë së tubimit paqësor;

  • abuzime me lirinë e shprehjes së opinionit;

  • abuzime me lirinë e fesë.

Në rezolutën e tij të shtatorit të vitit 2020, me rastin e helmimit të Aleksej Navalni, Parlamenti Evropian i bëri thirrje Këshillit të BE të miratojë dhe zbatojë sanksione të stilit të Magnitski në të ardhmen e afërt.

Me këtë edhe Bashkimi Evropian tregon gatishmërinë e tij për të vepruar kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut në Rusi.

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.