Aleksej Navallni (44) është një nga udhëheqësit më të shquar të opozitës ruse. Muajin e kaluar ai u lëshua nga spitali i Berlinit ku kaloi 32 ditë, 24 prej të cilave në kujdes intensiv, për shkak të helmimit me agjens nervor Noviçok. Gazi nervor Noviçok është një lloj armë kimike e cila është zhvilluar nga ish-Bashkimi Sovjetik. Gazi Noviçok shkakton vdekje sepse prish komunikimin midis nervave dhe muskujve ose nervave të trurit.
Mjekët që e mjekonin atë në spitalin në Berlin deklaruan se Navallni ishte me shumë gjasa i helmuar me gaz nervor, ndërsa ekipi i Navallnit theksoi se shishet e ujit në dhomën e hotelit në Siberi ku ai kishte qëndruar më parë përmbanin gjurmë të gazit nervor të ngjashëm me Noviçok. Vetë Navallni fajësoi direkt Presidentin rus Vladimir Putin për përpjekjen për ta likviduar atë. Ministrat për punë të jashtme të Bashkimit Evropian kumtuan se do të vendosin sanksione ndaj zyrtarëve rusë, si përgjigje për sulmin ndaj Navallni. Në një takim në Luksemburg, 27 ministrat ranë dakord të fillojnë hartimin e masave bazuar në propozimet nga Franca dhe Gjermania, sipas së cilave Moska është përgjegjëse për helmimin e Navallni me gazin nervor Noviçok, të zhvilluar nga Bashkimi Sovjetik.
Diplomatët e BE deklaruan për Reuters se kishte një mbështetje të gjerë midis 27 ministrave për punë të jashtme për ngrirje të fondeve dhe ndalesa për udhëtim të disa agjentëve të inteligjencës ushtarake ruse GRU.
Edhe përkundër reagimeve të shumta nga e gjithë Evropa këto ditë, Rusia ka vendosur të nisë një hetim ndaj Navallni për shkak të një ekstremizmi të pretenduar. Aktakuza bazohet në një intervistë të cilën Navallni e ka dhënë më 27 prill për radio stacionin “Jehona e Moskës” (e cila është fshirë). Në këtë intervistë, Aleksej Navallni ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Vladimir Putin se nuk kujdeset sa duhet për qytetarët me të ardhura të ulëta. Ndër të tjera, ai ka theksuar se për të mos lënë të uritur 60 milion njerëz, një qeveri e tillë duhet të rrëzohet, qoftë edhe me mjete të dhunshme. Lajmi se Rusia po ngrit akuzë për ekstremizëm kundër Navallni u përcoll edhe nga mediat maqedonase. Në mesin e mediave që transmetuan lajmin, e ndër të tjera u përpoqën edhe të diskreditojnë emrin dhe ndikimin e Navallni, ishin mediat e mëposhtme: Opserver.mk, Kumanovskimuabeti.mk, Makpress.mk, Mia.mk, Slobodenpecat.mk, 24info.mk, Libertas.mk, A1on.mk и Info.mk.
Pasi i mbijetoi sulmit, Navallni deklaroi se, sipas tij, arsyeja e sulmit ishte t’i pamundësohet kthimi në Rusi, ndërsa Putinin e quajti si fajtor kryesor për këtë.
Vlen të përmendet edhe fakti që agjensi nervor Noviçok është përdorur edhe gjatë përpjekjes për të likuiduar Sergej Skripal dhe vajzën e tij Julija, ngjarje që ka ndodhur më 4 mars të vitit 2018 në Solzberi, Angli. Sergej Skripal është një kolonel i inteligjencës ushtarake ruse në pension, i cili u dënua në vitin 2006 me 13 vite burg, i akuzuar për spiunim në interes të Britanisë së Madhe. Ai u dënua, ndërsa më vonë u amnestua, për ndarjen e identitetit të agjentëve sekretë rusë në Evropë me Shërbimin e intelegjencës sekrete britanike (MI6). Ashtu si në rastin e Skripal, ashtu edhe me atë të Navallni, Rusia ka mohuar çdo lloj lidhje. Përdorimi i helmeve kimikë është rreptësisht i ndaluar, ndërsa shpeshtësia e fenomeneve të tilla shkakton reagime serioze nga bota perëndimore dhe progresive. Mbetet të shihet se cilat do të jenë pasojat për Rusinë, e cila është e dyshuara kryesore për këto raste.
FINANCOHET NGA
Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.
PARTNERËT