Titulli origjinal: Nuk ka negociata as këtë vit, Gjermania u penduaPortali Infomax.mk më 1 korrik të vitit 2020, publikoi tekst të titulluar: Nuk ka negociata as këtë vit, Gjermania u pendua. Si burim i tekstit është portali serb B92, i cili i është referuar Tanjug.
Në tekst thuhet: “Përfaqësuesi i lartë gjerman, ndërsa prezantoi agjendën e presidencës deri në fund të vitit, përmendi zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor vetëm pas insistimit të mediave. Ai nuk mund të ‘premtonte’ se deri në fund të vitit ata do të jenë në gjendje të organizojnë konferencat e para zyrtare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat ende janë duke pritur për konfirmimin e kornizës së negociatave,” shkruan B92.
Më 1 korrik 2020, Gjermania mori përsipër kryesinë e Bashkimit Evropian. Këtë e ka përdorur portali Infomax për të publikuar titull tendencioz dhe manipulues. Në përmbajtjen e tekstit qëndron edhe përgjigja e përfaqësuesit gjerman: “Ne do të bëjmë çmos për të çuar përpara zgjerimin dhe për të organizuar konferenca ndërqeveritare gjatë gjashtë muajve të presidencës gjermane”.
Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për autorin, kështu që ai publikoi tekstin me titullin e të cilit pretendon se nuk do të ketë negociata, Gjermania kinse është penduar.
Ky pretendim nuk është i vërtetë. Përkatësisht, Gjermania, e cila mori përsipër kryesinë e Këshillit të BE më 1 korrik, shpreson se kjo do të ndodhë gjatë presidencës së saj.
Siç shkruajti 360 stepeni.mk, Ministri gjerman për çështje evropiane, Mihael Rot deklaroi se vendi i tij shpreson që konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të mbahet këtë vjeshtë, njoftoi MIA nga Brukseli.
Konferenca ndërqeveritare shënon de fakto fillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe hapjen e kapitullit të parë. Në pyetjen se nëse ekziston një perspektivë që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat gjatë presidencës gjermane me BE, Rot u përgjigj me konfirmim. “Ne dhamë dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ka qenë shumë e vështirë të bindësh partnerët tanë në BE dhe shpresoj se do të mund të fillojmë zyrtarisht negociatat me konferencat e para ndërqeveritare gjatë presidencës gjermane. Ndoshta në vjeshtë dhe më në fund shpresoj se do të jemi më aktivë në rajon, kjo është thelbësore” deklaroi Rot.
Kryesia e Gjermanisë me Bashkimin Evropian do të ketë në fokus menaxhimin e krizës nga pandemia, por në programin zyrtar “Së bashku për rimëkëmbjen e Evropës” ndodhet gjithashtu edhe pjesa e zgjerimit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Duam një perspektivë të besueshme për pranim në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Afrimi i tyre drejt Bashkimin Evropian është në interes të përbashkët të Ballkanit Perëndimor dhe interesit strategjik të BE-së. Përkundër kësaj, ne po zhvillojmë në mënyrë aktive negociata të vazhdueshme të pranimit të Serbisë dhe Malit të Zi dhe po përgatitemi për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke përgatitur një kornizë negociuese për këto dy vende, duke patur parasysh metodologjinë e re të zgjerimit.”
Nisur nga kjo, është e qartë se ky është një tekst qëllimi i të cilit është të minojë besimin e publikut në Bashkimin Evropian dhe sigurisht të inkurajojë pakënaqësinë për suksesin e arritur deri më tani në rrugën e anëtarësimit. Në këtë mënyrë, manipulohet publiku, i cili nuk është gjithmonë në gjendje të ndjekë të gjitha dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian. Mediat janë ato që duhet të informojnë publikun për atë që saktësisht po ndodh.
Kjo nuk është hera e parë që portali i përmendur të publikojë tekste që provokojnë ndjenjën anti-BE midis qytetarëve.
FINANCOHET NGA
Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.
PARTNERËT