Njerëzimi po përballet ndoshta me krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Pandemia e koronavirusit ka ndryshuar jetën tonë të cilën e kishim, duke lënë plagë në psikën kolektive dhe sentimentin e opinionit, duke paralizuar pjesën më të madhe të rrjedhave ekonomike të botës duke pasur parasysh globalizimin e ekonomisë botërore. Përveç gjithë kësaj, koronavirusi lë edhe një shenjë tjetër, që është më e madhe se të gjithë të tjerët, dhe ky është numri i madh i vdekjeve. Deri më 18.05.2020, ora 14:15, numri i të vdekurve, sipas uebfaqes speciale të Universitetit Johns Hopkins në SHBA është 315.496. Përveç madhësisë së vetë numrit, numri i të vdekurve vazhdon të rritet çdo ditë.

Në kushte të tilla, e derisa dihet publikisht që shumë vende kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në territoret e tyre, një pjesë e madhe e energjisë globale njerëzore është e përqendruar në gjetjen e një ilaçi që mund të krijojë imunitet në trupin e njeriut ndaj koronavirusit, ose të shkatërrojë koronavirusin te personi i infektuar. I gjithë njerëzimi thjesht ka kthyer sytë në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje që do të parandalonte përhapjen e mëtejshme të pandemisë ose mund të shëronte të infektuarit. Në këtë kontekst, më 15.05.2020, emri “Sorento Terapeutikë” u gjend në qendër të vëmendjes publike gjatë natës. Përveç kësaj, kjo kompani është gjendur në qendër të vëmendjes së shumë investitorëve, kështu që çmimi i aksioneve të tij në bursën e Nju Jorkut u rrit për 158%. Por, çfarë është ajo që ka tërhequr kaq shumë vëmendjen e publikut, dhe me këtë edhe kaq shumë kapital? Para se të arrijmë në pikën kryesore, gjegjësisht në atë që shkaktoi kaq shumë famë publike, së pari duhet të njihemi më mirë me “Sorento Terapeutikë”.

Sorento Terapeutikë është një kompani biofarmaceutike e themeluar në vitin 2006 me seli në San Diego, Kaliforni. Aktiviteti i saj është të zhvillojë terapi për kurimin e kancerit, sëmundjeve imunitare, inflamatore dhe neurodegjeneruese. Kompania kryen aktivitetet e saj përmes dy ndërmarrjeve, “Sorrento Therapeutics” dhe “Scilex”. Sorento Terapeutikë ka bashkëpunim me “SmartFarm Terapeutikë” për zhvillimin e vaksinës me antitrup të koduar gjenetikisht për mbrojtje kundër KOVID-19. Kompania gjithashtu ka një marrëveshje për testim hulumtues me departamentin mjekësor të Universitetit të Teksasit, i cili ndodhet në Galveston, për testimin paraprak të kandidatëve për produkte terapeutike për COVID-19 prodhuar nga Sorento. Kompania poashtu bashkëpunon me “Celularity” për inicimin e një studimi klinik, duke përfshirë deri në 86 pacientë të infektuar me KOVID-19.

Bëhet fjalë për një testim paraklinik, që është akoma në fazën eksperimentale. Sorento pretendon se antitrupi që kompania zhvilloi nën emrin “STI-1499” tregoi 100% parandalim të virusit COVID-19. Antitrupi “STI-1499” mbron trupin e njeriut nga koronavirusi dhe largon virusin nga trupi i njeriut brenda 4 ditëve. Antitrupi ka treguar 100% efekt në eksperimentet e kryera nga Sorento në largimin e virusit KOVID-19 nga qelizat e shëndetshme. “Duam të theksojmë se ekziston një ilaç. Ekziston një zgjidhje që funksionon 100%. Nëse keni antitrupin neutralizues në trupin tuaj, nuk do t’ju duhet distanca sociale. Ju mund të hapeni para shoqërisë pa frikë ” deklaroi Dr. Henri Ji, themeluesi dhe drejtori i përgjithshëm ekzektuiv i Sorento. Rezultatet e plota të eksperimentit paraklinik së shpejti do të publikohen në revistë , ku do të vlerësohen nga publiku profesional. Kompania deklaroi javën e kaluar se planifikon të zhvillojë tretman me “koktej prej antitrupave” për pacientët me rrezik të lartë ose ata me COVID-19, në partneritet me “Mount Sinai Health System”. Në këtë rast, kokteji do të mbrohet me markën tregtare (COVI-SHIELDTM), ndërsa antitrupi „STI-1499“ do të markohet (COVI-GUARDTM). Sorento është duke studiuar plazmën e mbledhur nga 15.000 persona që janë testuar pozitivë për antitrupat KOVID-19 nga klinicistët e Mount Sinai.

Sa i përket mënyrës së veprimit të këtij antitrupi, ai në të vërtetë lidhet me përbërësin “S1” të proteinës “Spike” të SARS-CoV-2 dhe bllokon plotësisht ndërveprimin e tij me receptorin „ACE2“. Është e rëndësishme të theksohet se rezultate të tilla janë treguar në prani të një doze shumë të vogël të „STI-1499“, si dhe është e rëndësishme të theksohet se ‘kokteji’ që Sorento po përgatit mund të parandalojë mutacionet e mundshme të virusit që mund të shkaktohen.

Duke pasur parasysh që një trajtim i tillë nuk është aprovuar ende nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave e SHBASorento planifikon të kërkojë një vlerësim prioritar dhe shqyrtim të përshpejtuar nga rregullatorët në mënyrë që të përcaktohet drejtimi më i mirë që të bëhet i qasshëm për çdo trajtim potencial sa më shpejt të jetë e mundur. Duke pasur parasysh kapacitetin e prodhimit, Sorento pret që të jetë në gjendje të prodhojë deri në 200.000 doza në muaj, dhe kompania planifikon të prodhojë 1.000.000 doza nën rrezik derisa pret aprovimin nga Administrata Federale e Ushqimit dhe Barnave për cilindo nga STI-1499 produktet e propozuara. Kompania po kërkon gjithashtu mbështetje të mundshme nga Qeveria dhe partnerët farmaceutikë në mënyrë që të rrisë më tej kapacitetin e prodhimit.

Përveç Sorento, edhe kompani ose organizata të tjera po testojnë ilaçe të mundshme për KOVID-19. Më shumë se 150 ilaçe të ndryshme janë duke u hulumtuar në të gjithë botën. Shumica janë tashmë ilaçe ekzistuese që janë duke u testuar kundër virusit. Një shembull është “Veterans affairs”,  që pretendojnë se ilaçi “Degarelix”(i njohur edhe si Firmagon) ka treguar potencial në testet e kryera të rreth 200 veteranëve të shtruar në spital të infektuar nga virusi. Degarelix shpesh përdoret për të trajtuar raste më të rënda të kancerit të prostatës duke shtypur për prodhimin e hormoneve mashkullore nga ana e trupit. Hulumtuesit që punojnë në trajtimin e koronavirusit kanë zbuluar se të njëjtat hormone mund të shkaktojnë prodhimin e proteinave të caktuara që COVID-19 përdor për të hyrë në indet e mushkërive dhe të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore.

Iniciativa “Solidaritet” e Organizatës Botërore të Shëndetësisë është një program për testimet klinike të trajtimeve të mundshme për KOVID-19. Në këtë mënyrë, pritet të krahasohen trajtimet e ndryshme, si dhe shtohen trajtime të reja për testime paralelisht me zbulimin e fakteve të reja rreth KOVID-19. Barnat e tjera potenciale të përmendura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë janë: “Remdesivir”, i cili më parë ishte testuar si trajtim për Ebola; “Lopinavir/Ritonavir” i cili është një trajtim i licencuar për HIV; “Interferoni beta-1a” përdoret si trajtim të multipleks sklerozës; dhe “Chloroquine” dhe “Hydroxychloroquine”, që janë të lidhura ngushtë dhe përdoren për të trajtuar malarinë dhe sëmundjet reumatike.

Për fund, të gjitha këto përpjekje duhet të frymëzojnë optimizëm tek ne, por ndoshta duhet të jemi pak skeptik, pasi gjithsesi është e nevojshme që trajtimi të dëshmohet si i suksesshëm në rastet e personave të sëmurë nga koronavirusi. Gjithsesi, me secilin hap të ndërmarrë, ne jemi më afër zbulimit të një ilaçi dhe parandalimin e akumulimit të mëtutjeshëm të efekteve shkatërruese negative që pandemia e koronavirusit i lë pas vetes.

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.