Liria e të shprehurit është një pjesë shumë e rëndësishme e demokracisë. Liria e të shprehurit është të hapni kompjuterin, të shkruani një blog ose çfarëdo që doni të shkruani, dhe të thoni atë që doni, brenda kufijve të ligjit dhe mbase brenda normave të pranuara të sjelljes. Të gjithë mund të thonë atë që duan dhe madje nuk duhet të thonë të vërtetën. Dhe në fakt, ata nuk kanë nevojë as të tolerojnë njerëzit e tjerë. Ata madje mund të jenë fyes ose të mos thonë kush janë ose mund të pretendojnë se janë dikush tjetër. Individët, të cilët nuk marrin pagë për të mbrojtur interesin publik, për të zbuluar çështje dhe tema në interes të qytetarëve, nuk kanë asnjë detyrim siç kanë gazetarët. Fjala e tyre nuk “peshon” si ajo e një gazetari që arrin një audiencë të gjerë, dhe mediumi në të cilin ai punon ka një detyrim të mbrojë interesin publik.

“Liria e të shprehurit u jep njerëzve të drejtën të thonë atë që dëshirojnë pa asnjë kufizim. Dhe ata nuk duhet të jenë përgjegjës, ata nuk duhet të thonë ‘më fal’ kur bëjnë gabim. Kjo është liria e shprehjes. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e demokracisë. Por, kjo nuk është gazetari ”, thotë Aidan White, drejtori i Rrjetit të Etikës së Gazetarisë.

Gazetaria lëviz brenda një kornize vlerash të quajtur etika gazetareske

Gazetaria është diçka më ndryshe se kjo. Gazetaria nuk është shprehje e lirë në atë kontekst. Gazetaria është liria e mediave për tu shprehur lirshëm, por në një kornizë vlerash. Dhe ajo kornizë e vlerave quhet etikë e gazetarisë. Gazetari duhet të përmbahet. Gazetarët nuk mund të lejojnë lirinë e të shprehurit. Ata e formojnë shprehjen e tyre brenda etikës gazetareske.

Prandaj, gazetarët duhet të korrigjojnë gabimet e tyre dhe të kërkojnë falje për gabimet e tyre. Gazetarët duhet të respektojnë faktet. Gazetarëve nuk u lejohet të shkruajnë gënjeshtra dashakeqe. Ata duhet të tregojnë njerëzim, humanitet drejt audiencës, ata nuk guxojnë të promovojnë gjuhën e urrejtjes, duhet të jenë të paanshëm dhe të zbulojnë nëse ka një anë tjetër të ngjarjes dhe kështu me radhë. Kjo shtesë e vlerave e bën gazetarinë ndryshe, që nuk duhet të barazohet me lirinë e të shprehurit, e cila, po e përsëris, është një pjesë e fortë, shumë e rëndësishme e demokracisë, por nuk është etika gazetareske, shton drejtori i Rrjetit të Etikës Gazetareske, White.

Sipas tij, etika gazetareske mund të përbëhet nga pesë elemente kryesore:

  1. Saktësia. Thjesht, të raportohet pa shtrembëruar faktet

  2. Pavarësia. Puna që bëni është puna juaj, ju nuk e bëni atë në emër të dikujt tjetër. Nuk duhet të jeni zëdhënës i askujt, i ndonjë grupi të biznesit, korporatave, qeverive ose ndonjë shoqate, veçanërisht grupe interesi.

  3. Paanshmëria. Si gazetar duhet të shihni nëse ka një anë të dytë të ngjarjes. Pothuajse gjithmonë ka. Ndonjëherë më shumë se dy anë. Si gazetar jeni përgjegjës të shihni se çfarë thonë dhe çfarë mendojnë palët e tjera të ngjarjes.

  4. Njerëzimi. Si gazetar duhet të jeni human, duhet të perceptoni pasojat e asaj që publikoni, transmetoni. Duhet ta dini se fjala që përdorni, fotografia që po shfaqni – mund të dëmtojë. Nuk është puna e gazetarit të bëjë dëm të padëshiruar. Puna e një gazetari është t’i mbrojë njerëzit. Kur raportojnë gazetarët nuk duhet të përdorin gjuhë të urrejtjes, ata nuk duhet të shfaqin foto të papërshtatshme. Ata nuk guxojnë të shfaqin pa nevojë skena dhune.

  5. Përgjegjësia. Kjo është ndoshta gjëja më e vështirë për të bërë gazetarët. “Ne nuk jemi një grup modest njerëzish. Është e vështirë të kërkosh falje “, tha White. Por, ne duhet t’i pranojmë gabimet tona kur ato bëhen, të kërkojmë falje dhe të gjejmë një kurë për dëmin që bëhet nëse ndodh kështu.

Secili pjesëmarrës në procesin e gazetarisë ka rolin e tij në rrugën drejt së vërtetës

Në librin e Bill Kovach dhe Tom Rosenstiel “Elementet e gazetarisë”, autorët thonë se botuesit dhe pronarët e mediave duhet të përpiqen dhe të botojnë vazhdimisht përmbajtje me interes publik, pa frikë dhe pa njëanshmëri.

Redaktorët duhet të luftojnë kundër shtrembërimit të lirisë së të shprehurit, kundër manipulimit me fjalë, kundër gjuhës së urrejtjes, të bëjnë rezistencë ndaj presioneve që vijnë nga qeveritë, korporatat, gjyqtarët, avokatët ose drejt çdo lloj krijuesi të lajmeve që manipulon duke e quajtur gënjeshtrën – të vërtetë dhe luftën – paqe.

Kontaktin më të drejtpërdrejtë me ngjarjet në terren dhe krijues të lajmeve dhe përmbajtjeve e kanë gazetarët. Kontakti i parë me qytetarët, temat, problemet dhe prezantimin e çështjeve delikate para publikut, është në duart e tyre.

Për kë punojnë gazetarët

Lojaliteti i gazetarëve në vend të parë është drejt qytetarëve. Detyrimi ndaj qytetarëve është më i madh se egoizmi profesional. Ky është besim që nënkuptohet. Nënkuptohet se që kritika për filmin janë korrekte, se për vlerësim të restoranteve nuk ndikojnë reklamat dhe se mbulimi i një ngjarje nuk është për shkak të miqësisë ose interesit vetjak.

Për këto arsye, ata që i bëjnë lajmet nuk duhet të pengohen në gërmimin dhe tregimin e së vërtetës, madje edhe nëse është në kurriz të interesave financiare të pronarëve.

Megjithatë, si çdo liri apo e drejtë, edhe liria e mediave përfundon aty ku fillojnë të drejtat e të tjerëve. Gazetarët nuk duhet në asnjë situate të etiketojnë pa të drejtë, të sulmojnë, të nënvlerësojnë, të fyejnë ose të shpifin për ndonjë individ. Gazetarët nuk duhet t’i privojnë lexuesit nga e drejta e tyre për informacion të saktë dhe të vërtetë. Liria e mediave nënkupton raportim të lirë të së vërtetës, brenda kornizës së etikës gazetareske. Liria e mediave në asnjë mënyrë nuk mund të jetë mburojë për manipulime, informim të rrejshëm, shpifje, fyerje.

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.