MEDIAT DUHET TË BASHKOJNË, E JO QËLLIMISHT TË NXISIN PËRÇARJE

Fakti është se mediat mund të ndikojnë shumë në mendjen e njeriut, kështu që dëmi që vjen prej tyre është më i madh dhe më afatgjatë.Si një shembull shkollor për atë se si një informacion apo opinion i zakonshëm mund të shndërrohet në një mjet për përçarje në shoqëri dhe manipulim nga mediat, është mënyra në të cilën është transmetuar analiza e publikuar nga gazeta britanike “Financial Times”.

Jo vetëm që ky tekst ka abuzuar në mënyra të ndryshme për të nxitur përçarje në bazë etnike, por është abuzuar edhe për ngritje të tensioneve dhe nxitjen e nervozizmit në mesin e shumicës së popullatës në Maqedoninë e Veriut në një temë që shkakton shumë emocione, që është çështja e Shqipërisë së Madhe. Pikërisht Shqipëria e Madhe është fjala magjike e atyre të cilët i shkruajnë këto tekste iu sjellin më shumë pëlqime (like), shpërndarje dhe një efekt të rritur tek lexuesit, të cilat pastaj mund të kanalizohen në urrejtje ndaj bashkëqytetarëve.

Në fillim të ditës, tekstet origjinale lidhur me këtë analizë përqëndroheshin në “suksesin diplomatik të Marrëveshjes së Prespës” dhe më pas u shfaqën tekste me një drejtim tjetër. Mediat e ndryshme si “Lider“, “Vecer“, “Vesnik“, “Infomaks“, “javno.mk“, e transmetuan pothuajse të njëjtin tekst, por me tituj paksa të ndryshëm, secila më e bujshme se tjetra.

Kështu, në gazetën “Vecer”, titulli është “Financial Times botoi një tekst sikur ta kishte diktuar Ali Ahmeti, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj: Maqedonia e “Veriut” duhet t’i përforcojë të drejtat e shqiptarëve etnikë”, gjë që qartë aludon në “rrezikun nga Shqipëria e Madhe” që në fillim, për të dhënë detaje të tjera nga analiza e gazetës britanike që nuk kanë asnjë lidhshmëri me titullin.

 I njëjti portal publikoi edhe një tekst tjetër mbi këtë analizë të titulluar “NE NUK PYETEMi. Financial Times: Nuk ka paqe në Maqedoni nëse shqiptarët nuk janë të kënaqur“, titull i cili me të drejtë mund të krijojë zemërim tek popullata maqedonase, sepse ata do të ndiheshin më pak të vlefshëm se shqiptarët, të cikëve duhet t’i plotësohen të gjitha kërkesat. Por qëllimi i autorit dhe mediumit për nxitjen e urrejtjes dhe zemërimit është i qartë, ndonëse në tekstin e gazetës britanike nuk ka konstatime të tilla.

Por ka edhe një anë të ndritshme të kësaj historie. Disa media në gjuhën maqedonase dhe shqipe si “Zaman”, “Brif”, “Aktuelno”, “Lokalno.mk”, “MIA”, “Nezavisen”, “Opserver”, “Telegrafi”, “Medial”, “BalkanWeb“,”BotaSot“,”TetovaSot“dhe “Foldrejt“, këtë tekst e transmetuan me fokus në Marrëveshjen e Prespës, i cili paraqitet si një nga pajtimet diplomatike më të suksesshme midis vendeve të Ballkanit, siç është edhe në vetë tekstin e Financial Times.

Teksti në vazhdim ka vetëm një pjesë, siç është edhe teksti origjinal i gazetës britanike, e cila diskuton për përmbushjen e të drejtave të shqiptarëve, në mënyrë që të mos jetë e ndjeshme ndaj idesë së bashkimit me Kosovën dhe Shqipërinë. Por këto janë fakte që nuk janë të shtrembëruara, por transmetohen në origjinal dhe pa asnjë koment. Pjesa që flet për shqiptarët citohet, kështu që vetë lexuesit do të vlerësonin se si e interpretojnë atë.

Mediat në gjuhën shqipe si “Telegrafi“, “Medial“, “BallkanWeb“, “BotaSot“, “TetovaSot” dhe “Foldrejt” janë protokolle, dhe transmetojnë vetëm atë që është shkruar, madje edhe me renditjen e njejtë siç është shkruar teksti i gazetës britanike, pa vënë kështu tituj të bujshëm për mundësinë e bashkimit të territoreve shqiptare, domethënë formimin e Shqipërisë së Madhe nëse shqiptarët nuk janë të kënaqur me ushtrimin e të drejtave të tyre.

Mediat në gjuhën shqipe, sikurse edhe mediat neutrale në gjuhën maqedonase, janë më të përqendruara në Marrëveshjen e Prespës si një beneficion, e jo në mundësinë për Shqipërinë e Madhe si një rrezik.

Është e qartë nga analiza se një lajm i thjeshtë, ose një tekst, mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Në fund të ditës, kjo është dobia nga demokracia. Mirpo, mediat, veçanërisht portalet e internetit duhet të jetë i vetëdijshëm se krijojnë opinion publik, prandaj demokracia duhet të ushqehet, e jo të abuzohet. Media që synojnë të spinojnë, ose të manipulojnë, duke krijuar përçarje në shoqëri, do të gjejnë detajin më të vogël për ta përdorur për qëllimet e tyre, ndërsa mediat e  ndërgjegjshme, dhe atë gram elementi të përçarjes do ta anashkalonin ose nuk do ta ekzagjeronin.

Mediat në Maqedoninë e Veriut kanë një rol më të vështirë dhe më të përgjegjshëm sesa vendet demokratike më të zhvilluara, sepse shkruajnë për qytetarët me plagë të hapura nga e kaluara për shkak të intolerancës ndëretnike. Kjo përgjegjësi duhet të bartet në mënyrë adekuate, duke kultivuar diversitetin, e jo duke krijuar përçarje edhe më të thella.

 

Ferikan Iljazi

Gazetare

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.