Ky artikull është një kontribut i Jordan Callov, në kuadër të një serie raportesh analitike me titull “Të preferuarit e Kremlinit në Evropë”, me mbështetjen e “Journalismfund.eu”.

Vëzhguesit ndërkombëtar kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh lidhur me besueshmërinë e anëtarit më të ri të NATO-së dhe kandidatit për integrim në  BE, Maqedoninë e Veriut, teksa vendi po shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme më 15 korrik. Ky shtet ballkanik është një ndër vendet me masat më të këqija të korrupsionit në Evropë sipas Indeksit të Transparency International për perceptimin e korrupsionit, dhe me kulturën politike më së paku të zhvilluar në Evropë, bazuar në Indeksin për demokraci të “Ekonomistit”.

Në krye të gjithë kësaj situate, Maqedonia e Veriut vazhdon me ambiciet  për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me Rusinë, dhe siç ka vërejtur ambasadori amerikan në NATO, Kej Beilli Hatçinson, gjatë shpërthimit të COVID-19, vendi është prekur nga një fushatë serioze dezinformimi nga Moska dhe Pekini, ndërsa bën shumë pak për të luftuar propagandën.

Ky raport do përpiqet të paraqesë një përmbledhje të ndikimit rus në sferën politike, mediat dhe ekonominë e Maqedonisë së Veriut, si dhe të identifikojë disa nga operuesit kryesorë përmes të cilëve Kremlini po çon përpara qëllimet e tij në këtë vend.

Rruga e zhurmshme drejt integrimit perëndimor

Para kursit të saj aktual perëndimor, Maqedonia e Veriut ka qenë në kontrollin e një lideri autoritar për një dekadë. Nga viti 2006 deri në vitin 2016 vendi drejtohej nga lideri nacionalist i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, i cili pati sukses në shkaktimin e përçarjeve të brendshme midis shumicës së krishterë dhe pakicës myslimane shqiptare, si dhe konflikteve me shumicën e shteteve fqinje (GreqisëBullgarisë dhe Shqipërisë). Kjo i përshtatej mirë interesave të Kremlinit. Nga njëra anë, mosmarrëveshja për emrin e vendit me Greqinë e bëri të pamundur anëtarësimin e Shkupit në BE ose NATO, dhe nga ana tjetër, autoritarizmi dhe nacionalizmi i Gruevskit lejuan Rusinë të mbetet një nga mbështetësit kryesorë të regjimit. Siç edhe pritej, rënia e Gruevskit pa gjithashtu fillimin e një fushate ruse kundër çdo ndryshimi të status quo-së.

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2016 forcat e opozitës, të udhëhequra nga LSDM-ja e qendrës së majtë, patën një mundësi për krijimin e një koalicioni qeverisës pa VMRO-DPMNE-në e Gruevskit. Për të formuar shumicën në Parlament, opozita kishte nevojë për mbështetjen e partive etnike shqiptare, dhe forcat që donin të mbanin status quo-në panë një mundësi për përçarje. Kur Parlamenti i ri zgjodhi një shqiptar etnik si kryetar, nacionalistët sulmuan shtëpinë ligjvënëse.

Zoran Zaev, udhëheqësi i opozitës i cili ishte në prag të ardhjes në postin e kryeministrit, mori dy plagë në kokë gjatë sulmit. Ai shpejtoi me deklaratat se kishte prova të përfshirjes së Rusisë në atë që ai e quajti “tentativë e Moskës për të fituar ndikim” në Maqedoninë e Veriut.

Zaev e krahasoi situatën në Maqedoninë e Veriut me përpjekjen për grusht shteti një vit më parë në Mal të Zi, ku prokurorët akuzuan dy oficerë nga GRU, Agjencia ruse e inteligjencës ushtarake, për komplot për të rrëzuar qeverinë pro-perëndimore dhe për të parandaluar hyrjen e vendit në NATO. “Pas humbjes së Malit të Zi, Federata Ruse po bën një tentativë përfundimtare për ndikim në Maqedoni,” pohoi Zaev.

Nëse grusht shteti në Malin e Zi kishte dështuar, fushata e ndikimit në Maqedoni sapo kishte filluar me një përqendrim në kontestin për emrin e Maqedonisë me Greqinë. Emri i vendit u pa si pengesa përfundimtare për integrimin perëndimor. Kur Zaev dhe homologu i tij në Athinë, Aleksis Cipras, më në fund ranë dakord për të zgjidhur polemikat dhjetëvjeçare (e njohur si Marrëveshja e Prespës), një grup agjentësh rusë, duke filluar nga spiunët e deri tek biznesmenët e lidhur me Kremlinin, filluan një fushatë për të shkatërruar ato përpjekje diplomatike.

Në korrik të vitit 2018, disa javë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, Athina dëboi dy diplomatët rusë për nxitje të kundërshtimit të marrëveshjes në vend. Ky dëbim ndodhi përkundër politikës relativisht miqësore të Greqisë ndaj Rusisë. Në të vërtetë, katër muaj më parë, Cipras kishte refuzuar të dëbonte diplomatët për shkak të helmimit të Skripal.

Ndërkohë, homologu i tij i Maqedonisë së Veriut Zaev ngriti shqetësimin për përpjekjet e një biznesmeni greko-rus, dikur deputet nga partia qeverisëse e Rusisë, “Rusia e Bashkuar”, për të provokuar një revoltë nacionaliste në vend. Biznesmeni në fjalë, Ivan Savidis, u akuzua se pagoi nacionalistët ekstremistë të djathtë maqedonas dhe huliganët e futbollit, si dhe klerikët grekë dhe zyrtarët e qeverisë, për të kundërshtuar Marrëveshjen e Prespës. Inteligjenca Amerikane gjithashtu ishte në gjendje të përgjonte komunikimet që tregojnë se Savidis ishte duke punuar si një ndërmjetës i Kremlinit, siç raportohet nga Nju Jork Tajms.

Në qershor të vitit 2018, pas demonstratave të dhunshme që shpërthyen në Shkup kundër marrëveshjes, gazetarët hulumtues zbuluan prova që Savidis siguroi të paktën 300,000 euro për të nxitur kundërshtimin e marrëveshjes, duke përfshirë një fushatë në rrjetet sociale që synonte të pengojë pjesëmarrjen në referendumin e shtatorit për ndryshimin e emrit.

Në dhunë morën pjesë edhe huliganë nga klubi i futbollit Vardar. Klubi është në pronësi të milionerit rus Sergej Samsonenko, i cili jeton në Shkup dhe është konsull nderi i Rusisë në qytetin e Manastirit.

Në fund pjesëmarrja në Referendum ra më pak se pragu prej 50 përqindëshit të nevojshëm në mënyrë që rezultatet të jenë të detyrueshme. Se sa nga kjo ishte për shkak të ndërhyrjes ruse është e vështirë të thuhet, por është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se një pjesë e madhe e propagandës nacionaliste është gjithashtu e nxitur dhe në disa raste e krijuar nga Kremlini. 90 për qind e atyre që dolën të votojnë aprovuan marrëveshjen, dhe në fund të fundit vendi ndryshoi emrin e saj në Maqedonia e Veriut, dhe rruga e saj për në NATO dhe BE u hap.

Historia e trazirave politike të Zaevit jep një shembull të konkret të mënyrave me të cilat Moska ndërhyn në politikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, është larg të qenit shembulli i vetëm.

Masat aktive: një dekadë e kapjes së shtetit

Në vitin 2017, Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) dhe partnerët e tij siguruan një sërë dokumentesh të inteligjencës që tregojnë se spiunët dhe diplomatët rusë janë përfshirë në një përpjekje gati dhjetëvjeçare për të përhapur propagandë dhe për të provokuar mosmarrëveshje në Maqedoni, si pjesë e një përpjekje në të gjithë rajonin për të parandaluar vendet e Ballkanit të anëtarësohen në NATO dhe BE.

Sipas një brifingu të kundërzbulimit maqedonas nga 2017, gjatë nëntë viteve të kaluara vendi “ishte nënshtruar ndaj një aktiviteti të fuqishëm subversiv dhe të inteligjencës, të zbatuar përmes Ambasadës së FR (Federata Ruse)”. Operacionet ruse filluan në vitin 2008 kur Maqedonia u bllokua nga anëtarësimi në NATO për shkak të mosmarrëveshjes për emrin e saj me Greqinë.

Dokumenti, i përgatitur për Vladimir Atanasovskin, drejtorin e Shërbimit maqedonas të Sigurisë dhe Kundërzbulimit (UBK), shkruan : “Duke përdorur asetet dhe metodat e të ashtuquajturës” fuqi e butë “, si pjesë e strategjisë së RF në Ballkan, qëllimi është që të izolohet vendi [Maqedonia] nga ndikimi i ‘Perëndimit’. ” dhe pretendon se këto janë disa mënyra me të cilat Kremlini ka ushtruar ndikimin e saj në RMV:

 

  • Politika e jashtme ruse është në një lidhje të ngushtë me strategjinë e energjisë të Kremlinit, qëllimi i së cilës është të kontrollojë burimet strategjike të energjisë përmes partneritetit me vendet e Ballkanit, “thuhet në dokument. Për shembull, kompania ruse Stroytransgaz filloi ndërtimin e një rrjeti tubacioni në vend në vitin 2015, në mënyrë që të mbajë Maqedoninë në orbitën e energjisë ruse.

  • Aktivitetet e inteligjencës ruse janë kryer nga ambasada e tyre në Shkup nga tre agjentë të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), të mbikëqyrur nga një stacion në kryeqytetin serb Beogradi, si dhe katër agjentë të GRU, të koordinuar nga Sofja e Bullgarisë. Për më tepër, Kremlini ka krijuar një ekip lokal të agjencisë ruse të lajmeve TASS dhe Rossotrudnichestvo dhe konsullatat e nderit në qytetet e Manastirit dhe Ohrit shërbejnë si “baza të inteligjencës”, pretendon dokumenti.

  • Përpjekje për të rekrutuar anëtarët e ushtrisë dhe policisë së Maqedonisë në mënyrë që të krijojnë një “masë kritike të personave të trajnuar ushtarak”, thotë dokumenti, që “në një moment ose situatë të caktuar politike do të përdoren për përmbushjen e interesave ruse.”

  • Përpjekjet për të ndikuar dhe financuar media maqedonase, përfshirë ato që synojnë pakicën shqiptare të vendit, me qëllim të përhapjes së “informacionit dhe dezinformimit” në mbështetje të qëllimeve të politikës ruse.

Përveç kësaj, ka pasur një rritje të konsiderueshme të ndikimit të Rusisë në kulturën e vendit, duke promovuar një ide të identitetit “pan-sllav” dhe besimit të përbashkët të krishterë ortodoks, thotë dokumenti i inteligjencës maqedonase, duke përmendur si shembull krijimin e afro 30 “Shoqatave miqësore” Maqedono-Ruse, hapja e një qendre kulturore ruse në Shkup dhe sponsorizimi i ndërtimit të kishave të stilit rus në të gjithë vendin.

Një aspekt tjetër është ndikimi më i gjerë ekonomik, jo i kufizuar në sektorin e energjisë. “Nëse ndikimi politik rus synon të shfrytëzojë dobësitë në shoqëritë e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe të dobësojë institucionet liberale, atëherë ndikimi ekonomik rus synon që të manipulojë dinamikën e sektorëve të caktuara të tregut dhe të shfrytëzojë boshllëqet e qeverisjes për të gjeneruar fitime të padrejta dhe të ndikojë në vendimmarrjen kombëtare.”, argumenton Raporti i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare mbi ndikimin rus në Evropën Lindore The Kremlin Playbook.

Një shembull për këtë në Maqedoni është ndërmarrja e mineraleve Sollvej Grup, e cila, përkundër pozicionimit të saj si një grup zviceran në pronësi të kontrolluar nga një shtetas Estonez, i ka rrënjët e saj ekonomike në bizneset e metalurgjisë dhe shërbimeve financiare në Rusi, disa prej të cilave lidhen me qarqet e afërta të Vladimir Putinit. Sollvej Grup është i përfshirë në shumë projekte që promovojnë interesat ruse – në atë masë që madje edhe qeveria e Moskës ka lobuar në emër të tyre, duke iu referuar si një “investim rus”. Në të vërtetë, megjithëse LSDM ka lëvizur drejt perëndimit në nivelin strategjik, duket se e ka mbajtur derën hapur për interesat e korporatave ruse. Partia ka mbrojtur një agjendë0 anti-minierash, duke anuluar lejet për gërmim të katër kompanive perëndimore që nga viti 2017. Megjithatë Sollvej Grup është kursyer, duke siguruar një leje për të zgjatur operacionet e saj edhe për 10 vjet të tjera.

Këto zhvillime sugjerojnë që ndarja midis LSDM-së si parti pro-perëndimore dhe VMRO-DPMNE-së si parti nacionaliste pro-ruse, mund të mos jetë aq e përsosur dhe e vërtetë sa duket nga jashtë.

Spiun për të gjithë sezonet

Në prill të 2017, ambasadori rus Oleg Shçerbak u takua me zyrtarin e lartë të ministrisë së jashtme maqedonase Nenad Kolev dhe gjoja i tha atij se qëllimi i Rusisë ishte që “të krijojë një rrip të vendeve neutrale ushtarake” në Ballkan, që përfshin Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën, Maqedoninë,  Serbinë etj, siç zbulohet nga dokumentet e sigurisë kombëtare të marra nga OCCRP.

Nuk është rastësi që ato janë edhe vendet në të cilat ka operuar një prej aseteve të GRU të ekspozuara së fundmi, Vladislav Fillipov. Aktualisht duke shërbyer si atashe ushtarak në Ambasadën Ruse në Sarajevë, Filipov është angazhuar për gati dhjetë vjet në aktivitete spiunazhi në rajon, siç shkruanin mediat shqiptare dhe servisi publik i Kosovës në vitin 2019.

Filipov u dërgua për herë të parë në Maqedoni në vitin 2009. Në vitin 2012, ai u dërgua në Shqipëri dhe më pas u dëbua nga qeveria në përgjigje të reagimit ndërkombëtar për sulmin Skripal. Servisi publik i Kosovës pretendon se gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni, Filippov rekrutoi ose lidhi partneritet me Goran Zhivaljeviç, një oficer i inteligjencës serbe. Të dy rregulluan vizitën e kreut të Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, Ivan Stoilkovic, në Moskë. Ata gjithashtu ishin të përfshirë në organizimin e sulmit të vitit 2017 në Parlamentin e Maqedonisë.

Dyshja e oficerëve të inteligjencës ruse dhe serbe gjithashtu formoi një lidhje me “gazetarin” dhe kritikun e Zaevit “, Mirosllav Lazanski, një‘ analist i shpeshtë ’për median e financuar nga Qeveria Ruse “Sputnik” dhe aktualisht ambasador serb në Moskë. Kundërzbulimi maqedonas implikoi gjithashtu Lazanskin si një nga propaganduesit kryesorë pro-Kremlinit në vend.

(Wag the dogs) Ktheni vëmendjen: Prezenca ruse në mediat e Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një importues i propagandës ruse, por edhe eksportues. Ka raste që gazetarët maqedonas marrin pjesë në fushatat hibride të Kremlinit në vendet e tjera. Fabrikat e grollëve nga Maqedonia e Veriut përdoren gjerësisht për përhapjen e dezinformatave në vendet e tjera, duke përfshirë edhe gjatë zgjedhjeve të SH.B.A.-së në vitin 2016, kur mbi 100 faqe interneti u kapën duke përhapur propagandë ndaj qytetarëve amerikanë, sipas CNN.

Një shembull tronditës i ndërhyrjes në SH.B.A. është Krum Velkov, një gazetar i pavarur me qendër në Strumicë, i cili në vitin 2016 shkroi një artikull në lidhje me konspiracionin “PizzaGate”, duke pretenduar se Hillary Clinton drejtonte një rrjet shërbime marrëdhëniesh seksuale për fëmijë nga një dyqan picash. Absurditeti i tregimit nuk e ndaloi atë për të marrë një mbulim të gjerë. Sipas fjalëve të vet Velkov, artikulli i tij u përkthye në shumë gjuhë dhe u shpërnda në shumë faqe alternative ’. Artikulli fillimisht u botua në faqen e internetit “Katehon” – një organizatë Think Tank e vetë-shpallur, e drejtuar nga një grup i imperialistëve Rusë që kanë mbështetur shumë fushata të tjera hibride, oligarku rus Konstantin Malofeev, këshilltari ekonomik i Putinit Sergey Glaziev dhe ish-kreu i Institutit Strategjik të Kremlinit, Gjeneral Reshetnikov. Roli i Konstantin Malofeev në nxitjen e luftës në Ukrainën Lindore është i mirë-dokumentuar, siç ka qenë edhe përfshirja e tij dhe e Reshetnikovit në aktivitete hibride, pro-Kremlin në Ballkan. Në vitin 2016, CIA gjithashtu konkludoi që ‘Katehon’ ishte pjesë e përpjekjeve të ndërhyrjes së Rusisë, siç raportohet nga New York Times.

Propaganda ruse është gjithashtu shumë e pranishme në vend. Nuk është për t’u habitur, se prania e Velkovit në rrjetet sociale është e mbushur me teori konspirative anti-perëndimore, anti-NATO dhe për një “Rend të ti botëror “. Në periudhën e fundit, ai gjithashtu pretendoi se pandemia e Covid-19 është një shaka gjeopolitike.

Në një nga artikujt e botuar nga Velkov tek filiali i “Katehon”, “Geopolitica”, në mars të vitit 2017, titullohet “Beteja e fundit për Maqedoninë” dhe përshkruan vendin si “të sulmuar prej përballë (politikisht dhe me luftë hibride dhe operacione psikologjike) nga demonët që vdesin nga shteti i kënetës anglo-amerikane, të cilët tani po humbasin kontrollin mbi botën çdo ditë. ”

Velkov nuk shkruan vetëm për gjeopolitikën, por ai gjithashtu duket se promovon interesat ekonomike ruse. Velkov dhe ndihmësi i tij Angel Nakov po udhëheqin fushata kundër projekteve tregtare perëndimore, siç janë “Mineralet e rezervuarit “ nga Kanadaja që punojnë në malin “Kozhuv” dhe projektit të minierave “Kazandoll”, që drejtohet nga ndërmarrja ukrainaso-britanike, “Sardiç”. Ai është gjithashtu një mbështetës i madh i një prej grupeve anti-minierave që bën fushatë kundër koncesionit të minierës “Ilovica-Shtuka”, të cilët e quajnë veten “Lugina e Shëndetshme”. Në nga kontratat e koncesionit u revokua nga qeveria e Zaevit në vitin 2019, pjesërisht për shkak të presionit nga këta aktivistë.

Përkrahësit e marrëveshjes pohuan se dezinformimi dhe propaganda anti-perëndimore ishin një faktor i rëndësishëm në kthesën e ngjarjeve. Disa nga pretendimet mund t’i atribuohen shqetësimeve mjedisore, megjithatë ekzistojnë edhe shembuj të dukshëm të propagandës dhe gënjeshtrave të plota. Kishte pohime apokaliptike që projekti do të shkatërronte tokën, ujin dhe ajrin, pavarësisht standardeve mjedisore të cilat janë të detyrueshme për projektin.

Një dyshe tjetër e apologjetëve të Kremlinit është gjithashtu përfaqësues i llojit të njerëzve mbi të cilët mbështetet Moska – propagandistë të ish udhëheqësve autoritarë. Disa nga mbrojtësit më të spikatur të Nikolla Gruevskit, ish-udhëheqësi autoritar i vendit, u shndërruan në teoricienë histerikë të teorive konspirative pro ruse pas rënies së tij. Mirka Velinovska dhe Milenko Nedellkovski që kishin një prani të konsiderueshme në media dhe shtypin e Maqedonisë së Veriut, janë gjithashtu kontribues në “Katahon” të Malofeev, dhe Velinovska ka marrë një çmim nderi rus pikërisht për kontributin e saj në “edukimin e rinisë”.

Ata vazhdojnë të përhapin dezinformata, përfshirë edhe për koronavirusin. Në një artikull të fundit, Velinovska përshkroi masat pandemike si ‘ Korona fashizëm ‘ duke i krahasuar me  kampet e përqendrimit të regjimit nazist. Duke nënkuptuar se i gjithë virusi është pjesë e një komploti nga Bill Gejts, BE, NATO dhe disa të tjerë për të përfshirë Maqedoninë në një luftë midis Evropës dhe Azisë. Velinovska vazhdon të konsiderohet si një zë me ndikim, që lidhet me ish-liderin Nikolla Gruevski dhe rrjedhimisht me njërën nga partitë kryesore VMRO-DPMNE.

Ajo dhe Nedellkovski janë gjithashtu përkrahës të frikshëm të luftërave kulturore të Maqedonisë së Veriut me fqinjët e saj, Bullgarinë dhe Greqinë, të cilat shihen si një nga pengesat kryesore për integrimin perëndimor të vendit.

Përfundimi

Deklaratat e qarta siç është ajo e Ambasadorit Rus, Oleg Shçerbak, se Moska dëshiron të “krijojë një rrip të vendeve neutrale ushtarake” në Ballkan, shpesh nuk korrespondojnë me potencialin e vërtetë të Rusisë për domethënie gjeopolitike në rajon. Kjo ngre pyetje në lidhje me qëllimin e vërtetë pas strategjisë së Kremlinit.

“Ballkani Perëndimor është pjesë kryesore e strategjisë së Rusisë për t’u vendosur si një lojtar i nivelit të parë në çështjet e sigurisë evropiane, së bashku me shtetet e tjera të mëdha si Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.” shkruan Dimitar Beçev, një studiues i Këshillit Atlantik dhe autor i Rival Power: Rusia në Evropën Juglindore. Rajoni ka qenë gjithnjë me rëndësi strategjike, duke qëndruar në mes të Evropës Perëndimore, Rusisë dhe Lindjes së Mesme, dhe në qendër të debatit për zgjerimin e NATO-s dhe BE-së.

“Të kesh një themel në Ballkan do të thotë të kesh të drejtë të fjalës për çështje strategjike, të cilat janë me pasojë të drejtpërdrejtë për Rusinë. Moska drejtohet nga gjeopolitika, me shqetësime të tjera siç janë interesat ekonomike ose lidhjet historike me sllavët e Jugut ose kombet e tjera ortodokse që luajnë një rol dytësor. Ai e sheh Ballkanin si një periferi të prekshme të Evropës, ku Rusia mund të ndërtojë një terren, të rekrutojë mbështetës dhe, në fund të fundit, të maksimizojë ndikimin e saj përballë Perëndimit, “vazhdon Beçev.

Rusia nuk mund të ndalojë integrimin perëndimor të Ballkanit Perëndimor. Në të vërtetë, është e dyshimtë që ata madje ofrojnë një alternative të vërtetë për të. Sidoqoftë, Moska përdor ndikimin  e saj për të penguar përparimin e këtyre vendeve, të nxisë mosmarrëveshje, të ruajë lidhjet e saj ekonomike dhe politike dhe në fund të fundit të rrisë rëndësinë e saj gjeo-strategjike.

Ky artikull është zhvilluar me mbështetjen e Journalismfund.eu (www.journalismfund.eu)

 

Burim: Bellingcat.com

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.