Një teori në kundërshtim me faktet historike shpërndahet ndër vite në momente kyçe për shtetin, midis atyre që e kanë shpërndarë është edhe një doktor i shkencës

Kurdoherë që Maqedonia e Veriut bën një hap të rëndësishëm në rrugën e saj perëndimore, “krejt rastësisht” ndikimi që vjen nga Rusia fillon të publikohet dhe të shpërndahet në sferën mediatike. Situata aktuale nuk përjashtohet nga kjo prirje, tani kur shtetit duhet t’i miratohet korniza për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Më 16 nëntor, profesor Tanja Karakamisheva në profilin e saj në Facebook postoi screenshot të një teksti, ndërsa në përshkrim shkruajti “Mirëmëngjesi, maqedonas të famshëm … emri ynë është i madh, prandaj duan të na shkatërrojnë!”

Siç mund të shihet në screenshot, deri në momentin e përpilimit të artikullit tonë, postimi ka mbi 2.000 interaksione dhe 750 shpërndarje, shifra që dëshmojnë se postimi ka arritur deri te një numër i madh i përdoruesve të Facebook në një kohë relativisht të shkurtër. Qëllimi kryesor i shënimit në screenshot është se rusët dhe moskovitët (një emër për rusët gjatë mesjetës) ishin pasardhës të maqedonasve të antikë dhe se ata kishin folur gjuhën që flisnin dikur maqedonasit antikë. Ne nuk kemi mundur të gjejmë informacione nëse ekziston një Kronikë e shekullit të 7-të në Bibliotekën popullore të Moskës, por kushdo që ka mësuar histori në shkollë fillore e di se kjo teori është në kundërshtim me faktet historike që thonë se në shekullin e gjashtë sllavët (prej ku kanë prejardhje edhe rusët) kanë filluar migrimin në veri-lindje dhe jug-perëndim të zonës që ndodhet në veri të Karpateve, kështu që rusët në asnjë rast nuk mund të ishin pasardhës të maqedonasve antikë.

Ajo që ishte më interesante për hulumtim është kur ky shënim ka filluar të shfaqet në internet dhe në rrjete sociale. Ekipi F2N2 arriti të gjente prova se ka qenë i pranishëm që nga viti 2007 e deri më sot, kështu që në mënyrë kronologjike do t’ju paraqesim se si është ricikluar dhe publikuar ky postim me kalimin e viteve. Le të fillojmë me radhë:

2007 – Pretendimi i këtillë rezulton nga dalja e historianit Petar Popovski në emisionin “Në qendër”, transmetuar në vitin 2007.

2012 – Shënimin e parë me shkrim që ekipi F2N2 arriti të gjejë është publikuar në strumjan.blogspot.com, më 27 mars të vitit 2012.

2014 – Shënimi është publikuar në faqen e internetit Makedonska nacija (Kombi maqedonas), më 13 gusht 2014.

2016 – Historiani Petar Popovski ishte përsëri i ftuar në emisionin “Në qendër” ku kishte folur për të njëjtën temë (data e transmetimit të emisionit nuk dihet, sepse videoja u hoq nga YouTube), por një fragment nga paraqitja e tij është postuar në Facebook faqen “Sekula Vojvoda Fan Club“, më 14 janar 2016.

2018 – Më 9 mars të vitit 2018, shënimi identik u postua në faqen e Facebook “Makedonija i Rusija † Pravoslaven Sojuz” (Maqedonia dhe Rusia † Bashkimi Ortodoks). Më 14 gusht të të njëjtit vit, postimi u publikua në portalin Dudinka, ndërsa në të njëjtën ditë u postua edhe në faqen në Facebook “Milenko Nedelkovski” (portali Dudinka është në pronësi të Milenko Nedelkovski). Të nesërmen, më 15 gusht, fragment nga citimi u publikua në portalet Vesnik-Ilinden.com dhe Horoskop-krajnicki.com. Citati u publikua në portalin Pogled.mk më 16 shtator të vitit 2018, ndërsa më 22 të të njëjtit muaj, në portalin Makedoniaese.com.

2019 – Web-faqja “Makedonska nacija” (Kombi maqedonas) përsëri e ka publikuar deklaratën e Petar Popovskit më 18 shtator 2019.

2020 – Më 15 gusht të këtij viti, faqja në Facebook “Makedonija na Makedoncite” (Maqedonia e maqedonasve) e publikon citatin, me atë që në postim është përmendur vizita e ish-presidentit Gjorge Ivanov në Kremlin në vitin 2017, ndërsa është publikuar edhe video e deklaratës së presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, deklaratë e dhënë më 24 maj të vitit 2016. Vlen të përmendet se postimi ka më shumë se 1.200 shpërndarje. Të njëjtën ditë, posti është ripostuar në faqen në Facebook “Vidi Vidi“. Më 12 nëntor, faqja në Facebook “Makedonija i Rusija † Pravoslaven Sojuz” (Maqedonia dhe Rusia † Bashkimi Ortodoks) përsëri e ka publikuar, në fakt, e ka ripublikuar postimin nga faqja “Sekula Vojvoda Fan Club” e publikuar në vitin 2016. Siç mund të konkludojmë që nga fillimi i artikullit tonë, postimi i fundit i këtij shënimi është në profilin e profesoreshë Tanja Karakamisheva. Portali i vetëm që e publikoi postimin e saj është portali Makedonskivesnik.com.

Tetë vite të plota, një shënim i njejtë, i cili paraqet gabimisht historinë, ka qarkulluar në rrjetet sociale dhe media, ndërsa për herë të parë është publikuar 13 vite më parë. Supozojmë se do të rishfaqet edhe në të ardhmen, sepse ndikimi që vjen nga Rusia dhe i referohet Ballkanit, është gjithmonë i pranishëm. Këtu mund të zbuloni më shumë rreth ndikimit rus në Maqedoninë e Veriut.

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.