Para shumë viteve kur për herë të parë fillova të përdor internetin, me gjasë kah fundi i viteve të nëntëdhjeta, thjesht isha i mahnitur nga mundësia që të kisha qasje në informacione të pakufizuara e të bollshme. Nuk mund të ndaloja së lexuari. Lexoja pothuajse gjithçka. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, shpeshherë e printoja atë që shihja në ekran – që ta kem për çdo rast. Papritur, tani më nuk kisha nevojë të shkoja në bibliotekë për të kërkuar diçka, nuk kisha nevojë të huazoja dhe të blija ndonjë gjë. Thjeshtë të gjitha i kisha para meje. Isha i pangopur, mendova që më në fund kishte ardhur koha që tani ti mësoj të gjitha të vërtetat. Bile, ndonjëherë edhe kisha një ndjenjë faji se “aq shumë po kërkoja nga Google“.
Edhe pse isha i edukuar që të mos besoj në gjithçka që lexoj, duhet të pranoj që ndonjëherë sfida ishte e madhe. Pas aq shumë orëve të kaluara në internet thjeshtë më nuk isha në gjendje ti dalloj se cilat ishin burimet relevante të informacionit, çfarë ishte e vërtetë, e çfarë një sajim. Shpeshherë mbetesha shumë i hutuar, i shqetësuar dhe i zhgënjyer. Atëbotë hutimin tim e justifikoja me mungesën e përvojës dhe njohurive. Sot pas kaq shumë viteve, përvojave, diploma dhe njohuri të akumuluara, më mbetet akoma të pranoj se pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim, ndërsa ajo që kisha përjetuar tani ka një emër, quhet teknostres.
Shpërndarja e menjëhershme e informacionit në internet është padyshim shumë e dobishme për të gjithë ne si individë, por edhe si civilizim. Thjeshtësia e postimit të informacionit në internet krijon edhe mundësi që të abuzohet me të njëjtin. Gjithkush mund të shpikë histori që shpesh duken identike me ato të gazetarisë moderne. Shumë shpesh ato janë dizajnuara në mënyrë të tillë që të duket kinse të dobishme për ne dhe të na bien në sy. Përmbajtjet e tilla ngjallin lehtësisht kureshtjen e lexuesit. Realiteti kufizon sasinë e tregimeve të vërteta, por imagjinata jonë mund të jetë e pakufizuar.
Ndoshta kemi përshtypje se lajmet e rreme, “faktet” alternative dhe dezinformatat po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në diskursin publik. Nuk e di nëse është kështu se ne tani jemi më të vetëdijshëm për ekzistencën dhe përdorimin e tyre, ose thjesht jemi të alarmuar dhe të shqetësuar nga fuqia e tyre. Lajmet e rreme po bëhen shumë të pranishme, të famshme por dhe të rrezikshme në të njëjtën kohë. Edhe pse shumë janë shumë aktuale në vitet e fundit, lajmet e rreme nuk janë dukuri e re, ka prova që lajmet e rreme kanë ndikuar në tregjet e letrave me vlerë që nga viti 1803. Industri të tëra në të kaluarën janë ngritur me ndihmë të lajmeve të rreme. Sidoqoftë, në kushtet e sotme socio-ekonomike dhe në kombinim me përdorimin e teknologjisë së avancuar, ndikimi i tyre është jashtëzakonisht shumë i madh.
Përshtypja e përgjithshme është se jemi bërë shoqëri në të cilën suksesi matet me numrin e pëlqimeve, klikimeve dhe shpërndarjeve. Kjo paraqet një bazë të shkëlqyer për shfaqjen e lajmeve të rreme. Formula është e thjeshtë: titulli sensacional, sa më skandaloz, plus informacion i rremë e barabartë me profit. Përdorimi i lajmeve të rreme po bëhet shumë i popullarizuar si nga aspekti komercial, ashtu edhe nga ai politik. Është shumë e thjeshtë të krijosh dhe të shpërndash një lajmë të rremë ndërsa tepër e vështirë ta identifikosh si të tillë. Thjesht, krijuesit e lajmeve të rreme, ndryshe nga profesionistët, nuk kanë pse të hulumtojnë ose të argumentojnë, kështu që ata prodhojnë me lehtësi lajme të rreme. Nga njëra anë, kjo lejon një prodhim në masë të lajmeve të rreme e nga ana tjetër e bëjnë pothuajse të padukshëm lajmin e vërtetë edhe atëherë kur ai mund të argumentohet.
Zhvillimi i demokracisë dhe përmirësimi i cilësisë së jetës përmes aplikimit dhe shpërndarjes së dijes rrezikohet qenësisht nga ky lloj i ri i armëve – lajmi i rremë. Sigurisht, liria e shprehjes dhe media janë të domosdoshme për demokracinë, por që demokracia të jetë e qëndrueshme dhe funksionale nuk është e mjaftueshme vetëm që qytetarët të jenë aktivë dhe të kyçur në procese, por ato gjithashtu duhet të jenë të mirinformuar. Vetëm një individ i informuar siç duhet mund të marrë vendime të bazuara në njohuri cilësore. Publiku i painformuar ose i keqinformuar nuk mund të marrë vendime të arsyeshme, të marrë pjesë në jetën shoqërore dhe të kontrollojë pushtetin.
Lajmet e rreme jo vetëm që do të na mashtrojnë, por edhe do ta sfidojnë besimin tonë tek burimet legjitime dhe relevante të lajmeve. Shfaqen portale të panumërta pa redaksi, tekste pa autor. Këto “media” na krijojnë perceptim të gabuar për “pluralizëm mediatik” dhe nuk punojnë mbi parimet e gazetarisë. Ato ndoshta kanë bërë një hap të madh përpara për të qenë sa më të pranishëm te lexuesi, me një mori të informacioneve, por në shumicën e rasteve ato mbeten larg nga parimet themelore të gazetarisë moderne.
Liria e shprehjes konsiston në lirinë e mendimit dhe lirinë e shprehjes dhe ka kufizime të caktuara (p.sh. gjuha e urrejtjes, fyerja). Të drejtat dhe liritë e njeriut kanë një kufi të qartë – të drejtat dhe liritë e tjetrit. Liria e shprehjes ngërthen gjithashtu kulturën e shprehjes, pra ruajtjen e vlerave themelore njerëzore.
Në këtë drejtim edhe Neni 10 nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut ku ceket liria e shprehjes thotë: Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor. Pra, të drejtat e njeriut nuk janë as absolute dhe as të pakontrollueshme, përkundrazi. Por këtu lind problemi më i madh, sa dhe në çfarë mase janë të domosdoshme dhe adekuate kufizimet dhe kontrollet në një shoqëri demokratike, vallë ato synojnë mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve apo kanë një qëllim tjetër.
Vazhdon
Mr.Sc. Luan Imeri
FINANCOHET NGA
Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.
PARTNERËT