Pakti i mossulmimit midis Gjermanisë dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike

 

Qeveria e Rajhut Gjerman dhe Qeveria e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, me dëshirën për të përforcuar paqen midis Gjermanisë dhe BRSS, të udhëhequr nga dispozitat themelore të Paktit të neutralitetit të prillit të vitit 1926 midis Gjermanisë dhe BRSS, lidhën Paktin e mëposhtëm:

 

Neni 1. Të dy palët kontraktuese marrin përsipër të përmbahen nga çdo dhunë, nga çdo veprim agresiv dhe çdo sulm kundër njëri-tjetrit, si veçmas ashtu dhe bashkërisht me shtete të tjera.

 

Neni 2. Në rast se njëra nga palët kontraktuese bëhet objekt i veprimit ushtarak nga një shtet i tretë, pala tjetër kontraktuese nuk do ta mbështesë këtë shtet në asnjë formë.

 

Neni 3. Qeveritë e të dy palëve kontraktuese në të ardhmen do të mbajnë komunikim të vazhdueshëm me njëri tjetrin, me qëllim të shkëmbimit të informacioneve për çështje që I tangojnë interesat e tyre të përbashkëta.

 

Neni 4. Në rast kontesti ose konflikti ndërmjet palëve kontraktuese, asnjëra pale nuk do të anëtarësohet në bashkim shtetesh që drejtohet drejtpërdrejt ose indirekt kundër tjetrës palë.

 

Neni 5. Në rast kontesti ose konflikti ndërmjet palëve kontraktuese për çdo lloj problemi, të dy palët do t’i zgjidhin këto mosmarrëveshje ose konflikte ekskluzivisht përmes shkëmbimit miqësor të pikëpamjeve ose, nëse është e nevojshme, duke themeluar komisione arbitrare.

 

Neni 6. Ky pakt lidhet për periudhë 10 vjeçare, me klauzolën që nëse ndonjëra nga palët kontraktuese nuk e njofton përfundimin e paktit më së voni një vit para skadimit të kësaj periudhe, afati i Paktit do të vazhdojë automatikisht për 5 vite të tjera.

 

Neni 7. Ky Pakt do t’I nënshtrohet ratifikimit sa më shpejtë të jetë e mundur. Shkëmbimi i ratifikimeve do të bëhet në Berlin. Pakti hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të tij.

 

Protokolli shtesë i fshehtë

 

Neni 1. Në rast të një riorganizimi territorial dhe politik të rajoneve që janë pjesë e shteteve të Balltikut (Finlanda, Estonia, Letonia, Lituania), kufiri verior i Lituanisë është në të njëjtën kohë kufiri i zonave të ndikimit midis Gjermanisë dhe BRSS-së. Në të njëjtën kohë, interesi I Lituanisë lidhur me rajonin Vilna njihet nga të dyja palët.

 

Neni 2. Në rast të një riorganizimi territorial dhe politik të territoreve që i përkasin shtetit polak, kufijtë e zonave të ndikimit të Gjermanisë dhe BRSS do të shtrihen afërsisht përgjatë vijës së lumenjve Narev, Visla dhe Sana.

 

Çështja nëse interesi i të dy palëve do të jetë ruajtja e shtetit të pavarur polak dhe në cilat kufinj e njejta do të mbetet, mund të përcaktohet përfundimisht në përputhje me zhvillimin e mëtejshëm të situatës politike.

Në çdo rast, të dy qeveritë do ta zgjidhin këtë çështje përmes një marrëveshjeje miqësore.

 

Neni 3. Sa i përket Evropës Juglindore, pala sovjetike shpreh interes për Besarabinë. Pala gjermane shpreh mosinteresim të plotë për këto zona.

 

Neni 4. Ky protokoll do të konsiderohet të jetë rreptësisht i fshehtë nga të dyja palët.

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2023 F2N2.