Analiza e Qendrës për studime demokratike për ndikimin e Rusisë dhe Kinës në Ballkan pas dështimit të BE-së për të dërguar një sinjal të qartë për të ardhmen e rajonit Qendra për Studime Demokratike në Sofje menjëherë pas fiaskos së Brukselit me bllokadën franceze për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, publikoi hulumtim i cili tregon se si Rusia menjëherë është aktivizuar. Sipas tyre, Kremlini ka filluar menjëherë ofensivën, para se gjithash përmes oligarkëve të tyre në Ballkan, që të shfrytëzojë vakuumin dhe të zgjerojë ndikimin e saj në vendet e Ballkanit. Kjo është pjesa e parë nga tre pjesët e hulumtimit. Vendimi i tetorit të vitit 2019 i Bashkimit Evropian, për të mos filluar negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është vetëm një shenjë paralajmëruese që BE-ja mund të mos dëshirojë dhe/ose nuk mund të investojë kapitalin e nevojshëm politik për integrimin e Ballkanit në kuadrin e bashkësisë euroatlantike. Ky vendim i papritur minoi besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së, si dhe procesin e Berlinit të iniciuar nga Gjermania në vitin 2014, i cili duhej të siguronte të ardhmen evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo dobësoi më tej forcën gravitacionale të BE-së, duke krijuar një vakum (boshllëk) më të madh politik në rajon që forcat autoritare si Rusia dhe Kina nxituan të shfrytëzojnë. Ata përdorin regresin e proceseve demokratike, korrupsionin e përhapur dhe "kapjen" e shteteve për të rritur ndikimin e tyre ekonomik dhe politik në rajon, thuhet në analizën e Qendrës për studime demokratike me qendër në Sofje. Analiza përcakton pikat e mëposhtme si kyçe për qëllimet strategjike të diplomacisë ruse dhe kineze në rajonin e Evropës Juglindore të përcaktuara pas dështimit të Këshillit Evropian për të dërguar një mesazh të qartë për të ardhmen e këtij rajoni. Pikat kyçe
Dobësimi i forcës gravitacionale të BE-së lë një boshllëk politik në rajon që forcat autoritare si Rusia dhe Kina mund ta mbushin me lehtësi. Ata përdorin regresionin demokratik dhe "kapjen" e përhapur të shteteve midis institucioneve jofunksionale, për të rritur ndikimin e tyre ekonomik dhe politik.
Ndikimi ekonomik rus u zvogëlua pas sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së në 2014, por kompanitë ruse ende kontrollojnë midis 5 dhe 10% të ekonomisë rajonale, përfshirë këtu edhe kompanitë strategjike siç janë rafineritë kryesore, rrjetet e shpërndarjes së karburantit, kapacitetet për transmetim dhe ruajtjen e gazit, ndërmarrjeve të telekomit dhe zinxhirëve të shitjes me pakicë.
Rusia ka "kapur" qeveritë në rajon në projekte të kushtueshme masive, të cilat rrjetet e biznesit vendas dhe rus i përdorin si burim i një ndikimi të rëndësishëm ndaj vendimmarrësve dhe insitucioneve.
Kremlini e ka përforcuar ndikimin dhe fuqinë e tij në rajon duke përdorur të gjitha instrumentet taktike siç janë: mbështetje e partive të mëdha dhe të vogla politike, përdorimi i mediave, lidhje kulturore dhe fetare, sponsorizimi i aktiviteteve të shoqërisë civile dhe përdorimi i lidhjeve nga shërbimet e mëparshme të sigurisë.
Shtetet e Evropës Juglindore, me ndihmën e BE-së, duhet të zbatojnë strategji të ndryshme për të kundërshtuar "kapjen" e shteteve në sektorët strategjikë ekonomikë dhe të tërheqin një larmi investimesh direkte të huaja.
Organet për parandalim të larjes së parave dhe mbrojtjes së konkurrencës duhet të punojnë për të identifikuar qartë pronën e paluajtshme përfundimtare, duke parandaluar hyrjen e kapitalit të paligjshëm në rajon, dhe të punojnë kryesisht në rreziqet e kapitalit të shteteve autoritare që shërbejnë për qëllime politike, në veçanti projekte masive infrastrukturore.
FINANCOHET NGA
Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.
PARTNERËT