Moska, Teherani dhe Damasku kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur Shtetet e Bashkuara të Amerikës se tranojnë luftëtarë për Shtetin Islamik në garnizonin al-Tanf në Siri, por gjithçka që ata kanë arritur të bëjnë është të pendohen për këtë. Në realitet, baza prish rrjedhën e armëve nga Iraku në Siri. Gjithashtu, baza amerikane në Siri, vazhdon të jetë kripë në sytë e Rusisë dhe Iranit.
Ekspertët për ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm po monitorojnë nga afër çdo hap të ndërmarrë në Siri, shumica pajtohen se fuqia e organizatës terroriste të Shtetit Islamik ka rënë ndjeshëm dhe se ato, edhe pse janë joaktive, akoma ekzistojnë. Por ky fakt nuk duket se është në favor të makinerisë ruse të teorive konspirative.
Përkatësisht, më 19 maj, në online portalin Tocka u publikua një artikull të titulluar “Projekt Siria: Një terrorist i arratisur Sirian ka zbuluar lidhjen midis Shtetit Islamik dhe Pentagonit”, e befasuar nga titulli, vendosa të lexoj tekstin dhe natyrisht u zhgënjeva, sepse nuk ishin atribuar fakte, ishin përdorur fotografi burimi i të cilave mungon dhe janë shkruar shumë gjëra të tjera që nuk kanë kuptim. Por nëse nuk do të përmendej emri Abu Hamza i cili kinse kishte bashkëpunuar me gazetarët rusë, me siguri do ta kisha injoruar tekstin vetëm si dezinformatë.
Kush është famëkeqi Abu Hamza?
Nuk ekziston njeri që ka punuar në fushën e ekstremizmit të dhunshëm e që nuk ka dëgjuar për të famshmin Abu Hamza, ai është një prift egjiptian i cili ka qenë imam në Xhaminë e Finsburi Park në Londër, Angli, ku ka predikuar fundamentalizmin islam dhe Islamin militant. Hamza u arrestua nga policia britanike në 2004 pasi Shtetet e Bashkuara kërkuan që ai të ekstradohej për t’u përballuar me akuzat kundër tij. Ai u akuzua më vonë nga autoritetet britanike për gjashtëmbëdhjetë akuza për nxitje të dhunës dhe urrejtjes racore. Në vitin 2006, gjykata britanike e shpalli fajtor për nxitje të dhunës dhe e dënoi atë me shtatë vite burg. Më 5 tetor të vitit 2012, pas një beteje ligjore tetë vjeçare, ai u ekstradua nga Britania e Madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u përballur me akuza për terrorizëm, dhe më 14 prill të vitit 2014, gjykimi i tij filloi në New York. Më 19 maj të vitit 2014, Hamza u shpall fajtor për njëmbëdhjetë akuza për terrorizëm nga juria në Manhattan. Më 9 janar të vitit 2015, ai u dënua me burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht[1].
Që do të thotë se është e pamundur që Ebu Hamza të jetë i njëjti për të cilin Tocka pretendon se “Hamza është komandanti i një grupi terrorist, e cila ka kaluar në anën e forcave qeveritare“. Pikërisht kjo fjali dhe fotografitë e ilustruara të portalit më nxitën që të hulumtoj më tepër për artikulline Tocka, që nuk jep asnjë informacion në lidhje me burimin e lajmit. Në fotografinë e shpërndarë nga portali, nuk shihet fare Ebu Hamza, e them këtë sepse ai ka karakteristika të njohura fizike. Përkatësisht, në vitin 1987, pasi u takua me Abdullah Azamin, një përkrahës me ndikim i idesë se muslimanët ishin të detyruar të kryenin xhihad, Abu Hamza u transferua në Afganistan. Rreth kësaj ngjarje, ai humbi syrin dhe të dy duart. Të dhënat për saktësisht se si dhe ku ka ndodhur aksidenti janë të diskutueshme. Karakteristikat e tij specifike thuhet se janë rezultat i një shpërthimi derisa ka marrë pjesë në një projekt të deminimit në Xhalalabad, Afganistan. Por në gjykimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Abu Hamza ka thënë se kjo ka ndodhur derisa ka punuar me ushtrinë pakistaneze në Lahore, kur eksperimenti me eksploziv nuk kishte shkuar ashtu siç ishte planifikuar.
Sidoqoftë, le të kthehemi te fotografia e ilustruar pas storjes së Tocka.
Gjithçka do të ishte mirë nëse kjo foto, e cila nuk ka asnjë lidhje me atë që është publikuar, nuk do të shpërndahej. Në foto duken ushtarë të armatës siriane në zonën al-Rashidin të provincës Alepo, Siri, fotografi e publikuar nga SANA në 16 shkurt të vitit 2020. (SANA / publikuar përmes Reuters). Storja e vërtetë pas kësaj fotografie është e ndryshme. Më 16 shkurt të vitit 2020, ushtria Siriane njoftoi se trupat e saj kishin rikthyer kontrollin e territoreve në veriperëndim të Sirisë në kohë rekord, duke premtuar se do të vazhdojnë t’i përzënë grupet e armatosura “kudo që të jenë”.
Gjatë hulumtimit të thellë, arrita ta gjej lajmin e njejtë të shpërndarë në web-portalin Sputnik Serbia, agjenci e njohur ruse e lajmeve me origjinë nga RIA Novosti. Në Ballkan, agjendën e tyre mediatike e prezanton përmes zyrës rajonale – Sputnik Serbia[2]. Për dallim nga sharlatanizmi i Tocka, në Sputnik as nuk janë përpjekur për të shpikur një histori të re, por e kanë kopjuar direkt lajmin nga një portal tjetër, i cili është publikuesi primar i këtij lajmi – tvzvezda.ru.
Tabloidi Patriotik – Telekanal Zvezda
Në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Zvezda transmeton programe televizive, prodhon online storje dhe radio programe që lidhen me ushtri dhe tema të tjera, të tilla si çështje politike dhe sociale. Zvezda përshkruhet si “patriotike”, që në Rusi përkthehet si besnike ndaj qeverisë. Zvezda është gjithashtu e njohur për stilin e saj që kufizohet me gazetarinë tabloide – si dhe për shpërndarjen e dezinformatave të plota[3].
Projekt Teoria e Konspiracionit
Në storjen e Zvezda e publikuar më 19 maj, qëndron; “Bëhet e njohur skema me të cilën ushtria amerikane po punon në Siri, për të justifikuar praninë e tyre në rajon. Një ish anëtar i opozitës, dhe sot një nga dëshmitarët kryesorë në Damask, Hanam Samir, (i njohur si) Abu Hamza, foli për taktikat e Pentagonit. Sipas Zvezda, Hanam Samir tani është nën mbrojtje speciale, ai konsiderohet si një dëshmitarë i rëndësishëm për atë se çfarë po ndodh një jug të Sirisë. Kinse, sipas të thënave të Samir, “në territoret e kontrolluara nga SHBA ekziston një kamp i vërtetë trainimi për militantët.”
E gjithë kjo duket mjaft kontradiktore, sepse në vet portalin mund të shihet fytyra e Samirit, i cili jep deklaratë për video inçizim, dhe i cili konsiderohet “dëshmitar i rëndësishëm – nën një mbrojtje të veçantë”.
Asgjë e re në Lindje
Al-Tanf është bazë ushtarake amerikane në Homs që ndodhet 24 km në perëndim të vendkalimit kufitar Al-Tanf në shkretëtirën Siriane. Zona e mbrojtur përreth ndodhet përgjatë kufirit me Irakun dhe Jordaninë – Sirinë. Baza është e vendosur në rrugën kritike të njohur si autostrada M2 Bagdad-Damask. Prania e konsiderueshme ushtarake amerikane në port filloi në fillim të vitit 2016, gjatë ndërhyrjes të drejtuar nga SHBA në luftën civile Siriane, për të trajnuar luftëtarët kundër Shtetit Islamik të quajtur Armata e Re Siriane (New Syrian Army), e cila më parë ishte shpërndarë, por në dhjetor të vitit 2016 ajo u rishfaq si Ushtria Revolucionare Komando (Revolutionary Commando Army). Duke filluar nga viti 2020, baza al-Tanf vazhdon të shërbejë si seli e Ushtrisë Revolucionare dhe një kontigjent ndërluftues i të paktën 200 trupave amerikane që punojnë në emër të koalicionit CJTF-OIR.
Edhe përkundër ankesave nga Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë quajtur bazën al-Tanf si kundër-ndikim për koalicionin Rusi-Siri-Iran. Këtu gjendet edhe kampi i refugjatëve Rukban, që i përket zonës së sigurt.
Më 18 maj të vitit 2016, online portali Bellingcat publikoi artikull të detajuar mbi trajnimet dhe pajisjet që Ushtria e Re Siriane (NSA) merr nga baza ushtarake amerikane[4].
Më 16 qershor 2016, më shumë sulme ajrore goditën kampin e Ushtrisë së Re Siriane në vendkalimin kufitar al-Tanf në Siri. Këto sulme ajrore shkatërruan ndërtesa, automjete dhe pajisje. Dy luftëtarë të NSA u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmet ajrore. NSA është pjesë kryesore e programit “Trajno dhe Pajis” e qeverisë amerikane, e ngritur për të armatosur grupet rebele që luftojnë ISIS. NSA është verifikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Jordanit për të siguruar që ata nuk do të jenë pjesë e ekstremistëve. Disa qindra kilometra nga linja më e afërt kryesore e qeverisë, NSA kurrë nuk ka luftuar një grup tjetër përveç ISIS-it. Kështu, sulmet ajrore që goditën NSA në 16 qershor vetëm ndihmuan ISIS-in në terren. Kjo është një kundërshtim i drejtpërdrejtë i qëllimit të deklaruar të Rusisë për mposhtjen e ISIS[5].
Më 13 shtator të vitit 2018, Rusia dhe qeveria siriane paralajmëruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të shtatorit se kishin planifikuar të kryenin operacione anti-terroriste në afërsi të garnizonit kryesor amerikan në juglindje të Sirisë. Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan me një stërvitje të drejtpërdrejtë, me çka rusët u tërhoqën[6].
Si përfundim, teoritë e konspiracionit kundër kësaj baze nuk janë të reja dhe sigurisht nuk do të jenë të fundit. Moska, Teherani dhe Damasku kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur Shtetet e Bashkuara të Amerikës se tranojnë luftëtarë për Shtetin Islamik në garnizonin al-Tanf në Siri, por gjithçka që ata kanë arritur të bëjnë është të pendohen për këtë. Në realitet, baza prish rrjedhën e armëve nga Iraku në Siri. Gjithashtu, baza amerikane në Siri vazhdon të jetë faktor i stabilitetit, kripë në sytë e Rusisë dhe Iranit.
Meral Musli Tajroska – psikologe, konsultante për ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, aktiviste për barazi gjinore.
[1] https://www.bbc.com/news/uk-11701269
[2] https://f2n2.mk/%d1%81%d0%bf%d1%83%d1%82%d0%bd%d0%b8%d0%ba-%d0%b5-%d0%b3%d0%bb%d0%b0%d1%81%d0%bd%d0%b8%d0%ba%d0%be%d1%82-%d0%bd%d0%b0-%d0%bf%d1%80%d0%be%d0%bf%d0%b0%d0%b3%d0%b0%d0%bd%d0%b4%d0%b0%d1%82%d0%b0-%d0%be/
[3] https://euvsdisinfo.eu/dependent-media-russias-military-tv-zvezda/
[4] https://www.bellingcat.com/news/mena/2016/05/18/15579/
[5] https://www.bellingcat.com/news/2017/06/20/al-tanf-bombing-russia-assisted-isis-attacking-us-backed-fsa-group-cluster-bombs-2/
[6] https://www.reuters.com/article/us-mideast-crisis-syria-usa-rebels/u-s-marines-conduct-big-drills-with-rebels-in-southern-syria-idUSKCN1LT2V5
FINANCOHET NGA
Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.
PARTNERËT