Dhe gjatë kohës kur në Maqedoninë e Veriut, në këtë fazë, një strategji e tillë nuk i sjell asnjë kredi Qeverisë (përkundrazi, e rrit pakënaqësinë dhe pasigurinë), Qeveritë në rajon (për arsye të ndryshme, siç janë zgjedhjet ose sezoni turistik) gëzojnë kredi të konsiderueshme për strategjinë të cilën ata e zbatojnë.
Kjo analizë e shkurtër paraqet të dhëna për rastet asimptomatike, si dhe strategjitë kombëtare të testimit për ta parandaluar përhapjen e infeksionit me COVID-19.
Gjatë dy javëve të fundit, F2N2 i ka monitoruar titujt e postuar në portalet në Internet, si dhe pretendimet e pasakta nga individë që e kritikojnë sistemin duke i krahasuar numrat e të infektuarve në vendet e rajonit.
Sa për të sqaruar që në fillim, çdo kritikë është e mirëseardhur dhe e nevojshme vetëm nëse është e bazuar në fakte dhe nëse është konstruktive dhe ofron zgjidhje.
Përpjekjet për të krijuar panik dhe pasiguri janë vërejtur në deklarata dhe tekste që pretendojnë se Maqedonia e Veriut është shndërruar në Wuhan i Ballkanit dhe është në krye të listës së vendeve me numër më të madh të të infektuarve në të gjithë botën. Teksti i publikuar në Infomax është në të vërtetë një analizë e marrë nga New York Times, e cila e tregon rritjen e numrit të të infektuarve në secilin vend në botë. Analiza është e saktë, për sa i përket numrave aktualë të treguar, por atë që portalet nuk e transmetojnë është që ka rritje në të gjitha vendet e rajonit, diku më të larta dhe diku më të ulëta. Është gjithashtu simptomatike që shënimi nga fundi i tekstit (të cilin pothuajse asnjë nga portalet në Maqedoninë e Veriut nuk e ka transmetuar) tregon që të dhënat e paraqitura janë lineare, që do të thotë se ato nuk i marrin parasysh strategjitë e qeverive për t’i testuar dhe mbajtur statistikat në lidhje me COVID-19. Kështu, për shembull, shënimi thotë se disa qeveri raportojnë vetëm rastet e konfirmuara, ndërsa të tjera raportojnë raste të konfirmuara dhe të mundshme. Gjithashtu, ekziston një pjesë të qeverive që raportojnë për të dy llojet e numrave të kombinuar, pa siguruar një mënyrë për t’i ndarë rastet e vërtetuara nga rastet e mundshme. “Times” vëren se qeveritë shpesh i rishikojnë të dhënat ose raportojnë rritje të rasteve brenda një dite, pa rishikime historike, që mund të krijojnë një model të gabuar të numrave të raportuar ditor.
Rritja e rasteve dhe bazat e krahasimit ndërmjet shteteve
Në dy javët e fundit, Maqedonia e Veriut ka pasur rritje të numrit të personave të infektuar me COVID-19. Në vendet fqinje, pasi të gjithë duam të bëjmë krahasime, ky trend i rritjes ekziston, por nuk është aq i theksuar sa në vendin tonë. Dhe tani, nga një këndvështrim linear ose bardhë në të zezë, dikush do të thotë “por në Maqedoninë e Veriut numri i pacientëve është më i madh”. Pikërisht ky është koncepti i gabuar dhe shkakton manipulime dhe panik, nëse nuk e marrim parasysh qasjen e autoriteteve shëndetësore ndaj mënyrës së testimit. Është edhe më e gabuar të pretendosh se një vend është më i mirë se një tjetër bazuar në kritere të ndryshme krahasimi.
Më 15.06.2020, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, sqaroi se “86 përqind të pacientëve janë praktikisht në shtëpi, ndërsa 14 përqind janë të hospitalizuar”. Kjo do të thotë që vendi përballohet me një valë të fortë të epidemisë, por ajo që është inkurajuese është se ekziston një përqindje e lartë e pacientëve asimptomatikë me një pasqyrë të lehtë klinike, të cilët i janë nënshtruar trajtimit shtëpiak. Kjo ka ngjallur një debat në mediat sociale, veçanërisht në pjesën e të ashtuquajturat raste asimptomatike.
Ndërsa analizat e njëanshme krahasimtare rajonale për numrin e pacientëve bazohen vetëm në kriterin e “numrit të pacientëve”, që janë edhe më shumë sesa duhet, mungon analiza e strategjive dhe vendimeve të testimit të marra nga epidemiologët. Përkatësisht, askush deri më tani nuk i ka treguar kriteret e testimit në vendet e rajonit, të cilat statistikisht duhet të jenë një parakusht themelor nëse dikush dëshiron t’i krahasojë numrat.
Ose thjesht, a mund të krahasojmë se cili frut është më ushqyes, molla ose portokalli, vetëm nga pamja dhe numri i tyre (copë) për kilogram dhe kështu të përcaktohen karakteristikat e tyre ushqyese? Sigurisht që është e pamundur.
Çfarë thonë kërkimet shkencore në lidhje me rastet asimptomatike dhe strategjitë kombëtare të testimit?
Më 24 Mars 2020, New Journal Journal of Medicine – NEJM (e cila ekziston për më shumë se 200 vjet) botoi një punim të titulluar “Transmetimi Asimptomatik, thembra e Akilit nga Ekzistimi i Strategjive të Kontrollit të COVID-19”. Strategjitë tradicionale për kontrollin e sëmundjeve infektive dhe ruajtjen e shëndetit publik bazohen kryesisht në zbulimin e hershëm të sëmundjes me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit. Kur shpërtheu COVID-19 në skenën globale, autoritetet shëndetësore e filluan zbatimin e intervenimeve që u përdorën për ta parandaluar infeksionin e virusit SARS në 2013. Në përgjithësi, këto intervenime i përfshijnë zbulimin e sëmundjes bazuar në simptoma, testimin dhe izolimin pasues. Kjo qasje është për shkak të ngjashmërive ndërmjet dy viruseve SARS-CoV-1 (SARS i vitit 2003) dhe SARS-CoV-2 (COVID-19). Sidoqoftë, zhvillimi i COVID-19 është treguar të jetë i ndryshëm, kështu që SARS i vitit 2003 ka qenë nën kontroll për 8 muaj, duke rezultuar në 8,100 njerëz të infektuar në zona të kufizuara gjeografike.
Në rastin e COVID-19, deri më 17.06.2020, më shumë se 8,300,000 njerëz janë infektuar në pothuajse të gjitha vendet e botës. Vetëm këto të dhëna themelore janë të mjaftueshme për ta pranuar faktin se nevojiten strategji të ndryshme të testimit. Studimi shkencor shpjegon një rast të analizës në një shtëpi pleqsh në shtetin Uashington dhe përfundimi më i rëndësishëm është se testimi nuk duhet t’i përfshijë vetëm ata që kanë simptoma, por edhe që testimi duhet t’i përfshijë të gjithë personat që janë në rrezik nga kontaktet e realizuara me ata tashmë të sëmurë, pavarësisht nga fakti se nuk shfaqin simptoma. Ky përfundim është i rëndësishëm për këtë analizë sepse u referohet personave që janë në mjedise të tilla (shtëpi për të moshuarit), ku ata janë në kontakt të drejtpërdrejtë për një kohë të gjatë dhe ndajnë dhoma të përbashkëta. Kjo është shumë e ngjashme me tubimet e ndryshme familjare që autoritetet shëndetësore i raportonin në kohën e fundit, të cilat kanë çuar në formimin e grupimeve të mëdha familjare. Sipas të gjitha ngjashmërive, mund të konkludohet se zbulimi dhe izolimi i rasteve asimptomatike mund ta ndalojnë dukshëm përhapjen e infeksionit.
Dhe ndërsa testimi i bazuar vetëm në simptoma është i zbatueshëm, vlerësimet epidemiologjike për paraqitjen e COVID-19 në institucionet e specializuara të kujdesit (siç përshkruhet nga autorët e studimit, “Infeksionet para-simptomatike SARS-CoV-2 dhe transmetimi në institucionet e specializuara shëndetësore”) sugjeron fuqimisht që një qasje e tillë nuk është adekuate. Autorët e studimit tregojnë se rritja e shpejtë e infeksionit në të gjithë botën është dëshmi e qartë që përhapja e virusit COVID-19 është rezultat i rasteve asimptomatike dhe strategjitë e testimit duhet të jenë më të gjera dhe t’i përfshijnë rastet asimptomatike. Këto pretendime e mbështesin gjithashtu dhe rekomandimin për të mbajtur maska mbrojtëse (më shumë detaje mund të gjenden në Qendra e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Megjithëse bëhet fjalë për një grup të vogël në një shtëpi pleqsh, përsëri, është e rëndësishme të theksohet se mjedisi në të cilin zbatohen këto rekomandime është kryesisht në përputhje me arsyen se pse në Maqedoninë e Veriut janë shfaqur grupe të mëdha të personave të infektuar.
Më 23 Mars 2020, The British Medical Journal – BMJ (e cila ekziston rreth 180 vjet dhe boton përmbajtje nga më shumë se 70 revista mjekësore dhe të ngjashme shkencore) publikoi një studim të titulluar “COVID-19: Identifikimi dhe izolimi i rasteve asimptomatike ndihmoi në eliminimin e virusit në një fshat italian”. Shkencëtarët italianë kanë sugjeruar që njerëzit që janë pozitivë për COVID-19 dhe nuk shfaqin simptoma (ose rastet asimptomatike) ende mund t’i infektojnë të tjerët. Në të njëjtin studim, studiuesit arritën në përfundimin se “izolimi i rasteve asimptomatike është thelbësore për kontrollin e përhapjes së virusit, si dhe për seriozitetin e epidemisë”. Në mes të shkurtit, u testuan banorët e një fshati 50 km në perëndim të Venecias. Rezultatet treguan se 50-70% kanë qenë raste asimptomatike, ato janë vënë në izolim dhe brenda 10 ditësh ka ndodhur një ulje prej 90% të rasteve të sëmundjes.
Këto zbulime shkencore padyshim që kanë ndikuar dhe do të vazhdojnë të NDIKOJNË MBI STRATEGJITË KOMBTARE DHE POLITIKAVE TË TESTIMIT.
Cilat janë strategjitë e testimit në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Greqi, Shqipëri dhe Slloveni?
Në kuadër të strategjive dhe politikave kombëtare të testimit, shumica e vendeve në rajon marrin parasysh dy parametra që janë të përbashkët ose devijojnë në një masë të vogël (të pakonsiderueshme). Secila prej këtyre vendeve i teston vetëm dhe ekskluzivisht ata qytetarë që kanë një problem akut të frymëmarrjes dhe/ose kanë zhvilluar disa nga simptomat e treguara të sëmundjes, siç janë ethe, kollë, vështirësi në frymëmarrje dhe të tjera. Kjo do të thotë që nëse një anëtar i familjes shfaq simptoma të COVID-19 dhe testohet pozitiv, dhe anëtarët e tjerë nuk kanë simptoma, ata nuk testohen, por izolohen dhe monitorohen për 14 ditët e ardhshme. Nëse ata zhvillojnë ndonjë nga simptomat, atëherë testohen, dhe kështu bëhen pjesë e statistikave të shtetit.
Sa për ide, në Bosnjë dhe Hercegovinë, testimi kryhet ekskluzivisht tek ata që kanë zhvilluar një simptomë dhe kanë një pamje radiologjike të pneumonisë ose një infeksioni akut të frymëmarrjes. Kriteret janë të ngjashme për Malin e Zi dhe Serbinë, Greqinë, Shqipërinë dhe Slloveninë.
Zëdhënësi i Ministrisë të Shëndetësisë Greke, Sotiris Tsiodras ka deklaruar së: “Nëse jeni të shëndetshëm dhe keni simptoma të buta, nuk duhet të testoheni për infeksionin”. Në Slloveni, është e mundur të testohen qytetarë mbi moshën 60 vjeç që shfaqin simptoma të buta ose që nuk shfaqin simptoma. Në fillim të pandemisë, qeveria shqiptare e kufizoi testimin në persona që kanë pasur kontakte me një person të infektuar, njerëz të sëmurë kronikë dhe njerëz mbi moshën 65 vjeç, e cila konsiderohet kategoria më e prekshme. Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi ka botuar pyetje dhe përgjigje në lidhje me koronavirusin. Një nga pyetjet është “Në cilat raste një person duhet të testohet për SARS-CoV-2”. Në përgjigje thuhet se përkufizimi i një rasti të dyshimtë është kur pacienti i ka këto tre simptoma: sëmundje të rëndë akute të frymëmarrjes, mungesë të një faktori tjetër etiologjik të konfirmuar dhe udhëtim ose pushime në Kinë 14 ditë para fillimit të simptomave. Përveç kësaj, që një person të testohet, është e nevojshme që të ketë ndonjë sëmundje akute të frymëmarrjes ose të ketë pasur kontakte me një rast të konfirmuar të koronavirusit, qëndrim ose marrëdhënie pune në një institucion shëndetësor, ku trajtohen pacientë me infeksion të konfirmuar të koronavirusit. Me fjalë të tjera, një person që dëshiron të testohet për arsye të kuriozitetit personal nuk ka mundësi ta bëjë këtë, nëse nuk plotëson një nga kushtet e mësipërme.
Serbia nga njëra anë ka shkuar edhe një hap më tej, duke fshirë më shumë se 4,000 raste aktive nga statistikat e saj, duke i trajtuar ato si të shëruar në bazë të një testi negativ PCR dhe 28 ditë të kaluara. Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi gjithashtu reagoi ndaj këtyre masave të Serbisë, duke kërkuar sqarime dhe duke e vlerësuar atë si të dyshimtë. Nëse shikojmë jashtë rajonit, do të shohim që edhe Kina edhe Norvegjia prej kohësh i kanë përjashtuar rastet asimptomatike nga statistikat e tyre.
Sipas kësaj, strategjitë dhe politikat e testimit për COVID-19 të këtyre vendeve janë thelbësisht të ndryshme dhe devijojnë nga strategjia e Maqedonisë së Veriut.
Cila është strategjia e përdorur nga Maqedonia e Veriut?
Sipas deklaratës së Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, në Maqedoninë e Veriut, për shkak se ekzistojnë dyshime, veçanërisht në 4 javët e fundit, nga zhvillimi i grupimeve të mëdha familjare të infektuar, janë testuar familje të tëra me një numër të madh anëtarësh, ku një ose disa anëtarë kanë rezultuar me simptoma dhe janë pozitive për COVID-19. Pra, ndryshe nga të gjitha vendet e rajonit, në 4 javët e fundit në Maqedoninë e Veriut janë testuar edhe ata qytetarë të cilët nuk kanë shfaqur asnjë simptomë dhe nuk kanë sindromë akute të frymëmarrjes, por kanë qenë në kontakt me një rast të konfirmuar të COVID-19. Është pikërisht ky devijimi që nuk e lejon krahasimin e Maqedonisë së Veriut me asnjë vend të rajonit, ose thjesht, të gjithë të tjerët presin 14 ditë (periudha e nevojshme për të zhvilluar simptoma) për t’i testuar ata që kanë qenë në kontakt me një person i infektuar me COVID-19, ndërsa në vendin tonë kjo bëhet menjëherë me të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me atë person.
Cili është rezultati i kësaj strategjie?
Rezultati është rritje e numrit të rasteve aktive, si dhe shfaqja e numrit të madh të rasteve asimptomatike. Më shumë se 3/4 e numrit të përgjithshëm janë të infektuar pa ndonjë simptomë, që do të thotë se ata nuk e kanë zhvilluar sëmundjen. Sipas deklaratave dhe të dhënave zyrtare, një parametër që e mbështet këtë pretendim është që vetëm 15-20% të rasteve aktive kanë simptoma më të rënda dhe janë hospitalizuar. Ndërsa 80-85% e tjerë kanë simptoma të buta ose janë pa simptoma (asimptomatike). Nisur nga ky fakt, është shumë normale që vendet e rajonit të kenë më pak raste aktive kur një përqindje e madhe e atyre që janë të infektuar dhe jo të sëmurë (nuk kanë simptoma) nuk janë testuar.
Për më tepër, nëse e marrim parasysh parametrin e kohës, rezultati i një strategjie të tillë kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut mund të shumëfishohet shumë shpejt, sepse në këtë fazë situata kontrollohet dhe merret një pasqyrë dhe shqyrtim shumë më i saktë për rastet aktive. Për vendet e tjera, nëse jo menjëherë, atëherë shumë shpejt do të duhet të formohet ajo pasqyrë, e cila padyshim që do të jetë shumë më pak rozë sesa ajo që e shohim këto ditë.
Dhe gjatë kohës kur në Maqedoninë e Veriut, në këtë fazë, një strategji e tillë nuk i sjell asnjë kredi Qeverisë (përkundrazi, e rrit pakënaqësinë dhe pasigurinë), Qeveritë në rajon (për arsye të ndryshme, siç janë zgjedhjet ose sezoni turistik) gëzojnë kredi të konsiderueshme për strategjinë të cilën ata e zbatojnë. Vlersoheni vetë se cila nga këto strategji është në interes të shëndetit të përgjithshëm të qytetarëve.
Nevoja për ta rishikuar qasjen ndaj analizave krahasuese ndërmjet vendeve në luftën kundër COVID-19
Në kohën e fundit, jemi dëshmitarë të krahasimeve ditore ndërmjet vendeve bazuar vetëm në numrin e pacientëve. Por a është ky kriteri i vetëm me të cilin vendet mund të krahasohen? Sigurisht qe jo! Pse, për shembull, nuk e krahasojmë numrin e njerëzve që janë në izolim? A nuk është ky një tregues serioz për kontrollin e përhapjes së infeksionit?
Pandemia është këtu, dhe nuk do të ikë për një kohë të shkurtër, nuk ka kurë të besueshme, testet e ndryshme janë në faza të ndryshme, parashikimet globale janë të ndryshme, numri i të infektuarve, jo vetëm në rajon, por edhe në nivelin global, po rritet. Prandaj, shqetësimi kryesor duhet të jetë përgjigja ndaj pandemisë, dhe jo ekskluzivisht numri i pacientëve.
Së fundmi, nuk ka asnjë sistem që mund të jetë i qëndrueshëm pa respektimin e rregullave. Prandaj, nëse dikush deri më tani e ka pasur iluzionin se ky është një komplot i madh global dhe se koronavirusi është i njëjtë me gripin sezonal, hidhuni një sy numrave dhe kohëzgjatjes së kësaj pandemie, sepse ata sugjerojnë diçka krejtësisht tjetër.
Prandaj, mbrojtja më e mirë është respektimi i rregullave. Pa i respektuar ato, ne do të vazhdojmë të numërojmë dhe të bëjmë llogaritje edhe për një kohë të gjatë, dhe më në fund dikush tjetër do të jetë fajtor, dhe asnjëherë ne vetë.
FINANCOHET NGA
Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.
PARTNERËT