Instituti për Rusinë Moderne (IMR) ka përgatitur një raport të detajuar mbi gjendjen e shoqërisë civile në Rusi gjatë sundimit të Vladimir Putinit në këtë vend. Gjatë dy dekadave të tij në pushtet, ai ka krijuar sistem autoritar me propagandë të fuqishme që e lejoi atë të konkurronte në Rusi, por edhe jashtë saj. Raporti titullohet “Rusia nën Putinin” dhe përqendrohet në zhvillimet politike dhe shoqërore. Ky raport është i dyti nga seriali i titulluar “Rusia nën Putinin“.

Raporti i IMR ndihmon për të kuptuar fotografinë e vërtetë që makineria propagandistike e Putinit po përpiqet ta fshehë me shkathtësi. Megjithëse në letër shoqëria civile në Rusi duket se është zhvilluar si në shtetet tjera post-komuniste, në të vërtetë statistikat zyrtare nuk japin informacion të saktë mbi numrin e organizatave të shoqërisë civile. Duke përdorur rregulloren, skemat e finansimit dhe integrimin me agjencitë shtetërore, regjimi i Putinit bën ndarje të sektorit të shoqërisë civile në aktorë “të mirë” dhe “të këqinjë”, me çka të parët pranohen si aleatë, ndërsa të dytët si kërcënim i sigurisë.

Ky raport përqendrohet në organizatat e shoqërisë civile, për shkak të rolit të tyre të rëndësishëm në mbrojtjen e privatësisë dhe lirisë personale kundër ndërhyrjeve nga shteti, synimi i të cilëve është krijimi i mosbesimit tek njerëzit.

Duke analizuar situatën, IMR tregon për një trend gjithnjë e më të dukshëm në dekadën e fundit, që tregon intensifikimin e kontrollit të shtetit mbi organizatat e shoqërisë civile, të cilave u hidhet dyshimi se mund të kenë ndikim negativ mbi shoqërinë.

 

Krijimi i rregullores me qëllim të vendosjes së kontrollit mbi organizatat e shoqërisë civile

Sistemi politik i Rusisë për njëzet vitet e fundit është karakterizuar si i centralizuar, me mungesë të konkurrencës politike dhe politikë të jashtme agresive. Këto karakteristika të sistemit politik ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin e organizatave të shoqërisë civile në Rusi.

Rregullimi i shtuar është hapi i parë me të cilin ushtrohet kontroll i veçantë mbi organizatat qytetare. Për shembull, ligji federal që rregullon organizatat jofitimprurëse, i miratuar fillimisht nga Duma e Shtetit në vitin 1995, është ndryshuar 90 herë deri në vitin 2020, prej të cilave vetëm 10 ndryshime janë bërë në dekadën e parë, 67 ndryshime janë bërë në periudhën nga viti 2007 deri në vitin 2016, ndërsa edhe 13 ndryshime të tjera janë bërë nga viti 2017 deri më sot. Qëllimi i ndryshimeve të shpeshta të rregullores është krijimi i kritereve të tilla që do të favorizojnë organizata që ndajnë entuziazmin e Putinit për një shtet të fortë, tema nacionaliste dhe vlerat tradicionale ruse.

Në këtë kornizë kohore, organizatat qytetare të cilat përqëndrohen në të drejtat e njeriut, mbrojtjen e lirisë politike dhe çështje të tjera të ngjashme bëhen objekt i rregullores penale, gjë që i pengon të finansohen dhe të integrohen në shoqëri.

Kremlini harton sistem me autoritet qendror, duke mundësuar një sistem vertikal të shpërndarjes së pushtetit. Në këtë mënyrë mundësohet krijimi i institucioneve të reja ndërmjetësuese si Oda Civile dhe organizata të tjera të shoqërisë civile që ofrojnë shërbime zyrtare të ndihmës sociale. Zbatimi i politikave të tilla ka rezultuar në ndarjen e sektorit civil, në ato që janë të mbështetura nga shteti dhe ato që janë të margjinalizuara. Thelbi i politikave të tilla është të kontrollohet ndikimi mbi publikun.

Marrëdhëniet e përkeqësuara Rusi-Perëndim, një skenar i mirëmenduar për vendosjen e sistemit të kontrollit

Raporti i Freedom House, i cili është përdorur si burim i të dhënave në këtë raport, e rendit Rusinë si një “vend jo të lirë” për sa i përket të drejtave politike dhe lirive civile. Sistemi politik i udhëhequr nga Kremlini, i vlerësuar si autoritar, toleron vetëm konkurrencën sipërfaqësore kundrejt partisë dominuese “Rusia e Bashkuar”.

“Agjent i huaj” dhe “organizatë e padëshirueshme” janë fjalët e sajuara që përdoren në propagandë gjatë përshkrimit të ndihmës së huaj për shoqërinë civile, duke i bërë pjesën më të madhe të formave të bashkëpunimit ndërkombëtar të rrezikshme për shoqërinë civile.

Gjatë përgatitjes së këtij raporti, IMR u përball me një mungesë të të dhënave me karakter publik për sektorin e shoqërisë civile. Kjo është problematike nga aspekti i faktit se mungesa e të dhënave të mjaftueshme ose pasaktësia e tyre e bën të pamundur monitorimin e zhvillimit të shoqërisë civile. Edhe në raportin e Odës Civile të vitit 2014  theksohet ky problem: “Nuk ekziston një fotografi statistikore e vetme, gjithëpërfshirëse dhe e azhurnuar në nivel vjetor për këtë sektor… Nuk ka sistem për vlerësimin e aktiviteteve [të organizatave të shoqërisë civile”. Ekzistojnë tre arsye të ndërlidhura për mungesën e të dhënave të tilla, edhe atë:

  • Mënyra sipas së cilës klasifikohen organizatat jofitimprurëse në përputhje me legjislacionin;

  • Përkimi i mbikëqyrjes nga organet shtetërore; dhe

  • Mungesa e udhëzimeve të unifikuara për llogaridhënie.

Sipas legjislacionit, shumë organizata janë përfshirë në termin “jofitimprurëse”, gjë që e bën atë të papërshtatshëm për vlerësimin e shoqërisë civile. Personat juridik klasifikohen ose si organizata tregtare ose organizata jofitimprurëse. Sipas kësaj ndarjeje, në organizata jofitimprurëse hynë institucionet arsimore shtetërore, partitë politike, odat e avokatëve, madje edhe ndërmarrje të mëdha shtetërore. Kjo tregon një mungesë diferencimi që do mundeshte të ndihmojë në përcaktimin e llojeve të ndryshme të organizatave jofitimprurëse.

Mbikëqyrja kryhet nga ministri dhe organe të ndryshme në nivele lokale, rajonale dhe federale. Kjo përkeqëson më tej situatën me përgjegjësinë dhe llogaridhënien. Në raport theksohet se ekzistojnë prova që sugjerojnë se informacionet për organizatat civile ndonjëherë bëhen të padisponueshme për publikun nga Ministria e Drejtësisë për arsye politike, gjë që e errëson më tepër fotografinë statistikore. Për shembull, në vitin 2017, nga web-faqja e ministrisë u tërhoqën të gjitha raportet vjetore të sektorit të shoqërisë civile që nga viti 2014. Është spekuluar se arsyeja për këtë vendim ishte se këto raporte u përdorën gjatë hetimit të pronësisë së Dmitrij Medvedev, si dhe për hetimin e pronësisë të Fondit për luftë kundër korrupsionit të Aleksej Navalni. Kur informacioni i disponueshëm nga publiku u bë i rrezikshëm për qeverinë, ai u tërhoq.

Në dekadën e dytë, rregullimi i sektorit civil bëhet më ambicioz dhe intensifikohet. Sektori i shoqërisë civile tashmë bëhet një kërcënim serioz politik për regjimin në Rusi. Kjo e nxiti Kremlinin të veprojë shpejt. Strategjia përbëhet nga tre pjesë: rregullimi, financimi dhe integrimi me agjencitë shtetërore. Pasoja e kësaj strategjie është ndarja e shoqërisë civile në “të mirë” dhe “të këqinjë”. Organizatat “e mira” punojnë në shëndetësi, arsim, sport dhe kulturë. “Të këqinjtë ” merren me çështje të tilla si mjedisi jetësor, të drejtat e grupeve të cenueshme, gratë dhe të drejtat e njeriut, me çka aktivitetet e tyre, qasja në financa dhe komunikim, janë rreptësisht të kufizuara.

Në mënyrë që të vendoset  kontroll mbi shoqërinë civile, shteti fillon me rregullimin e financimit të organizatave të shoqërisë civile. Në vitin 2012, legjislacioni rus në mënyrë eksplicite sinkronizoi financimin e huaj me “ndërhyrje politike“, duke penguar në mënyrë serioze qasjen dhe përdorimin e fondeve të huaja. U miratua i ashtuquajturi Ligj për “agjentët e huaj“. Duke e komentuar ligjin, Putini vuri në dukje: “Askush nuk ka të drejtë të flasë për të gjithë shoqërinë ruse, veçanërisht ata që drejtohen ose financohen nga jashtë dhe kështu i shërbejnë interesave të të tjerëve“. Organizatat qytetare të cilat kanë punuar në çështje lidhur me sistemin politik ose të drejtat e njeriut, të tilla si organizata GOLOS e cila i monitoron zgjedhjet, ishin ndër të parat që u vunë në shënjestër nga ligji i ri.

Në vitin 2015, u miratua Ligji për organizatat e padëshirueshme, i cili përforcoi më tej mesazhin e shtetit se organizatat e huaja janë të dëmshme për Rusinë, gjegjësisht se ato përbëjnë një kërcënim për rendin kushtetues, sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit. Një legjislacion i tillë i ka mundësuar regjimit të Putinit të sinkronizojë financimin e huaj me ndërhyrjen e huaj në punët e shtetit, ndërsa njëkohësisht të afirmohet si arbitri i vetëm që i lejohet të marrë pjesë në politikë. Etiketimi “agjent i huaj” është bërë gjithnjë e më i lehtë për t’u përdorur gjithmonë kur legjitimiteti i dikujt duhet të sfidohet publikisht. Kjo ka bërë që shumë organizata, të tilla si USAID dhe Fondacioni Shoqëri e hapur, të dëbohen ose të largohen nga shteti. Paralelisht me këtë proces, kishte inkurajim të organizatave “të mira” që mbështeteshin nga shteti. Praktikisht, shteti krijon organizata që punojnë në mënyrë të njëanshme dhe në interes të shtetit, me çka përparësi u jepet atyre që përdorin gjuhë ushtarake dhe patriotike, e cila është një jehonë e diskursit konservator shtetëror.

Rritja e kontrollit të shtetit mbi shoqërinë civile është një nga trendet më të rëndësishme që ka shënuar sundimin e Putinit në Rusi gjatë dy dekadave të fundit.

Varësitë dhe dhuna në familje, sëmundjet mendore, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, personat që vuajnë nga HIV/AIDS, janë çështje që kanë fituar vizibilitet në shoqërinë ruse, falë punës dhe përpjekjeve të organizatave të shoqërisë civile të orientuara drejt shoqërisë. Fatkeqësisht, kjo nuk mund të thuhet për ato organizata të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e të drejtave politike dhe lirive civile. Ato thjesht janë “etiketuar” nga shteti si agjentë të këqinjë ose të huaj, gjegjësisht si organizata që mund të prishin gjendjen e sigurisë në shtet.

Burim: Raporti i Institutit të Rusisë Moderne

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.