Dita fillon me kafe dhe porosi të palexuara. Disa nga miqtë, disa për punë, një reklamë e paguar për mobilje dhe një me shumë pikëçuditëse që alarmon se duhet lexuar menjëherë para se të fshihet nga interneti, pasi zbulon një sekret të madh të fshehur nga njerëzit e zakonshëm.

Sekreti mund të jetë për “pandeminë e rreme”, “vaksina e rrezikshme”, “komploti global kundër Donald Trump”, “e vërteta e errët në lidhje me elitat (një term posaçërisht I njohur) që hanë fëmijë”, etj. Dërguesi është një person shumë i zakonshëm që e njohim personalisht ose përmes rrjeteve sociale, i cili për herë të parë ose ndonjëherë dërgon përmbajtje të tilla.

Përhapja e dezinformatave përmes porosive personale tashmë është bërë një praktikë e zakonshme. Dhe kjo nuk është e vetmja risi në këtë fushë. Ashtu siç viteve të fundit po intensifikohet lufta kundër lajmeve të rreme me ndryshimin e algoritmeve në rrjetet sociale dhe përfshirjen e verifikuesve të pavarur të fakteve, ashtu evoluojnë edhe teknikat për përmbajtje të ndryshme të pavërteta të qëndrojnë në rrjete sa më gjatë dhe të pavërejtura.

“Dërgimin e porosive personale me lajme të rreme e kemi vërejtur edhe ne, dhe kjo është një përpjekje për të përhapur një dezinformatë sa më shpejt para se të detektohet”, thotë Rosana Aleksoska nga platforma F2N2, e cila “gjuan” dezinformata në internet.

Ndër metodat relativisht të reja është vërejtur edhe shpërndarja masive e printscreen-eve në vend të teksteve të plota, ndërsa në vendet ku përdoret alfabeti cirilik, siç është Maqedonia, edhe përzierja e qëllimshme e shkronjave cirilike dhe latine.

 

Shikojeni dhe shpërndani sa nuk e kanë fshirë

Mbi 270 mijë shikime dhe 5.300 shpërndarje në vetëm tre ditë kishte një video e postuar në Facebook nga një ish-gazetar maqedonas në lidhje me vaksinën Pfizer kundër koronavirusit. Më 8 dhjetor, ai postoi ​​një video në të cilën e interpreton dokumentin ku janë shënuar kundërefektet e mundshme të vaksinës, por I paraqet si pasoja të vërtetuara nga vaksina, duke rritur panikun nga vaksinimi.

Ajo arriti një shikueshmëri të madhe, por këto shifra tregojnë vetëm pjesërisht se deri ku kanë arritur dezinformatat që I ka përhapur. Videoja së shpejti u gjet në inboxin e shumë njerëzve, pasi të njohurit e tyre në Facebook vendosën t’ua dërgojnë atyre në mesazh të drejtpërdrejtë, për t’i alarmuar që ta shohin sa më shpejt të jetë e mundur, para se të fshihet ose të etiketohet si e rrejshme.

Mesazhe të drejtpërdrejta I dërgojnë njëri-tjetrit njerëzit që besojnë në teoritë e konspiracionit ose marrin pjesë rregullisht në përhapjen e tyre, për t’i njoftuar se janë lëshuar “materiale” të reja. Në shikim të parë tingëllon si një grup i vogël i errët që shoqërohet në internet.

Nëse shikoni sondazhin e opinionit të kryer nga grupi i ekspertëve për Ballkanin, mezi shtatë për qind e popullsisë në vend dhe rajon nuk besojnë në ndonjë teori konspirative, dhe mbi 50 për qind besojnë në të gjitha. Përqindja e kombinuar e atyre që thanë se besonin në të gjitha ose vetëm disa teori ishte mbi 80 përqind.

Nëse shikoni hulumtimin e opinionit publik të kryer nga grupi i ekspertëve për Ballkanin, mezi shtatë përqind e popullsisë në vend dhe në rajon nuk besojnë në asnjë teori konspirative, ndërsa mbi 50 përqind besojnë në të gjitha. Përqindja totale e atyre që kanë thënë se besojnë në të gjitha ose vetëm në disa teori është mbi 80 përqind.

Me këto shifra, nuk është për t’u befasuar që gjithnjë e më shumë dezinformata përfundojnë në kutitë postare virtuale edhe të “jobesimtarëve” për t’i bindur të kalojnë në “anën tjetër”. Disa kanë marrë nga 3-4 porosi të tilla në javë.

E përbashkëta e mesazheve është se ato shoqërohen me mesazhe inkurajuese – “shikojeni sa nuk e kanë fshirë nga Facebook-u, shpërndani dhe zgjeroni”, “Nuk mund të heshtnin më, shikojeni”, etj.

Për shkak se njerëzit kryesisht I kushtojnë më shumë vëmendje porosive personale sesa postimeve të tjera në rrjetet sociale, ka më shumë të ngjarë t’i shohin këto përmbajtje. Ndërsa I madh është edhe probabiliteti që ata do të vazhdojnë t’i përhapin ato, shpjegon Bojan Kordalov, ekspert i rrjeteve sociale dhe mediave të reja.

“Sipas mënyrës së vendosjes dhe dizajnimit të tyre, lajmet e rreme japin një motiv të fortë që njerëzit t’i përhapin ato,” thotë ai.

Pandemia është tema që dominon në dezinformim këtë vit, por përzihet edhe me temat e integrimit euro-atlantik të vendit dhe tema të tjera politike, shpjegon Aleksoska nga F2N2.

“Subjekt i sulmit janë emocionet e njerëzve, në mënyrë që të provokojnë një reagim të bujshëm,” shtoi ajo.

Siç kalonte koha, ashtu edhe “mesazhet” ndryshonin. Në fillim u përqëndruan në “falsitetin” e virusit dhe pandemisë, pastaj në “panevojshmërinë” e maskave, karantinës, distancës sociale dhe masave të tjera të mbrojtjes, dhe pasi shkenca bëri një depërtim në përpjekjet e saj për të gjetur një vaksinë, ata u kthyen kundrejt “rreziqeve” nga vaksinimi.

 

Mos beso, kontrollo ashtu siç do të tregojmë

Si duket zakonisht një dezinformatë? Videoja rreth “efekteve” të vaksinës, e cila tërhoqi shumë vëmendje në Maqedoni, është një shembull tipik. Të tilla bëhen çdo ditë në botë.

Midis mesazheve private të marra nga përdoruesit e rrjeteve sociale mund të gjendet video në të cilën njerëzit që paraqiten si mjekë nga vende të ndryshme (SHBA, Kanada, Belgjikë, Britani e Madhe, Gjermani) janë filmuar me web-kamera duke paralajmëruar se vaksinat do të jenë vdekjeprurëse

Në video tjetër, në të cilën lexohet udhëzimi nga vaksina e firmës AstraZeneca, mund të shihet se si krijuesit e lajmeve të rreme i përdorin të njëjtat mesazhe si të atyre që luftojnë kundër tyre, të tipit “mos besoni, por kontrolloni”. Sidoqoftë, edhe për “kontrollin” jepen udhëzime.

“Nuk keni pse të na besoni, hetoni vetë. Për shembull, vizitoni këto faqe. Ose kërkoni në Google këtë term ChAdOx-1. Shikoni këtu shkruan – mikroklonim ”, dëgjohet narratori I videos dhe shfaqen mbishkrimet nga paketimi i vaksinës. “Na bindin se është e sigurt, ndërsa gjurmët janë këtu para nesh”, thotë narratori me një ton dramatik.

 

Të anashkaluarit e filtrave

Megjithëse askush nuk ka njohuri të drejtpërdrejtë se si funksionojnë algoritmet e rrjeteve sociale në detektimin e përmbajtjeve të dyshimta (ato janë një sekret biznesi i kompanive), megjithatë shumë njohës të këtyre teknologjive me të cilat kemi biseduar thonë se supozimet mund të bëhen nga vëzhgimi. Duke qenë se midis krijuesve të dezinformatave ka edhe njerëz profesional teknologjikisht, ka shumë të ngjarë që edhe ata të nxjerrin konkluzionet e tyre dhe të kërkojnë mënyra të reja për të anashkaluar filtrat.

Një nga alarmet më të zakonshëm është kur diçka bëhet virale për një kohë të shkurtër (përhapet shumë shpejt në mesin e shumë përdoruesve), dhe kjo është një shenjë që përmbajtja duhet të kontrollohet. Por nëse, në vend të një mesazhi identik, dërgohen disa të ndryshme, por me të njëjtën poentë, supozohet se programi kompjuterik do ta ketë më të vështirë për ta detektuar viralitetin.

Përveç përmbajtjes, bëhen edhe ndryshime në formë. Bëhen printscreen-e nga tituj të teksteve në vend të shpërndarjes së tekstit, ose printscreen-e nga postimet në rrjetet sociale. Disa përdorues e bëjnë këtë madje edhe në postimet e tyre dhe i ripostojnë ato si fotografi.

“Printscreen-et janë të zakonshme gjatë kryerjes së fushatave dezinformuese. Ky është vetëm një nga mekanizmat e përdorur, problemi është shumë më i madh, kështu që përgjigja duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e koordinuar”, thotë Aleksoska.

Jo vetëm për makineritë – printscreen-et janë gjithashtu më të vështira për t’u kontrolluar edhe nga njerëzit, veçanërisht nëse nga fotografia është prerë emri I mediumit ku është publikuar përmbajtja.

Këto ditë në pjesën maqedonase të internetit mund të shihet printscreen nga një media zvicerane me titull në gjermanisht “Për momentin nuk mund të miratohet vaksina”. Postimin e kanë shpërndarë qindra njerëz.

I pari që e ka publikuar pretendon se zviceranët kanë refuzuar vaksinën gjermane “për shkak të rrezikut të vdekjes”. Në tekstin e vërtetë nuk thuhet aspak se Zvicra refuzon vaksinimin, por që së pari do të zbatojë një strategji të kontrollit të rrezikut “për të parandaluar efektet anësore ose rastet e vdekjes”.

Se sa është përparësia në hapat e dezinformimit tregon fakti se për të arritur në tekstin origjinal duhet së pari të rishkruhet titulli në gjermanisht te kërkuesi, të gjendet teksti me titull identik midis rezultateve dhe të përkthehet me ndonjë internet-mjet. Derisa një person e bën këtë, dhjetë persona vetëm do të klikojnë “shpërndaj”.

Printscreen-et në Maqedoni, kohët e fundit shpesh përdoren edhe në përhapjen e informacioneve të pavërteta në lidhje me marrëdhëniet maqedono-bullgare, një nga çështjet më të ndjeshme që tërheq vëmendjen e publikut. Në disa prej këtyre postimeve, kërkesat bullgare paraqiten si diçka tashmë e pranuar nga pala maqedonase

Ndër teknikat e përdorura për të anashkaluar filtrat është edhe përzierja e shkronjave cirilike dhe latine që janë identike në kuptim ose vetëm në formë (a, e, н, x, y, j, c dhe të tjera). Kur një përdorues i rrjeteve sociale ankohet se një postim I është fshirë nga profili i tij, është e mundur të shihni dikë tjetër që i jep këshillë që radhën tjetër t’I përziejë shkronjat dhe të bëjë më të vështirë detektimin e përmbajtjes problematike.

 

Këmbësoria idologjike

Pse dikush do të jepte këshilla që sa më vështirë të zbulohen përmbajtje problematike në rrjetet sociale? Sepse nëse kontrollohen profilet që publikojnë dhe përhapin dezinformata, mund ta shihni se, përveç kategorive të dyshimta (profile tematike me emra të rremë që shërbejnë vetëm për të publikuar informacione nga një ose më shumë burime, ose njerëz që janë pjesë e organizatave formale ose joformale dhe përhapin ideologjinë e tyre), ka një numër të madh përdoruesish që nuk tregojnë asnjë lidhshmëri me rrjetet e dezinformimit.

Numri më I madh I tyre janë njerëz nga rrethi ynë. Nuk e fshehin identitetin e tyre, kanë fotografi nga udhëtimet familjare, ndërsa shpërndajnë nga ndonjë “të vërtetë të pazbuluar në lidhje me koronavirusin” ose ndonjë “komplot të madh për abuzimin e fëmijëve” midis një recete dreke dhe një foto të një shëtitjeje në park, për shembull.

Verifikuesit e fakteve dhe njohësit e tjerë të teknologjisë së komunikimit dakordohen se përhapja e dezinformatave është kryesisht një aktivitet i organizuar, shpesh me qëllim malicioz, por ata gjithashtu konfirmojnë që shumë njerëz I shpërndajnë këto përmbajtje pa motive të fshehura. E ndiejnë këtë si thirrje të tyre, përgjegjësi për të qenë “në anën e vërtetë”.

“Ka edhe momente kur njerëzit përhapin lajme të rreme sepse besojnë në ato dhe mendojnë se duke bërë kështu ata kontribuojnë në një lloj lufte që e vërteta të dalë në dritë”, thotë Kordalov.

Sigurisht, kjo e bën akoma më të vështirë luftën kundër dezinformatave, sepse edhe kur në krye ka rrjete të organizuara për të krijuar dhe përhapur lajme të rreme, pjesa më e madhe e shpërndarjeve bëhet përsëri nga individë dhe mikro-komunitete që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, përveç besimit që  e kanë.

“Të gjitha teoritë e konspiracionit janë vetëm fragmente të një teorie master që elita të caktuara sundojnë botën. Sa më shumë që dikush beson në këtë, aq më shumë të ngjarë ka që do të lexojë dhe do të shpërndajë përmbajtje që mbështesin këtë teori”, shton Aleksoska.

Sidoqoftë, ka zgjidhje për gjithçka. Algoritmet, siç thotë Kordalov, mund të riprogramohen për t’i njohur edhe format e reja të përhapjes së lajmeve të rreme. Kjo është një betejë, shpjegon ai, në të cilën nuk mund të gjendet një zgjidhje përfundimtare për të ndaluar dezinformimin, por të dy palët do të garojnë vazhdimisht dhe do të udhëheqë pala që do të investojë më shumë përpjekje dhe mjete.

Sidoqoftë, lufta teknologjike nuk do të jetë e mjaftueshme nëse nuk ka luftë më të fortë institucionale, sepse është minimi I besimit tek institucionet që konsiderohet si një nga qëllimet kryesore të fushatave dezinformuese. Kordalov thotë se për shkak të kësaj nuk është e mjaftueshme që shërbimet e marrëdhënieve me publikun të institucioneve të shkruajnë vetëm komunikata, por duhet të përfshihen shumë më aktivisht në komunikimin e dyanshëm dhe të reagojnë shpejt kur shohin lajme të rreme në lidhje me punën e tyre.

“Njerëzit e quajnë këtë ‘shuarje të zjarrit’, por kjo nuk është një zjarr. Detyra e tyre është që t’u shërbejnë qytetarëve, ndërsa sigurimi i informacionit të vërtetë është pjesë e këtij shërbimi”, shtoi ai.

Siç thekson ai, një nga mënyrat më të mira që institucionet të mbrojnë besimin në to është ofrimi i shërbimeve cilësore. Nëse ata punojnë mirë dhe qytetarët janë të kënaqur, është shumë e vështirë që ndonjë dezinformatë do t’i dëmtojë ata.

 

Burim: prizma.mk

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.