Titulli origjinal: LAVROV E PARASHIKOI KËTË SKENAR 2 VITE MË PARË, A DO TË VIJOJË NDARJA E MAQEDONISË MIDIS BULLGARISË DHE SHQIPËRISË?
Portali riciklon lajm të vjetër nga viti 2015 në një moment të ndjeshëm politik në mënyrë që të manipulojë publikun dhe të shkaktojë frikë për ndarje të shtetit, megjithëse nuk ka asnjë argument për këtë.Më 18 nëntor 2020, portali anonim MKD Press publikoi artikull të titulluar “LAVROV E PARASHIKOI KËTË SKENAR 2 VITE MË PARË, A DO TË VIJOJË NDARJA E MAQEDONISË MIDIS BULLGARISË DHE SHQIPËRISË?”
Në përmbajtjen e tekstit, autori i referohet deklaratave të zëvendës-ministrit për punë të jashtme të Bullgarisë, Georg Georgiev, mbi vendimin e Bullgarisë për të bllokuar fillimin e negociatave për pranimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe ministres së punëve të jashtme, Ekaterina Zaharieva, për atë se kur Shkupi do të marrë mbështetje, gjegjësisht me përmbushjen e kushteve të tyre tashmë të njohura.
Të njejtën përmbajtje të tekstit e publikoi portali Infomax, por megjithëse titulli është i ndryshëm, gjithsesi edhe në të i referohet skenarit të njejtë të dy viteve më parë të Lavrov: Bullgaria mbështet Shqipërinë, por jo edhe Maqedoninë: A po realizohet skenari i dy viteve më parë i Lavrov?
Në përmbajtjen e tekstit nuk ka asnjë element, gjegjësisht pjesë të fjalimeve të Georgiev dhe Zaharieva që flasin, ose implikojnë ndonjë ndarje të Maqedonisë së Veriut midis Bullgarisë dhe Shqipërisë. Megjithëse në formë pyetësore, autori i tekstit me këtë titull imponon një konkludim të gabuar të nxjerrur nga vendimi i Bullgarisë për të mos miratuar kornizën negociuese për negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut me BE.
Kjo nuk është hera e parë që portali MKD Press përdor këtë titull manipulues. Më 18 qershor të vitit 2020, ky portal publikoi një artikull të titulluar A po e paralajmëron Ahmeti atë që parashikoi Lavrov? Ndarjen e Maqedonisë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë? Është e qartë se portali dëshiron t’i imponojë publikut skenarin e pretenduar për ndarjen e Maqedonisë së Veriut. Ekipi F2N2 edhe atëherë iu përgjigj këtij teksti dezinformues.
Edhe tani, në një moment të ri të ndjeshëm politik, përsëri imponohet titulli i njejtë, që nxirret nga një kontekst tjetër i ngjarjeve. Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk përmban dispozita për ndarjen territoriale të vendit tonë. Gjithashtu, kushtet e vendosura nga Bullgaria për miratimin e kornizës negociuese nuk përmbajnë pretendime territoriale të këtij vendi ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Skenari” i ministrit për punë të jashtme të Rusisë, Lavrov, për ndarjen e pretenduar të Maqedonisë së Veriut daton që nga viti 2015, kur për zhvillimet politike në vendin tonë në atë kohë ai deklaroi se ngjarjet e Maqedonisë kontrolloheshin paturpësisht nga jashtë, se diskutohej për federalizimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut, madje edhe ishte sugjeruar ndarja e vendit midis Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Për këtë deklaratë të dhënë për Tass për ndarjen e Maqedonisë së Veriut, reagoi menjëherë ministri i jashtëm i atëhershëm i Bullgarisë, Daniel Mitov, i cili u përgjigj ditën e njejtë, duke i quajtur deklaratat e Lavrovit “jashtëzakonisht të papërgjegjshme”: “Përpjekjet për të vënë në dyshim politikën evropiane të rajonit dhe integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë janë të papranueshme,” tha Mitov. “Stabiliteti i të gjitha vendeve të Evropës Juglindore është i një rëndësie të madhe për ne dhe përpjekjet e vendeve jashtë rajonit për ta minuar atë përmes propozimeve të tilla duhet të ndalen,” shtoi ai. “Bullgaria do të vazhdojë të jetë garantuesi i pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Maqedonisë dhe nuk duhet të ketë dyshim për këtë,” përfundoi Mitov.
Konkludim:
Nuk ekziston skenar për ndarje të vendit tonë. Portale të caktuara e imponojnë me këmbëngulje këtë narracion në momente të ndjeshme politike kur vendi përballet me sfida serioze. Qëllimi i këtyre teksteve dezinformuese është manipulimi i publikut dhe nxitja e pakënaqësisë dhe mosbesimit në institucionet e shtetit, si dhe ndjenjën e frikës dhe urrejtjes ndaj vendeve të përmendura fqinje. Marrëveshja me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Prespës janë kyçe për integrimin euroatlantik të vendit, ndërsa finalizimi i këtij procesi është një garanci për stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë në Maqedoninë e Veriut.
FINANCOHET NGA
Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.
PARTNERËT