Për këtë fenomen dhe mënyrën se si bëhet lufta kundër lajmeve të rrejshme biseduam me Viktor Daukshas, drejtor i iniciativës Debunk.eu në Lituani, i cili kohët e fundit në Shkup mori pjesë në debatin “Ndikimi i dëmshëm i dezinformatave”, që u organizua nga Asociacioni qytetar MOST.

Shkup, 3 prill 2020 (MIA) – “Zero pacient” është një term mjekësor që është rezultat i një keqkuptimi. Një nga viktimat e para të SIDA-s në Amerikën e Veriut në disa dokumente, me qëllim të ruajtjes së anonimitetit, u cilësua si “Pacienti O”. Për këtë pacient, Gaetan Diga, i cili ishte stjuard nga Kanadaja, atëherë konsiderohej se ishte burimi i epidemisë së SIDËS në Amerikën e Veriut. O (shenjë për Outside of California “Jashtë Kalifornisë”) ishte keqkuptuar si zero (0), krejtësisht pa qëllim. Në fakt, Diga nuk ishte pika fillestare e burimit të epidemisë. Por shprehja vazhdoi të përdoret dhe përhapet. Më saktë, është përhapur përtej kufijve të medicinës dhe është mbuluar nga një lloj tjetër i infeksionit – dezinformatave.

Situata me atë që po ndodh në botë sot duket se përkon me përpjekjet për të gjetur pacientin zero, dhe në kuptimin bukfal edhe në atë simbolik kur kërkohet pika zero nga e cila filloi të përhapet një virus informacioni. Bota po përballet me një pandemi të Covid-19, por në të njëjtën kohë pandemia e lajmeve të rreme dhe dezinformatave që lidhen me koronavirusin nuk shuhet, por në fakt krijon edhe më shumë panikë dhe i ndez ndjenjat tashmë të tronditura të qytetarëve. Maqedonia e Veriut nuk është imune ndaj virusit, as ndaj përhapjes së dezinformatave që lidhen me koronavirusin, ndërsa MIA në periudhën e ardhshme do të publikojë intervista, analiza dhe storje kushtuar luftës kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave.

“Demaskuk”, demaskim në lituanisht, është softuer që e kërkon pacientin zero të lajmeve të rreme. Ai është përpunuar nga Delphi, një grup mediatik në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnus, së bashku me kompaninë më të madhe amerikane të IT, Google. Funksionon duke kërkuar dhe analizuar shprehje të panumërta në internet në lituanisht, rusisht dhe anglisht, në mënyrë që të gjejë ato që probabiliteti për të qenë dezinformata është e madhe. Pastaj e hulumton online historinë të artikujve që konsiderohen të dyshimtë në mënyrë që gjejë origjinën – pacientin zero – të fushatës së dezinformatave.

Në vitin 2017, 28 vende u sulmuan me dezinformata, ndërsa në vitin 2019 numri u rrit në 70 vende. Trendi po rritet, dhe Daukshas në intervistën për MIA tha se gjatë dy viteve të fundit, Dibank ka publikuar mbi dyqind storje, të cilat janë lexuar më shumë se 30 milion herë.

Sot, 188 organizata punojnë në më shumë se 60 vende për të demaskuar dezinformatat dhe për të verifikuar faktet. Në Lituani, në më shumë se 1.500 domene, organizata të ndryshme analizojnë më shumë se 30.000 artikuj çdo ditë në tetë gjuhë, ndërsa Daukshas në intervistën për MIA foli për gjendjen e mediave në vendin e tij, fillimet e Debunk dhe mënyrën e funksionimit të tij, por edhe për nevojën për trajnime të secilit qytetar që të identifikojë atë që i shërbehet.

 

Ju keni qenë drejtuesi i Debunk për tre vjet, a mund të na shpjegoni se si funksionon kjo iniciativë, sa media i bashkon, a ka subjekte të tjera përveç mediave dhe cili është qëllimi kryesor?

Qëllimi kryesor është t’I edukojë qytetarët dhe të tregojë se çfarë po ndodh në të vërtetë, në mënyrë që njerëzit të dinë dhe të vendosin vetë. Ne kemi filluar tre vjet më parë, themeluar nga Google dhe Delphi. Delphi është një medium nga rajoni i Balltikut, bashkëpunojmë me gjithsej tetë media, që na përkrahin, publikojnë përmbajtjet, bëjnë intervista. Shumicën e demaskimeve (zbulimeve) e bëjnë gazetarët profesionistë, të cilët janë të pajisur mirë me përvojë dhe njohuri në fushat e mbrojtjes dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ky lloj I gazetarisë është vërtet i rrallë, nuk ka shumë gazetarë në vendet që mund të jenë në atë nivel dhe të punojnë për këtë. Pjesa tjetër punojnë më shumë si mbështetje. Si iniciativë, ne analizojmë informacionet e hapur, të cilat janë të qasshme online, dhe kërkojmë narracione të dëmshme. Me kalimin e viteve, ne mblodhëm një bazë të madhe të të dhënave dhe tani mund të shohim nëse të njëjtat narracione përdoren përsëri në internet, nëse ato rishfaqen përsëri. Kjo do të thotë që nëse ato rishfaqen, ne mund t’i kapim ato shpejt. Kemi një efikasitet të madh. Gjithashtu mund t’i informojmë gazetarët dhe partnerët tanë me të cilët punojmë: “Shikoni, kjo është diçka e re dhe e fortë dhe është etiketuar si e dëmshme në të kaluarën.” Pra, kështu funksionojnë gjërat.

Sa informacione keni zbuluar gjatë tre viteve të kaluara, për aq sa funksiononi?

Në dy vitet e fundit ne kemi publikuar më shumë se dyqind storje dhe këto storje janë lexuar më shumë se 30 milion herë dhe për një vend të kësaj madhësie (Lituania), kjo është lexueshmëri e madhe. Ka disa komente që kur ka zbulim ose verifikim të fakteve, nuk ka shumë lexues. Nëse e bëni atë në rregull, në mënyrën e duhur dhe me storje interesante, të cilat janë vërtet të dëmshme, njerëzit do të duan të dinë dhe njerëzit do të lexojnë. Kjo është interesante.

Kam lexuar në faqen tuaj të internetit që ju ofroni identifikimin e lajmeve të rreme në dy minuta, si e bëni këtë?

Me ndihmën e Google, ne kemi zhvilluar këtë mjet, një platformë, dhe në këtë mënyrë shpejtë e regjistrojmë informacionin. Ne mund ta analizojmë, ta kapim brenda disa minutave në kohë reale, dhe ta hartojmë në raport me narrativat e dëmshme, që tashmë i kemi, dhe kështu i informojmë palët e interesuara me të cilat bashkëpunojmë.

Me arsim jeni fizicient, jeni për zhvillim të IT, a besoni se mund të krijohet një platformë, një aplikacion që do t’I gjuajë (kapë) lajmet e rrejshme pa një faktor njerëzor, a është kjo reale?

Kjo nuk do të jetë reale edhe për një kohë shumë të gjatë. Po, unë kam një diplomë në fizikë, ishim shumë praktik që nga fillimi, duke parë atë që ia vlen të automatizohet në një fazë të caktuar. Dhe nëse e bëni automatizimin shumë më herët, ose do të bini në aspekt të kostos, do të jetë shumë më kushtueshme, ose do të keni një precizitet të dobët. Prandaj, ne vendosim të vendosim më shumë shtresa njerëzore për të ekzaminuar se çfarë gjen makina dhe kështu mëson makina. Njerëzit marrin feedback dhe më pastaj mund të trajnohemi përsëri dhe përsëri. Për këtë arsye është më mirë të trajnohet dhe të mësohet hap pas hapi, sesa të përpiqemi të krijojmë diçka të përsosur që nga fillimi.

Është shumë më lirë të krijosh dezinformata sesa ta zbulosh. A mund të më tregoni për përfitimet që në nivel vjetor e bëjnë platformat që në një farë mënyre janë fabrika për prodhimin e lajmeve të rreme?

Po, ky është problemi kryesor me dezinformatat, është shumë më lirë të krijosh sesa të zbulosh (demaskosh), dhe kjo është një çështje e madhe. Të gjithë faktorët dhe organizatat ndërkombëtare duhet të punojnë për këtë dhe të rrisin efikasitetin në mënyrë që të zvogëlohet kostoja e zbulimit, në krahasim me koston e krijimit të dezinformatave. Nëse shikojmë analizat që janë bërë, janë analizuar më shumë se 20 mijë internet-faqe lidhur me dezinformatat dhe të gjitha llojet e përmbajtjeve të pavërteta. Këto internet-faqe llogaritet se kanë fituar 235 milion dollarë për një vit nga reklamim programues.

Si është situata me mediat në Lituani?

Në Lituani dhe rajonin e Balltikut, mediat janë mirë të etabluara. Ne kemi internet-faqe më të vogla që kanë tendencë të bëjnë dëme dhe natyrisht që ajo ka një efekt edhe në mediat sociale dhe kjo është një çështje me të vërtetë e madhe. Ka shumë kukudha lituanë, tashmë janë më shumë se katër mijë njerëz që janë aktiv në rrjetet sociale, duke u përpjekur të kapin trollet në Facebook, ky është aktiviteti që ata bëjnë dhe kjo është një gjë me të vërtetë e rëndësishme. Por, gjithashtu, ka një ndikim të fortë nga faqet e internetit të huaja që nuk janë nga Lituania, por që përpiqen të shpërndajnë informacione në ose rreth Lituanisë. Ne akoma kemi një përqindje të lartë të popullsisë që e kuptojnë mirë rusishten.

Gjëja kryesore që qytetarët duhet të kuptojnë është se nëse e vërejnë veten se janë bërë emocional, atëherë le të mos e shpërndajnë përmbajtjen, sepse me siguri është përpunuar në mënyrë që të sulmojë emocionet tuaja dhe dikush ka bërë një përpjekje që ju ta shpërndani përmbajtjen. Kjo është zakonisht historia. Është e rëndësishme të dini se cilin medium po përdorni, ta dini a është i besueshëm apo jo. Mendoj që është njësoj si me ushqimin, me etiketat e produkteve ushqimore, ju duhet të t’i lexoni, për të kuptuar se çfarë lloj ushqimi po fusni në trup. E njëjta gjë vlen edhe për mediat, duhet të kuptojmë se kush qëndron pas mediumit, kush është pronari, nëse janë të besueshëm dhe po punojnë për të mirën tuaj.

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.