Nënkryetari i Komisionit Evropian Zhozef Borell ka paralajmëruar sanksione për të zgjidhur rastet serioze të shkeljes së të drejtave të njeriut. Dokumenti, apo ligji i cili tek do të përpilohet, do të jetë i ngjashëm me të ashtuquajturin „Magnitsky Act“ të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilin në vitin 2012 e ka nënshkruar presidenti i atëhershëm amerikan Barak Obama.

 

Çfarë është „Magnitsky Act“?

 

„Magnitsky Act“ është krijuar për të sanksionuar zyrtarët rus për të cilët dyshohej se kanë qenë të përfshirë dhe përgjegjës për vdekjen e Sergej Magnitskit , një këshilltar tatimor nga Rusia. Magnitski ka ndërruar jetë më 16 nëntor të vitit 2009, në një prej qelive të burgut “Matrosskaya Tishina Prison,” të Moskës, derisa hetimit ndaj tij për gjoja shpifje ndaj zyrtarëve të lartë të Kremlinit për vjedhje të parave shtetërore po vazhdonte. Magnitski ishte mbajtur në burg për 358 ditë, dhe vetëm nëntë ditë para se të skadonte afati ligjor prej një viti, aq sa me ligj ka qenë e lejuar të mbahet në paraburgim, ende pa u ngritur akuzë, ai ishte gjetur i vdekur, me shenja të dhunës fizike. Kjo vlerësohej si një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut në kohë moderne.

 

Ky rast i ngriti në këmbë të gjithë shtetet demokratike, ndërsa SHBA ua ka ndaluar që të hyjnë në shtet të gjithë atyre për të cilët është menduar se kanë ndonjë lidhje me vdekjen e Magnitskit. Ua ka ndaluar edhe përdorimin e sistemit të tyre bankar.

 

Komisioni Evropian nuk ka dhënë shumë detaje për atë se çfarë do të përmbajë teksti ligjor për të sanksionuar shkelësit e të drejtave të njeriut, por duke gjykuar shembullin e „Magnitsky Act“i cili do të jetë udhëzues apo shembull për tekstin ligjor të Be-së, ata që do të shkelin të drejtat e njeriut do të jenë pre e sanksioneve tejet të rrepta na vendet e Bashkimit Evropian të cilët janë përkrahës të fortë të kësaj ideje, siç tha nënkryetari i Komisionit Evropian.

“Vendet anëtare të BE-së janë të informuara, ata kanë shfaqur mbështetje për këtë plan aksionar për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, të cilin ekipi im do ta përpilojë gjatë pesë viteve të ardhshme. Propozimin do ta prezantojmë gjatë vitit të ardhshëm. Kemi një konsensus të gjerë mes vendeve anëtare. E dini se nuk do të mund të vepronim po të mos kishim unitet”, deklaroi nënkryetari i Komisionit Evropian Zhozef Borell.

Borell shpjegoi se kanë metoda për tu ballafaquar edhe me sajber sigurinë.

Vendet e BE-së kanë praktikë të sanksioneve ndaj zyrtarëve rus dhe vendet e tjera

Prej të 90-tave, vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar më shumë sanksione ndaj vendeve të treta, për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Për shembull, janë ngritur sanksione ndaj Kinës, për shkak të dhunës ndaj protestuesve në protestat e vitit 1989 në sheshin Tiananmen. Sanksione ishin shqiptuar edhe ndaj Bjellorusisë, për shkak të zhdukjes së një gazetari dhe aktivisti opozitar në vitin 2004. Ndaj Iranit janë shqiptuar sanksione në vitin 2011,  për shkak të represionit ndaj protestuesve të qetë dhe për shkak të keqpërdorimit të dënimit me vdekje. Sanksione u shqiptuan edhe ndaj Burundit, e cila ka përdorë dhunë të tepërt ndaj protestuesve në vitin 2015. Sanksione janë shqiptuar edhe ndaj Venecuelës, e cila sipas BE-së, ka bërë represion edhe ndaj sektorit civil edhe ndaj opozitës demokratike në vitin 2017.

Sanksionet më të shpeshta që përdoren ndaj shkelësve të të drejtave të njeriut janë ndalesa për hyrje në shtetet e BE-së, ndalesë për shitje të armëve e të tjerë. Individët ndaj të cilëve zakonisht shqiptohen sanksionet janë ministra,ushtarë po policë, agjentë të shërbimeve sekrete, prokurorë e zyrtarë të zgjedhjeve. Përveç sanksioneve, BE-ja poashtu mund të ndalojë projektet zhvillimore për ndihmë të shteteve.

Pesë shtete si Kanadaja, Estonia, Lituania, Mbretëria e Bashkuar dhe Letonia, kanë miratuar sanksione të ngjashme ndaj shkelësve të të drejtave të njeriut sipas modelit të SHBA-së (Мagnitsky Act). Ligji i Kanadasë kishte paraparë sanksione ndaj zyrtarëve të shteteve të ndryshme, ndërsa shtetet Baltike kanë shqiptuar sanksione  vetëm ndaj zyrtarëve rus. Mbretëria e Bashkuar nuk i publikonte emrat e atyre që janë sanksionuar.

Edhe pse “Мagnitsky Act” ishte dokument i cili ishte përpiluar vetëm për sanksionimin e shkelësve të të drejtave të njeriut dhe për korrupsion, nuk dihet nëse Bashkimi Evropian do të ndjekë modelin e njëjtë, apo do të fokusohet vetëm tek shkelësit e të drejtave të njeriut.

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.