Duke pasur parasysh mënyrën dhe mekanizmin e përdorur, kjo është një përpjekje e organizuar dhe e koordinuar për të dezinformuar publikun, nga ana e deputetit Antonio Milloshoski, i cili shpesh shfaqet si burim i dezinformatave, dhe një portal nga Bullgaria. Qëllimi është të prezantohet se Bullgaria nuk është i vetmi vend në BE që kundërshton mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, duke thënë se edhe Hollanda dhe Danimarka janë kundër.
Më 2 dhjetor 2020, deputeti Antonio Milloshoski shpërndau një postim në profilin e tij në Facebook, duke e emëruar si “Lajme diplomatike nga Brukseli”. Në postimin e bërë thotë se në takimin ambasadorial atë natë në Bruksel, Bullgaria bllokoi edhe konkludimet mbi Maqedoninë, dhe jo vetëm kornizën negociuese. Ai vazhdon duke thënë se dukej që Bullgaria nuk ishte e vetme, por ka patur mbështetje diskrete diplomatike nga të paktën dy shtete të tjera anëtare të BE. Në fund të postimit, thuhet se ky lajm kinse ishte nga burime diplomatike në Bruksel.
Postimi i deputetit Milloshoski u transmetua nga media bullgare 24chasa.bg, e cila më 3 dhjetor së pari publikoi tekst me statusin e tij, gjegjësisht se dy vende të tjera anëtare të BE janë bashkuar me veton bullgare për Maqedoninë, sipas burimeve diplomatike nga Brukseli të deputetit. Në mbrëmjen e të njëjtës ditë, 24chasa.bg publikoi një tekst tjetër në të cilin përmend specifikisht Danimarkën dhe Hollandën si vendet që mbështesin veton e Sofjes për Shkupin, duke iu referuar një burimi diplomatik. Por, edhe në këtë tekst përmendet statusi i deputetit Antonio Milloshoski, si një burim shtesë për “informacionin”.
Ky lajm u transmetua nga 10 portale të tjera bullgare, ndërsa në vendin tonë, u transmetua nga 50 portale duke iu referuar medias bullgare 24chasa.bg. Përkundër faktit se numri i interaksioneve në Facebook është më i lartë në Bullgari, është e qartë se fokusi i dezinformatës së këtillë është Maqedonia e Veriut.
Kjo dezinformatë u demantua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës dhe Ambasadës Hollandeze në Shkup, si një lajm plotësisht i pabazuar dhe i rremë.
Sidoqoftë, edhe pas publikimit të demantit, më 4 dhjetor, 24chasa.bg vazhdoi me “qëllimin”, kësaj radhe me tekst se kinse një “burim i lartë diplomatik nga Brukseli konfirmoi informacionin se Danimarka dhe Hollanda mbështesin jozyrtarisht veton bullgare për fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, megjithëse të dy vendet kanë preferuar mos ta bënin atë publike në këtë fazë “.
Që nuk është përpjekja e parë që të diskreditojë Bashkimin Evropian dëshmon edhe fakti se në vitin 2019 ka publikuar lajm se kinse edhe dy shtete të tjera anëtare – Hollanda dhe Suedia, janë gati të largohen nga Bashkimi Evropian, duke ndjekur shembullin e Britanisë së Madhe, duke iu referuar një eksperte biznesi.
Postimet spekulative janë karakteristike për deputetin nga VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski, dhe tashmë janë të njohura për publikun. Si burim i dezinformatave, deputeti Milloshoski, në kombinim me median bullgare 24chasa.bg, u përpoqën të manipulojnë publikun me qëllim të diskreditimit të gjithë procesit të pranimit në Bashkimin Evropian dhe vetë Bashkimin Evropian. Ky është një shembull tjetër se si shpërndahen dezinformatat. Gjegjësisht, portali u referohet burimeve anonime diplomatike nga Brukseli, dhe për t’i dhënë kredibilitet dezinformatës, e përdor statusin e Milloshoskit.
F2N2 tashmë ka shkruar për përpjekjet e Milloshoskit për të dezinformuar publikun që në qershor të vitit 2019.
FINANCOHET NGA
Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.
PARTNERËT