Michel de Notre Dame (1503-1566), i njohur më shumë si Nostradamus, ishte një astrolog i famshëm në Francë në shekullin e 16-të. Ai u mbështet nga Mbretëresha Catherine de ‘Medici, për të cilën shkroi vargje të shumta që tregojnë për rënien e rivales së saj, Elizabeth I të Anglisë, por parashikime të tilla kurrë nuk u realizuan. Vepra e tij më e njohur është “Profecia”, e botuar për herë të parë në vitin 1555, dhe është ende në shtyp, sot e kësaj dite.[1]

Nostradamus shkroi profecitë e tij në frëngjishten e lashtë, të dykuptimta aq sa të mund të interpretohej ashtu si i përshtatet lexuesit. Si rezultat i kësaj, pasuesit e tij arritën t’i atribuojnë një numër parashikimesh të një game të gjerë aksidentesh, duke përfshirë Zjarrin e Madh të Londrës në vitin 1666, ngritjen e Adolf Hitlerit, Revolucionin Iranian në vitin 1979 dhe ngjarjet e 11 shtatorit  të vitit 2001. Sidoqoftë, parashikimet e pretenduara të Nostradamus u vunë re pasi ndodhi aksidenti. Kurrë nuk kishte shembull të një vargu që është përdorur nga Nostradamusi për të parashikuar me saktësi një ngjarje para se të ndodhte.

Profecitë e tij u bënë një pjesë gjithëpërfshirëse e kulturës popullore në shekujt 20 dhe 21. Kështu, ato janë objekt i qindra librave, filmave, dhe gjithashtu interesi i mediave për jetën e tij dhe profecitë nuk zhbëhet. Sidoqoftë, gjatë gjithë historisë, profecitë e tij janë përdorur edhe për propagandë politike, si dhe në numër të madh mashtrimesh – raste në të cilat vargje i janë atribuar gabimisht atij.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ministri i Propagandës Joseph Goebbels u përpoq të shfrytëzonte profecitë e Nostradamusit në shërbim të regjimit nazist. Gjatë fillimit  të Luftës së Dytë Botërore, Goebbels rinovoi parashikimet e Nostradamusit për t’iu përshtatur rezultatit të tij të dëshiruar, dhe filloi shpërndarjen e profecive të tilla të përtëritura në formën e pamfleteve në të gjithë Gjermaninë, duke parashikuar një fitore të madhe për Gjermaninë dhe shkatërrimin brutal të armikut perëndimor të Rajhut të Tretë.

Interesi për profecitë e Nostradamus është rritur ndjeshëm që nga shembja e Kullave Binjake ose nga ngjarja e 11 shtatorit, falë vargjeve të dërguara me postë elektronike në të cilat Nostradamus kinse parashikon tragjedinë. Sidoqoftë, vargjet në të vërtetë nuk ishin shkruar prej tij, por ishin vepër e një mashtruesi anonim.

Një artikull tjetër i famshëm nga profecitë e Nostradamusit në mediat maqedonase u regjistrua në tetor të vitit 2018. Artikulli i referohet profecisë së pretenduar se: “Në kohët moderne, Maqedonia së shpejti do të sundohet nga një sundimtar jo-parimor i cili do të përpiqet të shkatërrojë emrin e Maqedonisë dhe maqedonasve në përgjithësi, vetëm për të kënaqur sundimtarët e tjerë, por ai nuk do të ketë sukses sepse populli, përkatësisht maqedonasit, do ta heqin këtë sundimtar nga froni, pas ardhjes së perandorit të ri në Maqedoni, gjërat do të normalizohen dhe perandori i ri i Maqedonisë do të jetë besnik ndaj popullit dhe nuk do lejojë askënd të luajë me emrin e Maqedonisë “.

Në artikull përmendet një “mbret që dëshiron ta ndërrojë emrin e Maqedonisë” dhe, edhe pse nuk është shkruar emri i kryeministrit Zoran Zaev, është shumë e qartë se bëhet fjalë për të. Në tekst thuhet “në kohën moderne”, që është pengesa për vërtetësinë e tekstit. Nostradamusi asnjëherë nuk ka shkruar për kohë konkrete dhe vargjet mund të interpretohen në mënyra të ndryshme. Ai, poashtu, shumë rrallë ka shkruar emra shtetesh, ndërsa vendet zakonisht i ka përshkruar nëpërmjet pozitës gjeografike. Nuk ka asnjë dëshmi se në librat e tij ai shumë herë e ka përmendur edhe Maqedoninë. Nëse me të vërtetë ekziston një pjesë e tillë për Maqedoninë, është e paqartë pse ajo nuk është në vargje. Profecitë e tij u shkruan si katrene, gjegjësisht strofa me katër rreshta në formë vargjesh dhe gjëzash. Në artikull ku thuhet se Nostradamusi ka shkruar për Maqedoninë, teksti të cilin gjoja e ka shkruar Nostradamusi nuk është në vargje, por është tekst në formë të prozës, gjë që nuk ka ndodhur në krijimtarinë e parashikuesit, shkruan crithink.mk.

Ndërsa portali balkanskapravila.com, përveç tekstit, ka edhe një ilustrim të fotografive nga Nostradamus dhe Zoran Zaev.

Në maj të vitit 2019, një profeci e frikshme e Nostradamusit qarkulloi gjerësisht nëpër portale në Maqedoninë e Veriut, si dhe në Serbinë fqinje, ku profeti kinse parashikoi se Papa Françesku do të vritej në qytetin perandorak të Dushanit dhe kështu do të fillojë Lufta e Tretë Botërore. “Kryeprifti Romak, ki kujdes që të mos afrohesh në një qytet ku përmbyten dy lumenj, sepse këtu do të pështyni gjak, në muajin kur lulëzojnë trëndafilat”, thuhet në përkthimin e rigjallëruar të profetit të ndjerë, parashikimi i të cilit deshifrohet në portalet: magazin.mk , signal.mk dhe skopje1.mk. Fillimisht, besohet se Nostradamusi kishte parashikuar ngjarja tragjike të ndodhte në Beograd. Megjithatë, teoricienët e konspiracionit e rifreskuan këtë teori me të dhëna të reja, duke sugjeruar që Nostradamus në të vërtetë nënkuptonte qytetin e Shkupit sepse dy lumenj, Vardari dhe Treska, rrjedhin këtu, dhe në vitin 1346 u kurorëzua perandori serb Dushan. [2] Papa e përfundoi vizitën e tij në Republikën e Maqedonisë së Veriut në 07.05.2019 dhe përsëri profecia e pretenduar e Nostradamus u dëshmua e pasaktë.

Abuzimi më i fundit i profecive të Nostradamus është se ai parashikoi pandeminë e KOVID-19 dhe rolin shpëtues të Kinës. Ai gjoja përmendi në profecitë e tij një “murtajë të madhe” që do të tërbohej në “qytetin e detit” dhe “zonjën fisnike” që ndërhyri dhe luftoi. “Qyteti i detit” është identifikuar me Hong Kongun, duke pretenduar se do të preket rëndë nga virusi në të ardhmen, dhe “zonja fisnike” që do të shpëtojë botën nga virusi është ose Kina ose një figurë femër në qeverinë kineze. [3]

Ekipi për luftë kundër lajmeve të rrejshme i Bashkimit Evropian ka ndjekur historinë e Nostradamus, ndryshimet e së cilës tani qarkullojnë gjerësisht në internet, në qendrën e propagandës, Ukraina.ru, e krijuar për të promovuar pozicionin e Rusisë në Ukrainë dhe Krime. Internet portali për lajme “Ukraina.ru” operon nga Moska nga qershori i vitit 2014, që nga ditët e para të konfliktit në Ukrainë.[4]

Prandaj, mund të konkludohet se profecitë e Nostradamusit përgjatë historisë kanë qenë një temë e pashtershme e përhapjes së propagandës dhe e lajmeve të rreme, me qëllim që ta bindin lexuesin të besojë lajme ose informacione të caktuara, të cilat do ta drejtojnë drejtpërdrejt ose gradualisht atë në sjellje ose veprime të caktuara. Propaganda është një aftësi e zhvilluar për programimin shoqëror të sjelljes së masave ose grupeve të caktuara të popullsisë, kështu që lexuesi duhet të ketë zhvilluar një mendim kritik për të qenë në gjendje të dallojë nëse informacionet që i servohen në përditshmëri vijnë nga një burim i verifikuar dhe i besueshëm ose bëhet fjalë për dezinformatë, propagandë dhe përhapje e lajmeve të rreme.

 

[1] http://hoaxes.org/archive/permalink/the_prophecies_of_nostradamus

[2]https://f2n2.mk/%d0%b8%d1%81%d1%82%d0%be%d1%80%d0%b8%d1%81%d0%ba%d0%b0%d1%82%d0%b0-%d0%bf%d0%be%d1%81%d0%b5%d1%82%d0%b0-%d0%bd%d0%b0-%d0%bf%d0%b0%d0%bf%d0%b0%d1%82%d0%b0-%d0%b3%d0%be-%d0%be%d0%b6%d0%b8%d0%b2%d0%b5/

[3] https://euvsdisinfo.eu/nostradamus-and-coronavirus/

[4] https://bitterwinter.org/coronavirus-twitter-and-nostradamus-chinese-fake-news/

logo

FINANCOHET NGA

sponsor

Ky projekt u financua pjesërisht përmes një granti të Ambasadës së SHBA. Mendimet, gjetjet dhe përfundimet ose rekomandimet e shprehura këtu janë të zbatuesve/autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA.

PARTNERËT

sponsor
© 2024 F2N2.